Komunikimi publik dhe informimi i qytetarëve mbeten dimensione në përmirësim të vazhdueshëm në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Edukimi ligjor, me synimin për të pasur një qytetar të informuar mbi misionin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Zyrës së ILD-së, vijon të jetë në fokus të punës së institucionit.
Përveç informacionit të publikuar në faqen e internetit dhe thjeshtimit të mënyrës së paraqitjes së një ankese, me mbështetjen e OSBE-së është përgatitur edhe një video e shkurtër shpjeguese (kliko për videon) mbi mënyrën se si bëhet një ankesë pranë ILD-së.
Videoja që gjendet në faqen e ILD-së shpjegon 5 gjëra që duhet të ketë parasysh çdo person, që nuk është i kënaqur me sjelljen e një gjyqtari apo prokurori:
- Ankesa duhet të jetë me shkrim
Mund të paraqitet online, me email, me postë ose personalisht pranë ILD. - Duhet të shpjegohet qartë çfarë ka ndodhur
Duhen përshkruar faktet, rrethanat dhe identifikuar gjyqtari ose prokurori. - Shkelja duhet të jetë brenda afatit ligjor
Ajo duhet të ketë ndodhur brenda 5 viteve nga paraqitja e ankesës. - ILD mund të hetojë shkeljet disiplinore
Nëse ka dyshime të arsyeshme për shkelje, mund të nisë hetim disiplinor. - ILD nuk ndryshon vendimet gjyqësore
Ankesa në ILD nuk është një mënyrë për të ndryshuar një vendim gjykate apo për të marrë një vendim më të favorshëm.
Kini kujdes:
- Mos e ngatërroni ankimin disiplinor me ankimin ndaj vendimit gjyqësor. Janë dy procedura të ndryshme.
- Nëse nuk jeni dakord me vendimin e ILD-së, mund ta ankoni në KLGJ ose KLP brenda një jave nga marrja e vendimit.
