Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Rrjetit Europian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), ku ILD është pjesë prej një viti, me statusin e vëzhguesit mes institucioneve homologe të vendeve anëtarë të BE-së, konkretisht Inspektorati i Përgjithshëm i Drejtësisë, Francë që ka presidencën e rradhës së RESIJ, Komisioni Hetimor Frankofon pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Belgjikë, Inspektorati pranë Këshillit të Lartë të Gjyqësor, Bullgari, Inspektimi i Përgjithshëm i Drejtësisë i Ministrisë së Drejtësisë, Itali, Shërbimi i Inspektimit pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, Spanjë, Këshilli i Lartë i Magjistraturës, Portugali, Inspektimi Gjyqësor, Rumani.
Në Asamblenë e përgjithshme të RESIJ që u mbajt në Bruksel e u mikprit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë të Belgjikës, anëtarët e rrjetit diskutuan mbi raportin e punës së bërë gjatë vitit 2022 dhe programin për vitin 2023. Ata paraqitën edhe natyrën e tipologjinë e punës së secilit shërbim inspektimi.
Gjatë prezantimit të tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani bëri panoramën krahasimore të të gjitha shërbimeve të rrjetit dhe paraqiti ide mbi fokusin e RESIJ në të ardhmen dhe bashkëpunimin me institucione të Bashkimit Evropian.
“Edhe pse nuk ka një model unik dhe të vetëm, që të zbatohet për të gjitha vendet njësoj, për shkak të formës së organizmit dhe funksionimit, tha z. Metani, në thelb të veprimtarisë së shërbimeve të inspektimit të drejtësisë duhet të qëndrojë respektimi i parimit të ndarjes së pushteteve. Sepse sot pothuajse të gjitha vendet tona përballen me një sfidë të madhe! Si të ndërtojnë një sistem drejtësie eficient dhe të pavarur! Si t’i bëjë magjistratët më të drejtë dhe më të paanshëm, si dhe si të forcojnë integritetin e tyre! Në këtë proces një kontribut të rëndësishëm kemi edhe ne, shërbimet e inspektimit.”
Duke nënvizuar rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit, përmes shkëmbimit të eksperiencave, unifikimit të metodave dhe praktikave më të mira në përputhje me standardet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, krijimit të mekanizmave juridik, administrativ apo dhe praktik të bashkëpunimit, shkëmbimit të të dhënave, apo dhe ndihmës juridike të ndërsjelltë ndërmjet shteteve anëtare, z. Metani tha se nga RESIJ kërkohet një strategji e mirëpërcaktuar me qëllim frymëzimin e dialogut, promovimin e konsultimit, ndërtimin e një konsensusi dhe bashkëpunimi me qëllim angazhimin dhe pjesëmarrjen e aktorëve të ndryshëm, si ato të krijuara nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës, ashtu edhe atyre të Bashkimit Evropian.
“Duke vepruar kështu, të gjithë ne do të kontribuojmë në funksionimin e duhur të organeve të sistemit të drejtësisë dhe në përmirësimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë, duke arritur qëllimin tonë të përbashkët.”, u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë.