KLGJ PRANON KËRKESËN E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË PËR PROCEDIM DISIPLINOR NDAJ MAGJISTRATES P.F.

Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masë disiplinore ndaj gjyqtares së Elbasanit, P.F.

Në shpallje të vendimit, kryetarja Naureda Llagami tha se KLGJ vendosi pranimin e kërkesës së ILD-së dhe caktimin ndaj magjistrates të masës disiplinore ulje e pagës në masën 20% për një periudhë prej 6 muajsh.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka finalizuar hetimin disiplinor ndaj magjistrates P.F. me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, bazuar në praktikën e nisur ndaj magjistrates në vitin 2017 nga Inspektoriati i KLD-së (pas publikimit disa fakteve të transmetuara në emisonin investigativ “Stop” të TV Klan, më 31.01.2017) dhe e përcjellë, me kërkesë të ILD-së nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Në përfundim, në analizë të fakteve raporti i hetimit i ILD konkludoi se nga ana e magjistrates subjekt hetimi disiplinor janë ndërmarrë veprime, që përbëjnë një mospërmbushje të rregullt të detyrës, në shkelje të rregullave të solemnitetit, të sjelljes në marrëdhënie me palët në proçes, si dhe komunikimit ex parte të gjyqtares me dy persona, të prezantuar si familjarë të të pandehurit.

Pavarësisht eksperiencës së gjatë të saj në detyrë, gjyqtarja ka cënuar parimin e panshmërisë në gjykim, duke krijuar perceptimin e një zgjidhje pozitive për çështjen dhe jo për zgjidhjen e drejtë të saj.

Si pasojë e veprimeve të kryera nga ana e magjistrates është cënuar prestigji i figurës së gjyqtarit, si dhe është cenuar besimi i publikut të drejtësia. Besimi i publikut dhe respekti për gjyqësorin janë garanci të demokracisë dhe stabilitetit në një shoqëri demokratike.

Në konkluzionet e paraqitura gjatë seancës dëgjimore në KLGJ, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi marrjen e masës disiplinore ulje e përkohshme e pagës në masën 40% për një periudhë 6 mujore.