KLP PRANON KËRKESËN E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË MAGJISTRATIT SH.K.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “shkarkim nga detyra”, për magjistratin SH.K., të prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për shkelje të rënda profesionale, që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit. Hetimi disiplinor ndaj magjistratit SH.K. ka nisur pas një informacioni të Prokurorit të Përgjithshëm për shkelje procedurale gjatë veprimtarisë hetimore, përfaqësimit të ndjekjes penale në gjykim, si dhe për shkelje të normave etike.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbi veprimtarinë hetimore të magjistratit në periudhën 2018-2021 u provua se magjistrati ka sjellje të përsëritur refuzuese në mosmarrjen në dorëzim të dosjeve; ka mospjesëmarrje të përsëritur në seanca gjyqësore; ka kryer përfundim të çështjeve me vendim si prokuror, pa proceduar me kalimin e tyre me kërkesë në gjykatë dhe mosnxjerrje të urdhërave për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të dënimit me burgim.

Hetimi disiplinor i ILD provoi se nga ana e magjistratit SH.K., ka patur shkelje të përsëritur dhe të rëndë të rregullave të solemnitetit, rregullave të mirësjelljes në marrëdhëniet me palët, me drejtuesit e prokurorisë, me gjyqtarët, me oficerë të policisë gjyqësore, si dhe me personelin e adminstratës së prokurorisë dhe të gjykatës.

Sjelljet e magjistratit SH.K. kanë sjellë shkelje të rënda profesionale, diskretitim të pozitës dhe figurës së prokurorit, si dhe kanë cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Për pasojë Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi nga KLP shkarkimin nga detyra, të prokurorit SH.K. për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 148/d pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni  102, pika 1 shkronja “b” nënpika “ii”, neni 102 pika 1 shkronja “ç”, “d”, “dh”, “g” dhe neni 102 pika 2 shkronja “a” dhe “dh” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.