
Të nderuar vizitorë të kësaj faqeje!
Në cilësinë e drejtuesit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kam kënaqësinë të ndaj me ju këtë mesazh mbi institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Nga data 01.02.2020 është ngritur dhe funksionon Inspektori i Lartë të Drejtësisë, një institucion i ri kushtetues që është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore, fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.
Duke qenë një institucion i ri, krijimi i një kulture pavarësie, profesionalizmi dhe efektiviteti është sa një detyrim ligjor, aq edhe një sfidë. Në këtë drejtim, vendosja e standardeve mbi mënyrën e verifikimit të ankesave, trajtimit të tyre në një kohë sa më të shpejtë dhe hetimi kryesisht i shkeljeve disiplinore, paraqet një rëndësi të veçantë dhe të menjëhershme.
Paraprakisht vlerësoj se rritja e përgjegjshmërisë së gjyqtarëve e prokurorëve në ushtrimin e detyrës nga njëra anë dhe motivimi i individëve dhe organeve, që ligji u njeh të drejtën e paraqitjes së ankesave, për shkelje të konstatuara nga ana tjetër, janë mjete tejet të rëndësishme për ndryshimin e kulturës së indiferencës, apo pajtimit me sjellje të parregullta, ose në kundërshtim me ligjin. Ky proces duhet të zhvillohet në ekuilibër, midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë, respektimit të të drejtave të individëve, parimit të ligjshmërisë, gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, si dhe atij të ndarjes së pushteteve.
Për arritjen e këtij synimi kërkohet paraprakisht një bashkëpunim dhe angazhim i vazhdueshëm dhe intensiv ndërmjet Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe qytetarëve, institucioneve, medies, apo organizatave të shoqërisë civile, të cilët mund të kontribuojnë në denoncimin e fakteve, apo shkeljeve, të cilat mund të kryhen nga ana e magjistratëve.
Për sa më sipër, ju ftoj të konsultoni faqen zyrtare të institucionit tonë, me dëshirën që ajo të shërbejë si një platformë komunikimi ndërmjet nesh dhe si një mjet i rëndësishëm, i cili do të sigurojë, jo vetëm përmbushjen në mënyrë sa më efikase të misionit të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por edhe respektimin e të drejtave të individëve.
Me respekt
Artur METANI
