FJALA E ZV. INSPEKTORES SË LARTË TË DREJTËSISË, ZNJ. ELENA PELUSHI, NË AKTIVITETIN PËR DITËN E DREJTËSISË, NË GJYKATËN E FIERIT

I nderuar z. Kryetar!

Të nderuar magjistratë, profesorë të të drejtës, dhe të ftuar,

Ju faleminderit z. Veizi, për këtë organizim në kremtim të Ditës së Drejtësisë!

Kjo është një ditë simbol për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe si e tillë, kremtimi i saj së bashku me ju, magjistratë, profesorë të të drejtës dhe bashkëpunëtorë me kontribute në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, e bën edhe më domethënëse.

Kujtimi i kësaj dite është në vetvete një reflektim për drejtësinë, si një gur themeli i çdo shoqërie demokratike. Ajo mbështetet në parime themelore si barazia, paanshmëria, transparenca dhe pavarësia. Duke garantuar drejtësinë dhe duke mbrojtur të drejtat e çdo individi, drejtësia kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të ekuilibruar.

Kujtimi i kësaj dite është një reflektim për rrugëtimin e drejtësisë sot dhe nesër në Shqipëri, për raportin që drejtësia ka me shoqërinë dhe institucionet e saj.

Besimi i publikut në sistemin e drejtësisë, sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, është një ideal për t’u ruajtur. Në çështjen Gudmundur Andri Astradsson kundër Islandës[1], Gjykata është shprehur se: “283 …. Gjykata ka theksuar vazhdimisht rolin e veçantë që luan gjyqësori në shoqëri: si garant i drejtësisë, një vlerë themelore në një shtet të qeverisur nga sundimi i ligjit, ai duhet të gëzojë besimin e të gjithëve në mënyrë që të kryejë misionin e tij në mënyrë efektive”.

Misioni i magjistratëve, si mbrojtës të të drejtave individuale dhe lirive themelore, e tejkalon gjykimin e thjeshtë të një mosmarrëveshjeje dhe çdo paragjykim në vendimet e tyre e dobëson këtë mbrojtje, duke minuar besimin e publikut në angazhimin e sistemit gjyqësor për drejtësi.

Në këtë drejtim, ajo që vlerësohet e nevojshme është respekti për vendimet përfundimtare. Ky respekt do të ekzistojë vetëm kur sistemi i drejtësisë të tregojë pavarësi, paanshmëri, vëmendje të mjaftueshme dhe humanizëm, si dhe do të duhet të ketë një reagim në mënyrë efikase, të shpejtë dhe të përshtatshme, të arritshme për të gjithë. Vonesat e pajustifikuara dhe të panevojshme në një procedurë janë në kundërshtim si me idealin, ashtu edhe me shpirtin e drejtësisë.

Roli i ILD-së nuk duhet parë thjesht në dimensionin ndëshkues disiplinor, por në një prizëm më të gjerë edukues dhe parandalues, në funksion të krijimit të një kulture të lartë etike dhe profesionale në pushtetin gjyqësor. Në këtë mënyrë, ky institucion po angazhohet të shndërrohet në një mbështetës të vërtetë të parimeve të shtetit të së drejtës, duke ruajtur ekuilibrin e ndjeshëm mes llogaridhënies dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Pavarësia e magjistratëve nuk është një privilegj i dhënë për përfitimin e tyre personal, por u garantohet atyre, në interes të atyre që kërkojnë drejtësi. Nuk bëhet fjalë për mbrojtjen e tyre (magjistratëve), por për sigurimin e besueshmërisë së sistemit të drejtësisë. Minimi i saj do të dobësonte autoritetin e shtetit dhe do të komprometonte një nga funksionet e saj thelbësore. Pavarësia është e nevojshme për të ruajtur besimin e publikut në paanshmërinë e administrimit të drejtësisë, pasi është kushti thelbësor për respektimin dhe pranimin e vendimeve gjyqësore nga ata që kërkojnë drejtësi.

Ju faleminderit!


[1] 1 dhjetor 2020, nr. 26374/18, GJEDNJ