Maturantë të klasës së drejtësisë të gjimnazit “Sami Frashëri” zhvilluan një vizitë mësimore në ILD, në kuadër të informimit përmes edukimit ligjor, një dimension pune, që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë e praktikon në vijimësi.
Maturantët zhvilluan një bashkëbisedim me inspektoren jomagjistrate znj. Joana Sorraj, e cila i njohu me objektin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, rolin, funksionet, proceset e punës, si dhe sfidat e institucionit, për rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë dhe të besimit të publikut tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si një nga institucionet e reja të krijuara nga Reforma në Drejtësi.
Gjimnazistët u informuan në detaje me mënyrën si bëhen ankesat, kush ka të drejtë të drejtojë një ankesë në ILD dhe nëse mundet vetë Inspektori i Lartë i Drejtësisë të vihet në lëvizje për të nisur një procedurë disiplinore.
Inspektorja Joana Sorraj, e shoqëruar nga përgjegjësi i sektorit të ankesave dhe marrëdhënieve me publikun Elis Kuçi dhe specialistja Zilije Feçi, iu përgjigj interesit të gjimnazistëve, që aspirojnë vijimin e studimeve për drejtësi, për proceset e punës së inspektorëve, afatet e shqyrtimit të ankesave, pranueshmërinë e një ankese dhe pozicionin e magjistratit ndaj të cilit bëhet ankesë, gjatë një hetimi e procedimi disiplinor.
Inspektorja Joana Sorraj e vuri theksin tek rëndësia që institucioni i jep respektimit të pavarësisë së magjistratëve, balancës me llogaridhënien e tyre, si dhe interesit legjitim të qytetarëve për mënyrën sesi administrohet drejtësia.
Bashkëbisedimi është pjesë e aktiviteteve, që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë zhvillon në institucion apo edhe jashtë tij, me grupe të ndryshme shoqërore në kuadër të informimit publik përmes edukimit ligjor, që konsiston në përçimin e njohurive ligjore dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e zbatimit të ligjit.
