INTERVISTA E PLOTË E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË PËR EURONEWS ALBANIA

Gazetari Eni Ferhati: Në shkurt ILD bën 3 vite nga nisja e funksionimit, a mund të themi që ky institucion është i ‘kolauduar’ tashmë ?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Me një shkurt të 2023, bëhen 3 vite nga ngritja e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Dua të ri sjell në vëmendje të publikut, se në 1 shkurt 2020, kur u krijua institucioni, nuk kishte as zyrë dhe me 1 shkurt kishte vetëm një person që punonte, që isha unë, ndërsa sot gati 3 vite më pas, flasim për standarde të tjera të punës. E risolla në vëmendje këtë detaj, për të treguar se nga momenti i zgjedhjes së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndoshta duken shumë 3 vite, por janë pak për jetën dhe ngritjen e një institucioni, në kuptimin e standardeve, në kuptimin e cilësisë së punës, në kuptimin e dinamikës dhe efekteve që duhet të prodhojë një institucion. Pas 3 vitesh jam i bindur, se institucioni e ka krijuar fizionominë e vet, është një institucion që ka filluar të funksionojë, është një mekanizëm që ka filluar të funksionojë dhe qytetarët besoj e njohin, që ankesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve trajtohen nga ky institucion. Po ashtu gjyqtarët dhe prokurorët kanë filluar ta njohin institucionin dhe standardet që po prodhon ky institucion. Edhe për këtë arsye sjellja e gjyqtarëve dhe prokurorëve është më e kujdesshme, në kuptimin e standardeve që duhet të ndjekin për procedurat gjyqësore, që ata kanë për funksion të kryejnë. Këto standarde pune janë të konfirmuara, jo thjesht nga eksperienca e ILD-së, por edhe nga vendimmarrja e Këshillave përkatës, Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për prokurorët, por edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, si struktura finale, që trajton ankimimet e procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në gjitha rastet që u paraqitën pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë konfirmuar 100% praktikat apo procedurat e ndjekura, si nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshillat përkatës, cka provon standardet e krijuara, por që do të thotë padyshim më shumë punë. Gjithsesi për të thënë pas 3 viteve, ku ishim dhe ku jemi, pra ky institucion ka arritur të prodhojë në bashkëpunim me dy Këshillat, standarde që i shërbejnë punës në të ardhmen në pushtetin gjyqësor.

Gazetari Eni Ferhati: Lidhur me trajtimin e ankesave, keni ecur me ezaurimin e atyre të mbartura dhe të reja , duke pasur parasysh shtimin e inspektorëve?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Në 1 Shkurt 2020, stoku i praktikave të mbartura që erdhën nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë, të cilat ishin struktura, që deri në atë moment kishin proceduar apo kishin trajtuar ankesat e qytetarëve për sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë, erdhën pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Rreth 2200 në mos gaboj, ankesa të tilla që vinin nga vitet 2017, 2018, 2019, edhe fillimi i vitit 2020. Problemi i inspektorëve është akoma ekzistent në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për më tepër që kjo Zyrë, unë mendoj që ka nevojë për inspektorë magjistratë gjyqtarë, të cilët e njohin sistemin e drejtësisë më nga brenda dhe mund të prodhojnë analiza më të plota dhe profesionale, për të ndihmuar rritjen e performancës së sistemit gjyqësor. Numri i ankesave në total përveç atyre të mbartura, sot që flasim është mbi 5000 ankesa. Unë e kuptoj padyshim, që Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i ka kaluar afatet që parashikon ligji për trajtimin e ankesave, sidomos për pjesën e të mbarturave sepse po flasim për ankesat që vijnë nga viti 2017, por për të mos ja lënë koincidencës trajtimin e ankesave është miratuar një medotologji, që trajton prioritizimin e trajtimit të ankesave. Që do të thotë, prioritet i janë dhënë ankesave të vjetra, e padyshim ankesave që vijnë tani, duhet të presin kohën e tyre, deri sa të trajtohen ankesat që kanë qenë më parë në këtë institucion, sepse e tillë është radha logjike e punës. Për më tepër është edhe një radhë ligjore sepse afati për të cilin duhet, apo brenda të cilit duhet ta trajtojë ankesën Inspektori i lartë i Drejtësisë është 5 vjet, edhe unë nuk do doja që një ankesë të parashkruhej në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Do doja që çdo qytetar, secili të marrë përgjigjen që i takon sipas ligjit.

