Faleminderit Zoti Xhafaj për fjalën,
Kuvendi i Shqipërisë ka adresuar 8 rekomandime për vitin 2025 të cilat lidhen me forcimin e efetikvitetit të inspektimeve, monitorimin e zbatimit të rekomandimeve, bashkëpunimin ndërinstitucional, dixhitalizimin e proceseve, analizë të ankesave të qytetarëve, komunikimin publik dhe vlerësimin publik të ndikimit të veprimtarisë inspektuese. Në vlerësim të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të 8 rekomandimet janë të plotësuara. Kisha përgatitur diçka më të përgjithshme, por meqë u adresuan specifikisht të paplotësuara, do të doja t’i merrja edhe unë specifikisht
Rekomandimi 1. Hartimi i një formati periodik raportimi për zbatimin e rekomandimeve të inspektimeve, me tregues të matshëm.
Është përmbushur plotësisht sipas ILD, sepse ka miratuar urdhrin përkatës që përmban rregulla dhe procedura për raportimin e zbatimit të rekomandimeve me tregues sasiorë dhe cilësorë, në funksion të garantimit të efektivitetit të inspektimeve.
Rekomandimi 2. Përfshirja e inspektimeve vijuese si pjesë e planifikimit vjetor të inspektimeve dhe parashikimin e burimeve përkatëse për realizimin e tyre. Edhe kjo është e përmbushur sipas edhe relatorit, por edhe sipas ILD
Rekomandimi 3. Inicimi i një protokolli bashkëpunimi ndërinstitucional me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë KLGJ, KLP dhe Prokurorinë e Përgjithshme, për të mundësuar akses në sistemet elektronike të gjykatave dhe prokurorive.
Në zbatim të rekomandimit, ILD ka vijuar bashkëpunimin e rregullt me dy Këshillat dhe Prokurorinë e Përgjithshme, duke ofruar të dhëna, sqarime, si dhe përfaqësim në grupet e punës për zhvillimin e sistemeve të reja informatike. Në kuadër të projektit EU4Digital Justice (EU4DJ) janë zhvilluar takime me UNOPS dhe Prokurorinë e Përgjithshme për identifikimin e nevojave të ILD-së lidhur me aksesin e inspektorëve në sistemin e ri të menaxhimit të çështjeve. ILD ka qenë proaktive, si në përcjelljen e kërkesave për të dhëna, ashtu edhe në pjesëmarrjen në diskutimet për zgjidhjet teknike të aksesit në sistem. Me ftesë të KLGJ-së, përfaqësuesit e ILD-së kanë marrë pjesë në të gjitha takimet teknike për përcaktimin e nevojave të institucionit për qasje në sistemet e gjykatave dhe prokurorive. Aktualisht zhvillimi i sistemit elektronik apo sistemeve elektronike është ende në proces dhe arkitektura teknike përfundimtare nuk është e konsoliduar. Në këtë kuadër hartimi i një protokolli formal, nuk do kishte asnjë efekt të shtuar për sa kohë që është garantuar angazhimi i ILD, për paraqitjen e nevojave dhe njëkohësisht edhe aksesi i ILD në sistemet ekzistuese të gjykatave, ARKID dhe ICMIS ku të gjithë inspektorët dhe ndimësinspektorët kanë akses të plotë në përputhje me parashikimet ligjore duke siguruar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, transparencës dhe sigurisë së informacionit.
Rekomandimi 4. Të zhvillohen konsultime me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, me qëllim identifikimin e problematikave në sistemin e drejtësisë dhe adresimin e tyre përmes inspektimeve tematike.
Në funksion të zbatimit të këtij rekomandimi, ILD i është drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë me shkresën nr. 3286 prot., datë 14.11.2025, duke kërkuar propozime për tematika inspektimi për vitin 2026, në përputhje me praktikën e ndjekur edhe ndaj institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë. Deri në momentin e raportimit nuk është marrë përgjigje dhe nuk janë paraqitur propozime apo problematika konkrete nga ana e këtij institucioni. Në këto kushte, sa i takon ILD-së, rekomandimi konsiderohet i përmbushur, jo vetëm për këtë shkak, por edhe sepse në vijimësi të gjitha ankesat që vijnë nga qytetarë që përfaqësuhen me avokat janë adresuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, jo vetëm individualisht, por edhe në hartimin e tematikave të inspektimeve institucional apo tematik të veçantë. Gjithashtu kur ka pasur adresime institucionale ndaj ILD siç ka qenë rasti i dhomës së avokatisë shkodër apo dhomës së avokatisë sarandë, ILD i është përgjigjur mne masa konkrete. Në rastin e kërkesave konkrete të Dhomës së Avokatisë Shkodër magjistrati për të cilën më parë kishte ankesë u procedua disiplinarisht, ndërsa në rastin e Sarandës kërkesat e paraqitura nga Dhoma e Avokatisë Sarandë ju nënshtruan inspektimit tematik i cili po vijon. Kështuqë në këtë pikë mendoj që raporti i ILD me dhomën kombëtare të Avokatisë ka qenë mëse korrekt, institucional dhe në respekt të dinjitetit Kushtetues që ka institucioni.
Rekomandimi 5. Të merren masa për krijimin e një sistemi për menaxhimin e çështjeve të ILD-së, me qëllim që të digjitalizohen proceset e shqyrtimit të ankesave, verifikimit dhe hetimit, për të përmirësuar eficiencën, reduktuar vonesat dhe ndihmuar ndjekjen në kohë reale të ankesave. E zbatuar, edhe sipas relatorit.
