KLP PRANON PJESËRISHT KËRKESËN E ILD PËR PROCEDIM DISIPLINOR NDAJ PROKURORES A.P.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka pranuar pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke vendosur ndaj magjistrates A.P., në kohën e konstatimit të shkeljes, prokurore pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, uljen e përkohshme të pagës me 10% për gjashtë muaj, në vend të masës së propozuar nga ILD prej deri në 40% për një periudhë deri në një vit.

Hetimi disiplinor ndaj prokurores A.P., nisi pas një ankese të Avokatit të Popullit për mënyrën e përllogaritjes së kohës së vuajtjes së dënimit të një personi të dënuar. Gjatë hetimit disiplinor, ILD konstatoi se prokurorja kishte neglizhuar në mënyrë të përsëritur detyrimet ligjore për ekzekutimin e vendimeve penale dhe bashkimin e dënimeve, duke mos marrë në konsideratë edhe periudhën e paraburgimit të vuajtur nga i dënuari në Greqi. Si pasojë e këtyre veprimeve dhe mosveprimeve, personi kishte qëndruar në burg përtej afatit kur dënimi duhej të kishte përfunduar.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë e cilësoi sjelljen e prokurores A.P., si shkelje të rëndë disiplinore, duke vlerësuar se neglizhenca kishte cenuar drejtpërdrejt të drejtën themelore të lirisë personale, e akoma më tej, duke rrezikuar të passjellë një efekt më të gjerë sistemik, pasi mosrespektimi i detyrimeve ligjore në lidhje me kontrollin dhe përllogaritjen e ekzekutimit të dënimeve mund të përsëritet në raste të ngjashme dhe të sjellë pasoja të drejtpërdrejta në të drejtën e lirisë personale të personave të dënuar. KLP pranoi kërkesën e ILD, por caktoi një masë ndryshe disiplinore ndaj prokurores A.P., atë të “Uljes së pagës prej 10 %, për një periudhë 6 mujore”, masë më e lehtë se propozimi i ILD-së.