Njësia e Inspektorëve dhe Njësia e Ndihmës inspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë morën pjesë në trajnimin dy ditor mbi metodat e reflektimit profesional dhe dilemave etike, organizuar nga Qendra Holandeze e Trajnimit dhe Studimit për Gjyqësorin (SSR) me dy ekspertet e qendrës, znj. Anne Tahapary dhe znj. Floor Boekhorst.
Trajnimi është pjesë e praktikës së ILD-së për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe tema e reflektimit profesional dhe e dilemave etike janë përbërës me rëndësi për inspektimin dhe procesin disiplinor të magjistratëve, tha mes të tjerash në nisje të trajnimit Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani, duke falenderuar ambasadën dhe qeverinë holandeze për bashkëpunimin e hershëm me Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. “Metodat e reflektimit profesional dhe analiza e dilemave etike e transformojnë punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, jo thjesht në aspektin e ngushtë ndëshkues disiplinor, por në një proces konstruktiv, edukues dhe parandalues, duke siguruar pavarësinë gjyqësore, forcuar besimin e publikut dhe nxitur drejtësi të paanshme dhe me cilësi të lartë. Qëllimi është të krijohet një kulturë e lartë etike dhe profesionale në sistemin e drejtësisë, ku ndjenja e llogaridhënies të jetë pjesë e vetëdijes së magjistratëve dhe jo një faktor i jashtëm.”, vërejti z. Metani.
Në fjalën e saj përshëndetëse, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, znj. Asli Cetinel tha mes të tjerash se “Me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës, përmes projektit MATRA ‘Forcimi i Integritetit Gjyqësor në Shqipëri’, i zbatuar nga Qendra Holandeze për Trajnim dhe Studim të Gjyqësorit (SSR), ky aktivitet trajnon inspektorët dhe ndihmës-inspektorët në çështje të etikës, reflektimit profesional dhe synon të kontribuojë në përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e kapaciteteve institucionale.”
Trajnimi nisi me paraqitjen e kornizës teorike mbi standardet ekzistuese ndërkombëtare dhe ligjore dhe vijoi me hyrje në metodat e refkeltimit professional dhe dilemat etike, ku inspektorët dhe ndihmës inspektorët u njohën me një sërë metodash, që mund të përdoren për të diskutuar çështje etike, dilema profesionale dhe personale që mund të ndodhin në një mjedis pune.
Pjesa praktike e trajnimit vijoi me ushtrime konkrete mbi dilema morale, intervista, konsultim me kolegë etj.
