KLGJ PRANON KËRKESËN E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË PËR SHKARKIMIN NGA DETYRA TË MAGJISTRATES E.H.

Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masën disiplinore shkarkim nga detyra për magjistraten E.H., gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Kryetarja Naureda Llagami njoftoi vendimin, sipas të cilit KLGJ, në mënyrë unanime vendosi shkarkimin nga detyra të magjistrates gjyqtare.

Në seancën e paraqitjes së përfundimeve mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani kishte argumentuar shkeljet disiplinore të magjistrates, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit; veprime që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve (vendimeve) të paarsyetuara.

E.H. është magjistratja e dytë për të cilën KLGJ ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkim nga detyra, për  shkelje të rënda disiplinore lidhur me lirimet para kohe me kusht dhe e treta magjistrate e shkarkuar nga KLGJ pas një hetimi disiplinor të ILD-së.

Prej marrjes së detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndarë shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht, duke përcaktuar si prioritet fillimin e inspektimit të ILD-së, pikërisht për këtë fenomen.

Pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vijon verifikimi për vendimmarrje të ngjashme bazuar në procesin e inspektimit tematik në gjykatat e prokuroritë e vendit.