Në kuadër të hetimit shtesë disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka pranuar kërkesën e magjistrates E.K. me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për arritjen e një marrëveshjeje, (bazuar në nenin 135, paragrafët 1- 4 të ligjit nr. 96/2016), duke pranuar shkeljen disiplinore në këmbim të një mase disiplinore më të butë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor në seancën e sotme pranoi marrëveshjen mes palëve dhe masën disiplinore “Pezullim”, ndaj magjistrates, me të drejtën për të marrë pagën minimale për një periudhë kohore për 6 muaj.
Hetimi disiplinor ndaj magjistrates E.K., i realizuar në përputhje me afatin 3 ditor të pezullimit të magjistratit, nisi me iniciativë në Maj 2021 nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë pas publikimit gjerësisht në media e rrjetet sociale, të disa videove, ku magjistratja shfaqej në ambiente pune dhe brenda një automjeti, me lëvizje e sjellje provokuese, shoqëruar me muzikë të papërshtatshme për imazhin e një magjistrati. Më 07.06.2021 KLGJ pranoi kërkesën e ILD për pezullimin e magjistrates E.K. dhe kërkoi hetime shtesë lidhur me propozimin për shkarkim nga detyra për shkelje të rëndë disiplinore.
Në kuadër të vijimit të hetimit disiplinor nga ILD, magjistratja E.K. depozitoi pranë ILD-së, “Kërkesë për arritjen e marrëveshjes”, duke pranuar shkeljen disiplinore në këmbim të një mase disiplinore më të butë.
ILD vendosi të pranojë marrëveshjen bazuar në rrethanat e reja të krijuara, pasi magjistratja ndryshe nga qëndrimi mohues lidhur me shkeljen disiplinore gjatë procedimit fillestar disiplinor ka marrë përsipër peshën e përgjegjësisë morale, ka kërkuar ndjesë, si dhe ka shfaqur pendesë lidhur me aktet e kryera nga ana e saj si dhe ka qenë bashkëpunuese dhe nuk ka qenë pengesë lidhur me vazhdimin e hetimeve, apo vënien në dispozicion të ILD të mjeteve apo informacionit.