INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË NIS BASHKËPUNIMIN ME INSPEKTORATIN E PËRGJITHSHEM TË DREJTËSISË SË FRANCËS

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani zhvilloi një takim pune online me Inspektoratin e Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës mbi nisjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Z. Metani falenderoi Komisionin Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë, CEPEJ për organizimin e takimit, si pjesë e bashkëpunimit të nisur tashmë me ILD-në.

Shefi i Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës z. Jean-François Beynel shprehu kënaqësinë për vendosjen e kontakteve dhe bashkëpunimin e ardhshëm e konkret me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë.

Duke falenderuar homologun francez z. Beynel dhe ekipin e tij për vullnetin e shprehur për këtë bashkëpunim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Metani shprehu kënaqësinë, që institucioni i parë homolog evropian, me të cilin ILD do ketë bashkëpunim do jetë ai i Francës, për të shkëmbyer përvoja konkrete në drejtim të fuqizimit të kapaciteteve për standardet më të mira të drejtësisë për qytetarët.

Pas prezantimeve të punës dhe funksioneve të dy institucioneve, Inspektoriati i Përgjithshëm i Drejtësisë së Francës mirëpriti kërkesën e ILD-së për t’u bërë pjesë e Rrjetit Evropian për Shërbimet e Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ). Inspektorja znj. Delphine Agoguet bëri një prezantim të Rrjetit, një iniciativë e Francës prej vitit 2017, e që kryesohet prej saj, në përbërje të të cilit janë Inspektoratet e Drejtësisë së vendeve të Bashkimit Evropian, me fokus në zhvillimin e standardeve të përbashkëta për vlerësimin e veprimtarisë dhe funksionimit të sistemeve gjyqësore në Europë.