Budapest, 2 dhjetor 2025
Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani, i shoqëruar nga ekipi i inspektorëve të ILD-së zhvilloi një vizitë pune në institucione të drejtësisë në Budapest, konkretisht në Zyrën Kombëtare për Gjyqësorin dhe në Prokurorinë e Përgjithshme.
Gjatë takimeve, delegacioni shqiptar u shoqërua nga ambasadori i Shqipërisë në Hungari, z. Ilirian Kuka, që u kujdes për mbarëvajtjen e vizitës, e cila synoi vendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale, shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave të punës në kuadër të realizimit të procedurave të inspektimit dhe hetimit disiplinor ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, me synim krijimin e mundësive për bashkëpunim institucional për procedurat disiplinore ndaj magjistratëve në Republikën e Hungarisë.
Në takimet me drejtuesin e Zyrës Kombëtare për Gjyqësorin, z. György Senyei, por edhe me drejtues në Prokurorinë e Përgjithshme të Hungarisë, pas paraqitjes së organizmit dhe funksionimit të strukturave, të lidhura me përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve, bashkëbisedimi vijoi në nivel konkret me shkëmbim informacioni dhe përvojash në lidhje me aspektet procedurale të realizimit të hetimit disiplinor, si zhvillimi i metodave të hetimit disiplinor lidhur me shkeljet disiplinore të magjistratëve, teknikat e avancuara të intervistimit të tyre, sigurimin dhe trajtimin e informacionit nga institucionet e tjera ligj zbatuese, analizën e dokumentacionit të grumbulluar gjatë procedurës së verifikimit apo hetimit, hartimit të raportit të hetimit, grumbullimin e provave.
Ekipi i ILD-së dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë të Hungarisë veçuan eksperiencat respektive mbi metodologjinë e kryerjes së inspektimeve dhe standardizimin e procedurave të inspektimit; mbi praktikat dhe standardet më të larta të integritetit dhe sjelljes etike të prokurorëve dhe mbi mënyrën e komunikimit me publikun me qëllim sigurimin e balancës ndërmjet parimit të drejtësisë së hapur dhe parimit të konfidencialitetit, mbrojtjes së të dhënave personale dhe integritetit të prokurorëve.