Rekomandimi 6. Të hartohen raporte periodike analitike mbi tematikat e ankesave të qytetarëve, me qëllim identifikimin e prirjeve kryesore të problematikave.
Plani i inspektimeve tematike për vitin 2025, i miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme të Inspektorëve reflekton fenomenet e evidentuara gjatë shqyrtimit të ankesave të qytetarëve, personave juridikë dhe institucioneve të parashikuara në nenin 194, pika 2 të ligjit nr. 115/2016, ku vendin kryesor e zënë pretendimet lidhur me zvarritjen e gjykimeve dhe vonesat në zbardhjen e vendimeve nga magjistratët. Në funksion të formalizimit të këtij procesi dhe në zbatim të rekomandimit të Kuvendit, është miratuar Urdhri nr. 148, datë 31.12.2025, i cili përcakton të dhënat që duhet të përmbajnë raportet analitike mbi tematikën e ankesave, si dhe periodicitetin e hartimit të tyre. Pra rekomandimi është përmbushur.
Rekomandimi 7. Të zgjerohet dhe forcohet veprimtaria ndërgjegjësuese e komunikimit institucional përmes fushatave tematike dhe përmbajtjeve edukative të përshtatura me publikun e gjerë, duke synuar rritjen e njohjes së të drejtave të qytetarëve dhe rolit të ILD-së, duke përmirësuar ndërveprimin qytetar-institucion dhe duke rritur besimin tek mekanizmat e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë.
Në kuadër të këtij rekomandimi është hartuar programi i edukimit ligjor, informimit dhe sensibilizimit të qytetarëve për vitin 2026–2027, i cili përmbledh detyrimet e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, i miratuar në janar 2026, duke u shtrirë në një periudhë3-vjeçare. Pas miratimit të rezolutës për vitin 2025 janë zhvilluar disa aktivitete kryesore, përfshirë organizimin nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë të një aktiviteti mbi inspektimin disiplinor në Shqipëri, prezantimin e botimit “Historik i përgjithshëm i procesit disiplinor”. Gjithashtu janë zhvilluar takime me nxënës të gjimnazesh në Tiranë dhe me pjesëmarrës të Akademisë së Integrimit Evropian dhe Negociatave (AIEN) mbi modulin “Shteti i së Drejtës”. Janë bërë takime edhe në shkolla 9-vjeçare në Përmet. Në vijimsi takimet e ILD me publikun apo bërthama të organizuara të shoqërisë, siç janë shkollat jashtë Tiranës kanë qenë intensive. Për ne rekomandimi është i përmbushur. Për të mos folur pastaj për faqen zyrtare të institucionit që është plot me informacion dhe është një nga faqet më transparente sa i takon aktivitetit dhe veprimtarisë së ILD.
Rekomandimi 8. Të përgatitet deri në dhjetor 2025 analiza, që edhe relatori ra dakord që është përmbushur.
Në lidhje me rekomandimet e propozuara për vitin 2026, natyrisht ne s’patëm kohë as t’i shikojmë. Unë kam parë, ose mbledhja e përgjithshme e inspektorëve ka parë rekomandimet e propozuara nga Komisioni i Ligjeve me të cilat kemi rënë dakord. Në lidhje me propozimet që vijnë nga ky Komision, kemi nevojë t’i shohim edhe një herë në mbledhjen e përgjithshme të inspektorëve dhe t’iu përgjigjur padyshim me shkrim, edhe shpejt. Dy-tre gjëra që arrita të fiksoj, një nga gjërat është kalendar për punësimin e inspektorëve. Tani unë e kuptoj që padyshim që çështja e inspektorëve është çështje themelore, sepse pa inspektor nuk ka si të bëhen edhe 15 rekomandimet e tjera, por çështja është se sa i takon ILD, ne kemi marr çdo masë që proceset e konkurrimeve për inspektor, si për ata magjistrat sipër ata jo-magjistrat të jenë në afate kohore të ngushta. Këshillat shpallin gati, çdo ndoshta dy herë në vit, shpallen për gjyqtarë dhe prokurorë dhe nuk ka asnjë aplikim. Në këtë pikë çfarë kalendarësh mund të propozoj unë, për shembull. Një gjë tjetër që fiksova, rritja e cilësisë së përgjigjeve të mos jenë formale, edhe qytetarëve t’i përgjigjem për çdo pretendim. Nuk e di pse ka dalë ky shqetësim, se ky shqetësim nuk ka ardhur tek ILD, do të doja një gjë më konkrete, sepse një nga gjërat që na kritikojnë në fakt partnerët ndërkombëtar kur na monitorojnë punën është që përgjigjet dhe hetimet disiplinore janë të gjata. Pra gjëra të tilla ndoshta ka nevojë që ndoshta edhe ne t’i shohim me kujdes. Prandaj po them që kam nevojë t’i diskutoj edhe me inspektorët në mbledhjen e përgjithshme të tyre, rekomandimet që ju keni propozuar në përputhje me atë që padyshim ju mendoni që duhet bërë. Për atë që padyshim mund të bëhet brenda 6 muajsht që kanë ngelur deri në fund të vitit. Padyshim brenda kompetencave që ne kemi dhe problematikave që ne hasim çdo ditë.
Këto kisha për këto dy materiale kryetar.