Gazetari Eni Ferhati: Meqë jemi tek ankesat, sa i takon afateve dhe mënyrës së ankimit, dhe ILD vihet në lëvizje vetëm me denoncim apo edhe kryesisht?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Po. Atëherë një nga gjërat, që unë mendoj që duhej të ishte bërë më mirë, si nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, por edhe nga institucionet e reja të drejtësisë, që nga momenti që u zgjodhëm, apo kur filloi funksionimi i institucioneve, ishte ndërmarrja e një fushate njohëse të punës së institucionit tek qytetarët. Pra çdo qytetar të kuptonte, se cili ishte funksioni i çdo institucioni të ri që po krijohej, e padyshim edhe afatet e funksionimit të vet. Kjo gjë nuk është bërë për shumë arsye, sepse natyrisht në 1 shkurt të vitit 2020, këtu (në ILD) kishte vetëm një punonjës që punonte, e që duhet të prodhonte standardet e reja të punës, lëri pastaj fushatat njohëse. Megjithatë, gjithsesi ne jemi munduar që ta prekim këtë gjë, duke qenë prezentë, edhe me një faqe shumë të pasur interneti, me informacion të plotë për qytetarët, që duan të konsultojnë rolin e punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Për qytetarët që sjellin ankesë personalisht në institucion, ne gjithmonë kemi një grup njerëzish, që i takojnë dhe i sqarojnë për detyrat dhe funksionet që ne kemi. Unë jam munduar, që nëpërmjet intervistave ta bëj prezent rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe afatet që ai ka. Për të qenë më konkret, ligji parashikon një afat 3 mujor për trajtimin e një ankese, në kuptimin që Inspektori i Lartë i Drejtësisë brenda 3 muajve, duhet t’i japë një përgjigje qytetarit, nëse ankesa do procedohet për më tej, apo do arkivohet. Pastaj ka një afat 6 mujor deri në 9 mujor për hetimin, nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë mendon që kjo ankesë duhet hetuar, edhe pastaj kalon në procedim disiplinor pranë Këshillave përkatës. Për të qenë konkret, afati 3 mujor padyshim për shumë ankesa ka kaluar sepse siç e thashë edhe në pyetjen e mëparshme, ne kemi gjetur stok të madh ankesash të prapambetura, që duhet t’i trajtonim sepse nuk doja, që një ankesë të parashkruhej në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shumë arsye. Ne jemi munduar që t’i japim prioritet ankesave të vjetra, duke u përpjekur, që edhe ankesave të reja t’i japim njëfarë trajtimi, sepse gjithsesi njerëzit kanë të drejtë të marrin një farë trajtimi për ankesën që sjellin. Gjetja e kësaj balance, ndoshta disa njerëz i kënaq, disa njerëzve i krijon pakënaqësi, por ne po mundohemi maksimalisht. I garantoj këdo që çdo ankesë që ata sjellin, do marrë përgjigjen që i takon. Padyshim i kërkoj ndjesë nëse i kalon afati, por këto janë jashtë mundësive tona, janë brenda aq sa mund të bëjmë, brenda mundësive që kemi, brenda këtij institucioni. Jemi përpjekur dhe garantoj çdo qytetar që do marrë përgjigjen, jo vetëm që i takon, por edhe nëse ai qytetar ka ndonjë pretendim ndaj ndonjë gjyqtari të caktuar, të mos mendojë që kjo zyrë, për shkak të afateve të trajtimit të ankesës, mund të ndihmojë një gjyqtar në mënyrë të padrejtë. Çdo qytetar do marrë atë që i takon sipas ligjit dhe çdo magjistrat do marrë, atë që i takon sipas ligjit.

