ILD ZHVILLOI NJË VIZITË PUNE NË LONDËR

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani ishte për një vizitë pune në Londër, ku zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, institucioneve të tjera publike dhe me një komunitet profesionistësh britaniko-shqiptarë. Vizita kishte si qëllim ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve profesionale mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e Drejtësisë, përmes shkëmbimit të ideve dhe praktikave më të mira të punës, në funksion të rritjes së efikasitetit dhe cilësisë së sistemit të Drejtësisë në Shqipëri.

Me ftesë të Shoqatës së Juristëve Britaniko-Shqiptarë (BALA) në Londër, z. Metani mori pjesë në eventin e organizuar në formë bashkëbisedimi me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, nën kujdesin e kryetares së BALA-s, znj. Brikena Muharremi dhe Ambasadorit të Shqipërisë në Londër, z. Uran Ferizi. Në fillim, z. Metani bëri një paraqitje të rolit dhe funksioneve të institucionit që drejton, si dhe të punës së kryer gjatë këtyre gjashtë viteve të para të detyrës.

Më tej, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, iu përgjigj interesit të lartë të pjesëmarrësve, duke trajtuar çështje, që nga aspektet konkrete të punës së institucionit, si trajtimi i ankesave, hetimi dhe procedimi disiplinor i gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo inspektimet në gjykata e prokurori, e deri tek interesimi mbi dinamika aktuale të sistemit të drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve.

Bazuar në interesin e lartë të studentëve të drejtësisë dhe juristëve të rinj, z. Metani shpalli vullnetin për t’i mirëpritur pranë ILD-së në Tiranë, si në programe intershipi profesional, ashtu edhe në mundësi punësimi.

Gjatë kësaj vizite pune, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u mikprit në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar nga gjyqtarja e lartë Dame Vivien Rose (Lady Rose) dhe ish-gjyqtari Sir Stephen John Irwin, drejtues i Slynn Foundation. Biseda u fokusua tek praktika e punës së Gjykatës së Lartë britanike mbi procesin e hetimit të sjelljes gjyqësore, si dhe modeli shqiptar i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke bashkëndarë ide mbi mundësi bashkëpunimi e shkëmbimeve profesionale. 

Z. Metani dhe delegacioni që e shoqëronte u mikpritën në Parlamentin Britanik nga deputeti Martin Vickers, kryetar i grupit të përbashkët të miqësisë me Shqipërinë dhe Kosovën në parlamentin britanik. Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e Shqipërisë në proceset integruese e reformat institucionale për shtetin e së drejtës, si dhe u nënvizua mbështetja e vazhdueshme e Mbretërisë së Bashkuar dhe vullneti për forcimin e bashkëpunimit dypalësh.

Pjesë e vizitës ishte edhe një takim në Ambasadën e Kosovës në Londër, ku delegacioni i ILD-së u prit nga ambasadori Ilir Kapiti. Praktika e mirë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave mes institucioneve të drejtësisë së Shqipërisë dhe Kosovës ishte në qendër të bashkëbisedimit, në funksion të forcimit të kapaciteteve institucionale të dy vendeve. 

Vizita e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e delegacionit që e shoqëronte, u organizua nga Open Gov Hub Albania.