KLP NUK PRANON KËRKESËN E ILD PËR PROCEDIM DISIPLINOR NDAJ MAGJISTRATES E.K.

Tiranë, më 17 nëntor 2020

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka rrëzuar në mbledhjen e sotme propozimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor të prokurores E.K., me masën “Vërejtje publike”, për shkeljen e parashikuar në nenin 102, pika 1, shkronja “dh”, të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Hetimi disiplinor ndaj prokurores E.K. ishte nisur nga ILD me iniciativë, mbi bazën e informacionit të bërë publik në media, si dhe pas ankesës së Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe 18 organizatave të shoqërisë civile. Më 21.02.2020 media informonte mbi vetvrasjen në mjediset e Burgut nr.313 të shtetasit Bilbil Hasani, babai i 4 fëmijëve. Ky shtetas ndodhej prej disa muajsh me masën e sigurimit “ arrest në burg” për veprën penale të “ vjedhjes” së një sasie prej 1200 lekë, kishte probleme të shëndetit mendor dhe ishte në pritje të caktimit të seancës paraprake.

Hetimi disiplinor i ILD-së konkludoi se prokurorja E.K. ka kryer shkelje disiplinore për mosveprim profesional, pasi, megjithëse ishte vënë në dijeni për gjendjen e rënduar mendore të Bilbil Hasanit, nuk ndërmori veprime të mëtejshme për verifikimin e gjendjes së tij dhe të përgjegjshmërisë penale. Shkelja është vlerësuar si e kryer nga neglizhenca dhe jo me dashje, duke marrë parasysh edhe ngarkesën e lartë në punë, por edhe përvojën e gjatë profesionale të prokurores. Sipas ILD-së, mosveprimi pengoi verifikimin e gjendjes mendore të Hasanit dhe marrjen e masave të përshtatshme, por nuk rezulton të ketë shkaktuar vdekjen e tij. Shkelja e prokurores vlerësohet se ka cenuar imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut, pasi çështja mori vëmendje të konsiderueshme në median e shkruar dhe vizive.

Duke marrë në konsideratë shkelja është kryer nga neglizhenca, për herë të parë, ngarkesën e lartë të punës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë e vlerëson shkeljen si të lehtë dhe i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike”, ndaj prokurores E.K., e parashikuar nga neni 105 paragrafi 1 shkronja a dhe neni 107 i ligjit nr. 96.2016 “Për Statusin”, për shkeljen disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1, shkronjat “dh”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ky propozim u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.