Gazetari Eni Ferhati: Ku është ILD me inspektimet tematike dhe çfarë pritet të prodhojnë përfundimet që do dilni?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Inspektimet tematike unë mendoj që janë puna më themelore e këtij institucioni. Natyrisht pa harruar se trajtimi i ankesave e qytetarëve për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve është padyshim një korpus kryesor për punën që duhet të bëjë ky institucion. Synimi kryesor i këtij institucioni nuk është goditja e çdo magjistrati, apo goditja në mënyrë selektive e magjistratëve. Funksioni kryesor i këtij institucioni është të prodhojë mendim dhe analizë për rritjen e performancës së sistemit gjyqësor. Pra ku i shikon ky institucion defektet e sistemit gjyqësor dhe atij të Prokurorisë dhe si mendon ky institucion ta ndryshojë qoftë edhe nëpërmjet ndryshimeve ligjore, qoftë nëpërmjet ndryshimit të praktikave të Këshillave përkatës, e kështu me radhë. Natyrisht të prodhosh të tilla analiza nuk është një gjë e thjeshtë, sepse kërkon edhe njerëz, mungesa e njerëzve ka bërë që edhe inspektimet tematike të mos jenë të shumta në numër, ne kemi 3. Nga këto dy kanë mbaruar, një është botuar në faqen e internetit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, dhe i është dërguar institucioneve përkatëse, një përfundon sot. Edhe një të tretë që e kemi të rëndësishëm, që është nisur në fakt i pari, që është lirimi parakohe me kusht, i cili për hir të së vërtetës ka prodhuar efekte, sepse janë disa magjistratë që janë shkarkuar edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, shkarkime të cilat janë konfirmuar edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Pra jemi në përfundim të këtij procesi të madh, që besoj për shumë pak javë do mbarojë edhe ky inspektim i tretë. Unë mendoj që institucioni e ka krijuar fizionominë për të prodhuar një mendim juridik për çështjet që shqetësojnë sot sistemin gjyqësor dhe atë të prokurorisë. Padyshim sistemi ka shumë probleme dhe mund të kemi debate dhe mendime të ndryshme, ku duhet filluar një inspektim tematik në këtë çështje apo atë çështje, ne jemi munduar të gjejmë çështjet që janë sistemike, që janë fenomen, që të kenë një efekt në të gjithë sistemin, pra të mos jetë  një problematikë, që ka vetëm një zonë të caktuar apo një çështje të caktuar të kufizuar. Jemi munduar që të gjejmë tema që kanë një efekt në të gjithë sistemin. Viti i ri që vjen, padyshim do sjellë inspektime të reja tematike, të cilat sipas një analize tonën janë në këtë drejtim pra sistemike. Do të bëjmë edhe një konsultë me Këshillat përkatës, me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për të marrë një mendim, sesi e mendojnë ato ndërmarrjen e këtyre inspektimeve të tematike dhe fushat ku do ndërmerren këto inspektime tematike. Edhe hap pas hapi po krijojmë, atë që thamë në fillim, standardet.

Gazetari Eni Ferhati:  Numri i procedimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve a ka ardhur në rritje nga viti në vit dhe nëse po, a mendoni se kanë pasur efikasitet në sistemin e drejtësisë?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Monitorimi është fjalë e pranueshme në kuptimin kushtetues. Monitorimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një çështje interesante për t’u trajtuar, edhe në kuptimin filozofik të fjalës, edhe institucional të fjalës. Që do të thotë, publiku ka interes ta shohë se si funksionon sistemi gjyqësor, të dijë se si po e administrojnë drejtësinë gjyqtarët dhe prokurorët. Eshtë interes demokratik, është interes legjitim, për këtë arsye është krijuar një institucion, siç është Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i cili monitoron në mënyrë kushtetuese, (do e shpjegoj më vonë çfarë do të thotë kjo) punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nga ana tjetër është një parim po aq i rëndësishëm, siç është pavarësia në punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për këtë arsye them monitorim kushtetues. Që do të thotë gjetja e një balance kushtetuese të këtyre dy interesave kushtetues, pra janë të drejta që i parashikon kushtetuta, si pavarësinë e gjyqtarëve ashtu dhe interesin legjitim të publikut, për të parë administrimin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët. Gjetja