ZYRA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË FINALIZOI PLANIN STRATEGJIK DHE PLANIN E VEPRIMIT PËR PERIUDHËN 2023 -2025

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë diskutoi në dy sesione pune planin strategjik të institucionit për periudhën 2023-2025 si dhe planin e veprimit për të njëjtën periudhë.

Ky është plani i dytë strategjik që nga ngritja e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. “Prioritetet e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, tashmë kanë kaluar nga faza emergjente e ngritjes së një institucioni nga fillimi, tek konsolidimi i përvojës dhe i standardeve, duke kthyer vështirësitë e hasura deri tani, në objektiva pune “. – u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani, duke përgëzuar grupin e punës për përgatitjen e këtij dokumenti, që do orientojë punën e ILD-së për tre vite.

Dokumenti u prezantua nga drejtuesja e grupit të punës, znj. Eljona Bylykbashi, drejtore e Drejtorisë së Hartimit të Akteve dhe Shërbimeve Juridike, e cila përmendi se plani mbart përvojën e identifikimit të nevojave dhe kombinimin e tyre, sipas një sistemi të planifikimit, koordinimit dhe monitorimit, do të shënojnë një hap cilësor në zbatimin e vendosur.

Plani i ri strategjik përmban një situatë të analizës aktuale të institucionit, vizionin, vlerat e objektivat strategjikë, burimet financiare si dhe monitorimi e raportimi.

Diskutime e sugjerime u bënë nga njësia e Inspektorëve, ajo e ndihmës inspektorëve, kabinetit, si dhe drejtorive të administratës, ndërsa në sesionin e diskutimeve të planit të veprimit fokusi u vendos tek sfidat e reja të konsolidimit të përvojës dhe fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve përmes krijimit të një sistemi të plotë dhe afatgjatë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor; matjes së performancës së magjistratëve, gjyqtarë/prokurorë, lidhur me cilësinë dhe efikasitetin e dhënies së drejtësisë; forcimit të mekanizmave institucionalë për verifikimin e pasurisë dhe integritetit të subjekteve të procedimit disiplinor; zhvillimin e sistemit të teknologjisë së informacionit për menaxhimin e çështjeve dhe përmirësimin në vijimësi të kësaj infrastrukture; rritjes së kapaciteteve të inspektorëve nëpërmjet praktikave të trajnimit dhe inspektimit me homologët evropianë; kryerjes së inspektimeve të vazhdueshme tematike dhe institucionale të planifikuara, në zbatim të metodologjisë dhe standardeve përkatëse si dhe rritjen e transparencës dhe aksesit të publikut në veprimtarinë e ILD-së.

Në këtë aktivitet pune të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë morën pjesë edhe përfaqësues të misionit mbështetës të BE, “EU for Justice”. Eksperti ndërkombëtar z. Álvaro García Pérez-Iraola bëri një paraqitje të ndërthurjes së aktiviteteve të projektit “EU for Justice” me strategjine e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë 2023-2025, me qëllim arritjen e objektivave të përbashkët, rritjen dhe konsolidimin e një institucioni efektiv, të pavarur dhe transparent. “Fushat ku projekti ka fokusuar aktivitetet e ardhshme ndikojnë në aspektin rregullator, organizativ, It, komunikim me publikun dhe rritje kapacitetesh.”, informoi eksperti spanjoll.