ILD NDERON PROCESIN DISIPLINOR MBI NJË SHEKULLOR NË SHQIPËRI

Inspektori i Lartë i Drejtësisë organizoi një pasdite pune mbi inspektimin disiplinor në Shqipëri. I konceptuar si një moment reflektimi për vlerat dhe kontributin ndër vite të inspektimit disiplinor të magjistratëve dhe njerëzve që kanë punuar aty, në aktivitet u shfaq dokumentari televiziv, “Të inspektosh drejtësinë”, përgatitur si një historik i zhvillimeve të inspektimit disiplinor prej viteve 90-të e deri në ditët e sotme.

Historiku i procesit disiplinor ndaj magjistratëve, që daton me shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, u soll përmes një botimi të posaçëm të përgatitur nga Prof. Erind Mërkuri “Historik i përgjithshëm i procesit disiplinor ndaj magjistratëve në Shqipëri (1912 – 2025)”, si një dokumentim i përpjekjeve të hershme të vendit tonë për ta mbajtur sistemin e drejtësisë të përgjegjshëm.

Aktiviteti bëri bashkë drejtues e përfaqësues të institucioneve të drejtësisë në vend, të gjykatave e zyrave të prokurorive, kontributorë të shërbimit të inspektimit ndër vite, akademikë e studiues.

Në fjalën e tij përshëndetëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Metani evidentoi se megjithëse prej mbi 5 vitesh vendi ka një institucion të vetëm, që merret me inspektimin e gjyqtarëve e prokurorëve, ky proces nuk ka lindur me ILD-në në vitin 2020, por shenjohet shumë më herët në historinë e tonë, që me themelimin e shtetit shqiptar dhe bëhet fjalë për një kontribut shumë të rëndësishëm mbi një shekullor, që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë synon ta sjellë të dokumentuar.

“Kur me kolegët në zyrën e ILD, menduam dhe diskutuam idenë e rrugëtimit të shërbimit të inspektimit gjyqësor dhe atij të prokurorisë në Shqipëri, ishim shumë entuziastë, por edhe pasigurt, nëse do të arrinim të tregonim gjerësisht zhvillimin e inspektimit të magjistratëve në Shqipëri. Inspektimi gjyqësor mbetet shpesh në hije dhe vëmendjen publike e marrin natyrshëm vendimet gjyqësore. Por, inspektimi gjyqësor mbetet një mjet shumë i rëndësishëm për ruajtjen e integritetit të sistemit të drejtësisë. Duke patur parasysh këtë, por edhe mundësitë reale, që ILD të prodhonte një dokumentim historik, të të gjithë ecurisë e shërbimit të inspektimit gjyqësor në Shqipëri, që prej vitit 1912, sfida dukej gati e pakapërcyeshme. Por me sa duket, ia dolëm. Sot, do hapim perden e kësaj pjese vitale dhe emocionuese të historisë sonë. Materialet që botohen në këtë libër përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme nga tradita institucionale e drejtësisë shqiptare.”

Duke u ndalur tek veprimtaria në këto vite e ILD-së, z. Metani veçoi sfidën e drejtimit të një institucioni të ri, me vendosjen e praktikave e standardeve të punës për t’i qëndruar kohës.

“Zgjedhja në detyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë erdhi me përgjegjësinë e jashtëzakonshme, për përballjen me ngritjen e një institucioni të tillë me themele të forta profesionale, me pritshmëritë e publikut dhe aktorëve të tjerë politikë e institucionalë dhe me pritshmëritë e vetë sistemit të drejtësisë. Duke mos patur model paraardhës, vendosja e standardeve të tilla dhe mbi të gjitha, ruajtja e ekuilibrit mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit krejt legjitim të publikut për mënyrën se si administrohet drejtësia, ishte dhe mbetet busulla orientuese e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Kjo mbetet sfida më e madhe profesionale dhe personale e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, jo për stabilitet institucional, por duke e parë këtë balancë interesash, si një parim kushtetues të rëndësishëm për të ardhmen e sistemit të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës. Natyrshëm si çdo proces, edhe testimi i kësaj filozofie pune, kërkon periudhën e vet të përballjes me sfidat që kalon sistemi dhe koha do të tregojë qëndrueshmërinë e zbatimit të saj në praktikë, si dhe efektet afatgjata në sistem.”

Autori i botimit, Prof. Erind Mërkuri nënvizoi faktin se shërbimi disiplinor i magjistratëve ka një histori dhe traditë në vendin tonë. Përcjellja e saj sidomos në formë dokumentare është e rëndësishme sepse respektimi i traditës si nevojë e shtetbërjes është një thesar kulturor. Për ta ilustruar, ai solli një shprehje të Sir Roger Scruton, sipas të cilit “Jemi me fat që po ndërtojmë mbi arritjet e paraardhësve tanë dhe gjëja e rëndësishme është t’i ruajmë ato arritje e të mos i hedhim tutje”.

Akademiku Shaban Sinani vlerësoi botimin si një nisëm shumë të rëndësishme që periodizon në mënyrë shkencore fazat në të cilat ka kaluar shërbimi disiplinor shqiptar në shekullin e fundit. Vlerë e veçantë e botimit, sipas akademikut është promovimi i trashëgimisë në një fushë jo shumë të promovuar.