e kësaj balance nuk është një gjë e thjeshtë, gjetja e kësaj balance nuk është e shkruajtur diku, që po e lexon dhe… gjetja kësaj balance vjen me praktikë,   gjetja kësaj balance vjen edhe me shkëmbime eksperiencash me vende që kanë stadarde më demokratike në trajtimin dhe monitorimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, vjen edhe me kultivimin e së drejtës në shoqëri, e sensit të së drejtës në shoqëri, vjen edhe me kultivimin e demokracisë në shoqëri. Janë të gjitha bashkë, që nesër prodhojnë apo krijojnë mundësinë, që të kemi një sistem gjyqësor dhe prokurorial që prodhon drejtësi reale. Të gjitha këto nuk bëhen me një ditë, të gjitha këto nuk bëhen me një muaj, të gjitha këto janë stadarde që duhet ngritur ngadalë, ngadalë, ngadalë, padyshim që ngritja e stadardeve nuk është një gjë që e jep efektin sot dhe nesër, ngritja e stadardeve bëhet për të ardhmen. Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është, doja ta theksoja këtë, nuk është një mburojë, që ne e përdorim për të mbrojtur punët e pista të gjyqtarëve dhe prokurorëve apo më keq të mbrojmë paaftësinë tonë nëse ka. Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një garanci, që është më shumë për qytetarët. Sa më i pavarur që është një gjyqtar dhe prokuror sot, aq më i mbrojtur është qytetari nesër, që  gjyqtari dhe prokurori të mos ketë frikë as nga pushteti politik, as nga Inspektori i lartë i drejtësisë, nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë do abuzonte me detyrën e tij. Ne do t’i krijojmë gjyqtarëve dhe prokurorëve sot, frymën që puna e tyre është e pavarur, vendimmarrja e tyre është e pavarur, por është e monitorueshme nga pikëpamja kushtetuese. Sot nuk mund të procedohet një gjyqtar, nëse shoqëria apo sistemi politik nuk bie dakord me vendimmarrjen dhe me mënyrën se si e ka zgjidhur çështjen gjyqtari. Për këtë Kushtetuta ka krijuar mekanizma, që thotë nëse nuk je i kënaqur me një vendim gjyqësor do të shkosh në gjykatën e apelit, nëse nuk je i kënaqur me apelin do shkosh në Gjykatën e Lartë. Nëse ka pretendime për shkelje disiplinore të gjyqtarëve, pra për sjellje të gabuar të gjyqtarëve atëherë ka një institucion, siç është Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Këtu dua të theksoj diçka në fakt, edhe e kam bërë thirrje gjithmonë, edhe në intervista publike edhe në njoftimet publike të institucionit, çdo ankesë duhet të paraqitet me shkrim. Pse duhet të paraqitet me shkrim? Jo thjesht se njerëzit duhet të shkruajnë atë që kanë nevojë të shkruajnë për gjyqtarët dhe prokurorët, apo edhe mediat apo institucionet publike, por është e rëndësishme të kuptojmë mekanizmin ligjor, se si funksionon ankesa. Nëse një qytetar sot, një media sot, një institucion publik sot, sjell një ankesë tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe pas vendimmarrjes së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nuk është i kënaqur me vendimmarrjen, atëherë çdokujt i lind e drejta, që këtë vendimmarrje të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ta ankimojë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë apo në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Nga ana tjetër nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka një ankesë me shkrim, por e nis një verifikim në diskrecionin e vet, e mbyll nesër, apo ka një vendimmarrje të caktuar, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë këtë vendimmarrje, nuk ka të drejtë askusht t’ia ankimojë. Unë nuk dua t’i jap këtij institucioni mundësinë, që nesër të jetë i pakontrollueshëm. Unë do të doja që çdo punë që ky institucion bën, çdo vendimmarrje që ky institucion bën, ky staf bën, të jetë i kontrollueshëm ashtu siç e parashikon kushtetuta dhe ligji, për këtë arsye unë këmbëgul dhe insistoj fort, që çdo ankesë të vijë me shkrim. Padyshim që media ka rolin e vet në trajtimin e situatave që kanë rëndësi për publikun, por e rëndësishme për mua, është që ne duhet të funksionojmë në mënyrën si e ka parashikuar kushtetuta dhe ligji sistemin e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gazetari Eni Ferhati: Zoti Metani, kohet e fundit ka pasur zëra, deklarata apo indicie për presione e shantazhe ndaj aktorëve të sistemit të drejtësisë, madje e pohuar nga kreu i SPAK. Si e shikon këtë panoramë kreu i ILD-së dhe a ka pasur raste, që ështe gjendur dhe ky institucion në këtë situate?