MBLEDHJA E INSPEKTORËVE ANGAZHOHET PËR ZBATIMIN E METODOLOGJISË SË VERIFIKIMIT TË ASETEVE

Mbledhja e përgjithshme e Inspektorëve diskutoi mbi draft “Metodologjinë e verifikimit aseteve”, hartuar nga ekspertët e projektit EU4Justice.
Nevoja e hartimit të një metodologjie të tillë ka qenë e nxitur nga fazat e proceseve integruese që po kalon vendi ynë, me synim fundor, plotësimin e hapësirave apo mangësive të evidentuara për Kapitullin 23 “ Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.  Ky proces i nisur në vitin 2022, me progresin e arritur me qëndrimin e përbashkët të Bashkimit Evropian (Bruksel 11 tetor 2024), bazuar në Konferencën e Anëtarësimit me Shqipërinë (AD 5/22 CONF-ALB), në bashkëpunim me organet kompetente e udhëheqëse të koordinimit të politikave për këtë proces ka përcaktuar edhe në një sërë dokumentesh strategjikë ndërinstitucionalë të brendshëm, edhe si angazhime politike në kuadër të anëtarësimit, duke kërkuar edhe angazhimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në aspektin e rishikimit të praktikave të brendshme të punës për të integruar standardet e larta të ndjekura nga organet e procesit të rivlerësimit kalimtar.
Për këtë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i është drejtuar për asistencë teknike Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe projektit EU4Justice, me synim përqasjen e metodës së punës me praktikat e mira të punës.
Me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë, ekspertë të ONM dhe Eu4Justice, është finalizuar drafti i metodogjisë së vlerësimit të aseteve, lidhur me të cilën është organizuar edhe një trajnim dy-ditor me pjesëmarrjen e ekspertit të projektit EU4Justice dhe pjesëmarrjen e inspektorëve, ndihmës inspektorëve dhe anëtarëve të Kabinetit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve e shqyrtoi dhe e vlerësoi këtë dokument teknik dhe orientues të pasuruar me shembuj praktikë dhe u angazhua për ta aplikuar këtë metodologji për aq sa është e mundur, gjatë ushtrimit të kompetencave që parashikon legjislacioni në fuqi për veprimtarinë hetimore dhe verifikuese të kritereve ligjore të kandidatëve për inspektorë jo magjistratë në respektim të parashikimeve të nenit 124/1 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe në kuadër të verifikimit përmbushjen e kushteve ligjore të kandidatëve për inspektorë sipas nenit 209 të ligjit nr. 115/2016 “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 536, datë 25.7.2019 “Për krijimin e kushteve për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për verifikimin e plotësimit të kushteve dhe të kritereve ligjore, verifikimin e figurës e të pasurisë së kandidatëve jo magjistratë për pozicionin e inspektorit”.