ANKETA E ILD-SË, NJË KANAL I VAZHDUESHËM KOMUNIKIMI ME QYTETARËT

Prej më shumë se katër vitesh, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) vijon të mbajë të hapur një kanal i vazhdueshëm komunikimi me qytetarët, përmes anketës mbi veprimtarinë e institucionit, si një mundësi konkrete për qytetarët që të kontribuojnë në monitorimin e punës së institucionit, përmes përcjelljes së mendimeve, vlerësimeve dhe sugjerimeve të tyre.

Anketa është anonime dhe plotësohet në vetëm 3 minuta. Ajo u mundëson qytetarëve të shprehen lirisht mbi njohuritë për rolin dhe funksionet e ILD-së, cilësinë e komunikimit me institucionin, administrimin dhe trajtimin e ankesave, si dhe vlerësimin e përgjithshëm për veprimtarinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Anketa është e hapur për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse kanë pasur apo jo kontakt të drejtpërdrejtë me institucionin.

Për periudhën Janar – Korrik 2026, janë plotësuar gjithsej 44 anketa, nga të cilat 37 online, përmes faqes zyrtare www.ild.al dhe 7 në formë fizike, pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Vlerësimet e mbledhura evidentojnë aspekte pozitive, ndër të cilat informimi përmes faqes zyrtare të internetit dhe lehtësia e orientimit dhe e paraqitjes së ankesave, si në rrugë elektronike, ashtu edhe fizikisht. Njëkohësisht, qytetarët kanë sugjeruar përmirësimin e shpejtësisë së trajtimit të ankesave, si pjesë e cilësisë së shërbimit të institucionit.

Anketa shërben si instrument për mbledhjen e opinionit qytetar që prej majit 2022 dhe përditësohet herë pas here me pyetjet që adresohen, sipas nevojave të konstatuara nga qytetarët, por edhe si reflektim i rritjes së ndërgjegjësimit të tyre mbi rolin dhe funksionet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

ILD vlerëson çdo mendim, sugjerim dhe kritikë të përcjellë nga qytetarët, duke i konsideruar ato një kontribut të rëndësishëm për identifikimin e nevojave dhe përmirësimin e vazhdueshëm të veprimtarisë institucionale.