INFORMIMI ËSHTË HAPI I PARË PËR TË MBROJTUR TË DREJTAT E SECILIT

Komunikimi publik dhe informimi i qytetarëve mbeten dimensione në përmirësim të vazhdueshëm në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Edukimi ligjor, me synimin për të pasur një qytetar të informuar mbi misionin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Zyrës së ILD-së, vijon të jetë në fokus të punës së institucionit.

Përveç informacionit të publikuar në faqen e internetit dhe thjeshtimit të mënyrës së paraqitjes së një ankese, me mbështetjen e OSBE-së është përgatitur edhe një video e shkurtër shpjeguese (kliko për videon) mbi mënyrën se si bëhet një ankesë pranë ILD-së.

Videoja që gjendet në faqen e ILD-së shpjegon 5 gjëra që duhet të ketë parasysh çdo person, që nuk është i kënaqur me sjelljen e një gjyqtari apo prokurori:

  1. Ankesa duhet të jetë me shkrim
    Mund të paraqitet online, me email, me postë ose personalisht pranë ILD.
  2. Duhet të shpjegohet qartë çfarë ka ndodhur
    Duhen përshkruar faktet, rrethanat dhe identifikuar gjyqtari ose prokurori.
  3. Shkelja duhet të jetë brenda afatit ligjor
    Ajo duhet të ketë ndodhur brenda 5 viteve nga paraqitja e ankesës.
  4. ILD mund të hetojë shkeljet disiplinore
    Nëse ka dyshime të arsyeshme për shkelje, mund të nisë hetim disiplinor.
  5. ILD nuk ndryshon vendimet gjyqësore
    Ankesa në ILD nuk është një mënyrë për të ndryshuar një vendim gjykate apo për të marrë një vendim më të favorshëm.

Kini kujdes: 

  • Mos e ngatërroni ankimin disiplinor me ankimin ndaj vendimit gjyqësor. Janë dy procedura të ndryshme.
  • Nëse nuk jeni dakord me vendimin e ILD-së, mund ta ankoni në KLGJ ose KLP brenda një jave nga marrja e vendimit.