FORCIMI I KAPACITETEVE TË ILD NË HETIMIN DISIPLINOR DHE INSPEKTIMET

Njësia e inspektorëve dhe ajo e ndihmës inspektorëve e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë zhvilluan një trajnim dy-ditor mbi hetimin disiplinor dhe inspektimet me fazat konkrete të procedimit, me praktikat e homologëve nga Italia e Spanja, bazuar në modelet e punës së deritanishme të inspektimeve nga ILD.

Trajnimi u realizua nga dy ekspertë ndërkombëtarë afatshkurtër, prokurorja María del Carmen de la Fuente Méndez, pjesë e Inspektoratit Spanjoll dhe ish-prokurorja Annita Sorti, ish-anëtare e Inspektoratit të Përgjithshëm Italian, me mbështetjen e misionit EU4Justice.

Trajnimi pati në fokus diskutime dhe punë në grupe mbi kriteret e përzgjedhjes së zyrave të prokurorive për inspektim, analizën e të dhënave paraprake të inspektimit, stoku i çështjeve, performanca e stafit, tendencat e ankesave, përgatitja e mjeteve të inspektimit, komunikimi me zyrat subjekt inspektimi përpara vizitës dhe planifikimi duke identifikuar fushat problematike, etj.

Përvoja spanjolle dhe italiane u përdor edhe me modelin e strukturimit të raportit të inspektimit: gjetjet, provat, rëndësia e çështjeve, dhënia e rekomandimeve afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, identifikimi i praktikave më të mira dhe pozitive, mekanizmat e ndjekjes dhe afatet për zbatim dhe ndarja e përgjegjësive, pa lënë pas edhe komunikimin e gjetjeve me transparencë, duke ruajtur besimin institucional. Pjesa teorike u kombinua me studime rastesh nga praktikat evropiane mbi inspektimet tematike dhe institucionale.