ILD PËR BASHKËPUNIMIN ME EU4JUSTICE: TË SHNDËRROJMË ÇDO PRAKTIKË TË MIRË PUNE NË STANDARD TË QËNDRUESHËM

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit EU4Justice “Duke reflektuar mbi arritjet dhe duke parë përpara me institucionet e pavarura të drejtësisë dhe partnerët në Shqipëri” që bëri bashkë drejtues e përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues të ekzekutivit, profesionistë të së drejtës etj., për të evidentuar arritjet kryesore, për të nxjerrë në pah përparësitë strategjike bazuar në mësimet e nxjerra dhe për të siguruar mbështetje dhe angazhim të dukshëm, nga partnerët dhe aktorët institucionale për mbështetjen e reformave.

Inspektori i lartë i Drejtësisë u përfaqësua në konferencë nga Sekretari i Përgjithshëm i ILD-së, znj. Dëshira Pasko, e cila përcolli disa reflektime të institucionit mbi bashkëpunimin gati 3 vjeçar me EU4Justice.

Fjala e plotë e mbajtur nga znj. Pasko:

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar drejtues të institucioneve të drejtësisë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë të përcjell para jush në emër të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë z. Artur Metani, disa reflektime mbi bashkëpunimin, që institucioni ynë ka pasur me programin e Bashkimit Evropian për drejtësinë, EU4Justice, përmbyllja e të cilit na ka bërë bashkë të gjithëve sot.

Duke qenë unik në llojin e vet, pasi për herë të parë, inspektimi i gjyqtarëve e prokurorëve të të gjitha niveleve bëhet nga një institucion i vetëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka synuar që në nisje të veprimtarisë së vet, krijimin e një kulture pavarësie, profesionalizmi dhe efektiviteti, si një sfidë profesionale, përveçse detyrim ligjor. Në këtë rrugëtim për ngritjen e forcimin e kapaciteteve, konsolidimin e praktikës së inspektimit e hetimit disiplinor, bazuar në procedura transparente e profesionale, në përputhje me standardet e praktikat më të mira ndërkombëtare dhe vendosjen e forcimin e standardeve në sistem dhe efikasitetin e drejtësisë, jemi asistuar nga partnerë ndërkombëtarë, të cilëve u jemi mirënjohës.

Asistenca profesionale e Bashkimit Evropian, dikur me misionet EURALIUS e deri tek programi EU4Justice ka qenë gjithmonë e rëndësishme në mbështetjen e institucioneve shqiptare të drejtësisë, në zbatimin e reformave që sigurojnë rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë në vendin tonë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka qenë një nga përfituesit, që eksperiencën e marrë e ka përkthyer në efikasitet në veprimtarinë e vet të përditshme.

Duke iu përgjigjur nevojave të ILD-së, bazuar në prioritetet strategjike të institucionit, EU4Justice ka qenë një partner prezent, që ka ofruar në vijimësi mbështetje teknike përmes aktiviteteve të targetuara profesionale për institucionin tonë.

Trajnimi i vazhdueshëm i trupës së inspektimit në veçanti, por edhe i stafit të ILD-së në përgjithësi është një filozofi pune e ILD-së, për forcimin sistematik të kapaciteteve, çka passjellë rritjen e efikasitetit të veprimtarisë së institucionit. Asistenca e EU4Justice ka qenë e çmuar përmes trajnimeve të trupës së inspektimit të ILD-së mbi dimensione të ndryshme pune, si trajtimi i ankesave, hetimi disiplinor, inspektimi institucional e tematik, çështje të etikës e pavarësisë së magjistratëve, por edhe shkëmbim eksperiencash me homologë nga vende të Bashkimit Evropian.

Kështu, përvoja spanjolle, ajo italiane dhe franceze e EU4Justice kanë shërbyer jo vetëm në forcimin e kapaciteteve të institucionit, por edhe në rrjetëzim dhe rritje vizibiliteti përmes angazhimit ndërkombëtar të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si anëtar i Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë, RESIJ.

Me vlerë të posaçme kanë qenë edhe takimet e përbashkëta me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe institucione të tjera të drejtësisë, mbi sfida specifike pune për rritjen e koordinimit e komunikimit institucional, të mbështetura nga EU4Justice.

Ky program i Bashkimit Evropian ka asistuar ILD-në edhe në diskutim e hartim dokumentesh pune, bazuar në modele e praktikat më të mira evropiane, e deri tek botimi më i fundit historik mbi inspektimin gjyqësor, me sfidat dhe arritjet e këtij procesi në 113 vite të shtetit shqiptar, janë mjete që ndihmojnë veprimtarinë, por edhe shënjojnë memorien jo vetëm të institucionit, por edhe të çdo profesionisti të së drejtës në punën e vet.

Në këtë frymë, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mbetet e interesuar që kjo asistencë të vijojë.

Në këndvështrimin tonë, kjo është e rëndësishme:

Së pari për tejkalimin e sfidave, që sistemi i drejtësisë ka ende përpara,

së dyti, për konsolidimin e arritjeve të deritanishme,

së treti për shndërrimin e çdo praktike të mirë në standard të qëndrueshëm, që do i shërbejë forcimit të besimit të qytetarëve tek drejtësia e institucionet,

e së katërti, jo më pak e rëndësishmja, për ndikimin e fortë që do të ketë efikasiteti i institucioneve të drejtësisë në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Dhënia e drejtësisë në kohë, në mënyrë efektive, transparente e me cilësi, mbetet një proces sfidues sot edhe për vetë vende të Bashkimit Evropian. Pra edhe në rastin e Shqipërisë kërkon kohën e vet, kërkon përkushtim nga çdo institucion e aktor publik, e padyshim edhe partnerë mbështetës, si Bashkimi Evropian.

Ju faleminderit për vëmendjen!