8 shkurt 2020
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani paraqiti sot misionin e institucionit që drejton, një institucion i ri kushtetues, tërësisht i pavarur, që ka për objekt të veprimtarisë së tij verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i ndërgjegjshëm për volumin dhe problematikën e lartë të punës, po aq sa edhe pritshmëritë për këtë institucion, por ka gjithë vullnetin të përballet me shkeljet e ligjit, që diskreditojnë figurën e gjyqtarit e prokurorit, që cenojnë dhënien e drejtësisë dhe ushtrimin e profesionit në përputhje me ligjin”, tha z. Metani në një konferencë për shtyp.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha se si institucion i pavarur, ndan shqetësimin publik të kohëve të fundit, për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht dhe se prioritet në fillimin e inspektimit do të jetë pikërisht ky fenomen. Në vazhdimësi, “në varësi të ecurisë së plotësimit të institucionit me organikën e nevojshme, nënvizoi z. Metani, veprimtaria e I.L.D do të shtrihet në tërësi, edhe në zbatim të të gjitha funksioneve kushtetuese e ligjore të këtij institucioni.”
Në faqen zyrtare të institucionit, www.ild.al, janë shpallur sot 6 vende për inspektorë (jo magjistratë), të cilët do të rekrutohen nga radhët e juristëve me përvojë pune në profesion mbi 15 vjet, si dhe 5 vende për ndihmës inspektorë. Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë në proces të shpalljes së kërkesave për 6 vende për inspektorë magjistratë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani u bëri thirrje juristëve me përvojë, si dhe magjistratëve, të cilët kanë vullnetin dhe dëshirën për të kontribuar me përvojën e tyre në funksionet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që të aplikojnë për vendet e shpallura sot, e të tjera që do shpallen në të ardhmen.