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Pyetja është interesante në fakt, edhe është e nevojshme për tu diskutuar, jo thjesht për t’u sqaruar sepse kjo është një gjë që nuk sqarohet sepse nuk është gjë që është matematikë, nuk është statistikë, është një gjë që ka të bëjë me filozofinë politike të qeverisjes së vendit, me filozofinë politike të trajtimit të publikes në shoqëri. Sistemi gjyqësor padyshim që ka shumë presione, ka shumë presione edhe në kuptimin e mirë të fjalës. Ka presion publik, që do të thotë të prodhojë sa më shumë drejtësi, të prodhojë drejtësi të paanshme e kështu me radhë. Ka presion qoftë edhe nga politika, që në një moment të caktuar politika përfaqëson interesin publik në Kuvend apo kudo, për ta bërë sistemin gjyqësor më të përgjegjshëm e kështu me radhë. Nga ana tjetër gjetja e balancës midis këtij interesi publik, dhënies zë të këtij interesi publik, edhe mënyrës se si ti i jep zë këtij interesi publik është shumë delikate ta ndash nga presioni, ta ndash nga presioni politik, nga intimidimi që i bëhet punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo nuk është një gjë që shkruhet, nuk është një gjë që thuhet. Kjo është një gjë që dihet. Unë mendoj që sistemi gjyqësor nuk mund të ketë sukses, nëse ne nuk e mbështesim sistemin gjyqësor, nëse ne nuk i krijojmë mjedis demokratik sistemit gjyqësor. Nuk mund të ketë demokraci pa pavarësi të pushtetit gjyqësor dhe nuk mund të ketë pavarësi të sistemit gjyqësor, në qoftë se nuk ka demokraci. Nuk mund të shkojnë të dyja anash dhe larg njëra- tjetrës, të dyja ndihmojnë një proces shumë të rëndësishëm, që është kushtetutshmëria e sjelljes politike në vend. Kjo sa i përket pjesës politike, pra them që duhet kultivuar dhe duhet  promovuar kultura demokratike e trajtimit të punës së sistemit gjyqësor. Çdokush ka të drejtë të komunikojë atë që mendon për punën e sistemit gjyqësor, sa larg kjo apo sa afër është kjo me intimidimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, kjo është një gjë që ka të bëjë me kulturën politike të atyre që e bëjnë  këtë kritikë. Besoj dhe mendoj që duhet të jetë pjesë e debatit politik pikërisht kjo gjë, pra krijimi i një fryme kritike, nëse ka kritika për punën e sistemit gjyqësor, por brenda një standardi të caktuar demokratik, kushtetues, brenda asaj që themi, të ruajtjes së pavarësisë dhe mosintimidimit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Është e rëndësishme të thuhet kjo, sepse ka 5 vite që janë krijuar institucionet e reja të sistemit të drejtësisë dhe po prodhojnë sipas mendimit tim disa rezultate dhe ne duhet ta ushqejmë këtë punë, sepse tek e fundit prandaj e ngritëm këtë sistem të ri, nëse ne çdo ditë dalim dhe kritikojmë, edhe kur themi kritikojmë tej kufijve kushtetues të kritikës, atëherë cili është mesazhi dhe imazhi që japim për këto institucione të reja të drejtësisë, edhe si duam ne të funksionojnë duke i sharë tërë kohës, duke intimiduar gjithë kohën,  padyshim që nuk funksionon kështu, padyshim që nuk mund të ketë sukses kështu. Kjo shkon jo thjesht për pjesën politike, por edhe për pjesën mediatike edhe për pjesën shoqërore, sepse sistemi gjyqësor i përket gjithë shoqërisë, dhe i përket gjithë shoqërisë sot dhe në të ardhmen. Debati duhet bërë në mënyrë të kujdesshme, jo për ruajtjen apo krijimin e disa zgjidhjeve sot, për situata që ne na përplasin me sisteminin gjyqësor. Ne duhet të mendojmë që çdo zgjidhje, çdo kritikë apo çdo propozim që japim për punën e sistemit gjyqësor, duhet ta mendojmë për vitet që vijnë, duhet ta mendojmë si strategji afatgjatë, duhet ta mendojmë në mënyrë parimore. Vetëm kështu do të kemi sukses me reformën dhe sistemin gjyqësor që prodhon drejtësi. Nëse ne mundohemi të zgjidhim situatat e sotme me një zgjidhje të sotme, pa e parë me synim afatgjatë një rast, atëherë ne nuk kemi bërë asgjë, vetëm zgjasim agoninë e zhvillimit tonë.

Gazetari Eni Ferhati: Zoti Metani ju falënderoj shumë për intervistën…

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Faleminderit edhe juve ditë të mbarë.