INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË, TAKIM ME STUDENTË TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS

Në kuadër të 10 Majit, ditës kombëtare të Drejtësisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani mikpriti në institucion një grup studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës me të cilat ndau pikëpamje për reformën në drejtësi, pritshmëritë e publikut, si dhe objektin e veprimtarisë të institucionit që drejton.

I shoqëruar nga këshilltarja magjistrate Arjeta Lika, ndihmësinspektori Julis Zebi, përgjegjësi i sektorit të ndihmës dhe koordinimit të informacionit Elis Kuçi dhe specialistja e marrëdhënieve me publikun Zilije Feçi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani iu përgjigj interesit të studentëve edhe mbi zbatimin e Reformës në Drejtësi. Ai theksoi se 10 vite më pas, mund të konstatohet se Reforma në Drejtësi ka kontribuar në krijimin e një sistemi, ku asnjë pushtet nuk mund të jetë abuzues. Gjithashtu, zoti Metani shtoi, se legjislacioni ka garantuar më shumë pavarësi për magjistratët, por njëkohësisht ka forcuar mekanizmat e kontrollit dhe të llogaridhënies së tyre. “Natyrisht nuk jemi ende aty ku duhet, por kushtetuta dhe ligji sot nuk krijojnë asnjë mundësi, që institucionet në procesin e vendimmarrjes së tyre të kenë ndikim të paligjshëm, politik apo çdo lloj tjetër” – tha z. Metani.

Sipas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ”Kjo pavarësi e garantuar me ligj për çdo gjyqtar e prokuror është një fuqi e madhe për të ndikuar në zhvillimin e shoqërisë e konsolidimin e shtetit të së drejtës, ku dhënia e drejtësisë nuk konsiderohet privilegj apo rastësi, por detyrim dhe e drejtë e çdo individi”. Duke vijuar më tej, z. Metani shtoi se ”pavarësia që i jep Kushtetuta gjyqtarit, në fakt nuk është një pavarësi që i jepet atij, por si përfitim për qytetarie të drejtën që i takon”.

Në përgjigje të interesimit për funksionimin e ILD-së, zoti Metani u shpjegoi të rinjve konceptin e ndarjes së pushteteve, pavarësinë e tyre dhe rolin e ILD-së mes tre pushteteve, ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit, ndërsa shtoi se Kushtetuta e ka parashikuar ILD-në, si një mekanizëm për të kontrolluar dhe mbikëqyrur punën e gjyqësorit, sa i takon shkeljeve apo abuzimeve, por pa cenuar pavarësinë e tyre në vendimmarrje.

Zoti Metani vuri në dukje se”vendimmarrjen e një magjistrati e kontrollon vetëm një gjykatë e një shkalle më të lartë. Edhe nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë konstaton shkelje proceduriale, që sjellin pasojë, heton dhe procedon magjistratin. Edhe nëse shkarkohet ai, kjo nuk prek vendimin gjyqësor”.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u ndal edhe tek inspektimet, të cilat moninorojnë fenomene të caktuara në gjykata e prokurori, si zvarritjet në zbardhjen e vendimeve gjyqësore për shembull, duke verifikuar afatet, respektimin apo shkeljen e tyre, e duke përgatitur një raport në përfundim me rekomandimet përkatëse, të cilat nëse janë të karakterit ligjor i dërgohen si propozime Ministrisë së Drejtësisë, e në raste të tjera lihen propozime, që  i dërgohen Këshillit të Lartë Gjyqësor. Për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, gjetja e balancës mes ngarkesës dhe neglizhencës së magjistratëve është një pikë, që nuk kërkon vendimmarrje emocionale, por një analizë të plotë.

Në fund të fjalës së tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ftoi studentët të bëhen pjesë në intershipe, për të parë nga afër punën që bëhet në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Interesimi i studentëve vijoi mbi llojet e shkeljeve të magjistratëve, afatet e trajtimit të ankesave dhe arsyet e arkivimit të tyre, si dhe mbi vendimmarrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Gjithashtu u trajtua çështja e mënyrës së fillimit të hetimit nga ILD, nëse ai nis vetëm mbi bazën e një ankese apo edhe me iniciativë. Për këto pyetje u dhanë përgjigje nga magjistratja Arjeta Lika dhe ndihmësinspektori Julis Zebi.