PËR NJË QASJE MË TË LEHTË NË INFORMACIONIN MBI VEPRIMTARINË E ILD

Në funksion të angazhimit për një institucion transparent, të përgjegjshëm dhe të aksesueshëm për publikun, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka shtuar në faqen zyrtare të internetit, një seksion të dedikuar për procedimet disiplinore, të kryera që prej nisjes së funksionimit të institucionit, duke e bërë informacionin më të aksesueshëm, të strukturuar dhe më të lehtë për t’u konsultuar nga publiku.

Informacioni mbi procedimet disiplinore ka qenë i publikuar edhe më parë në seksionin e njoftimeve për media, sipas datës së procedimit. Tashmë këto të dhëna janë grupuar në një hapësirë të posaçme, e cila i mundëson publikut një akses më të drejtpërdrejtë dhe të organizuar në informacionin përkatës. (Kliko këtu)

Për çdo magjistrat të proceduar, në këtë seksion mund të konsultohen Nota informuese mbi rastin, si dhe vendimi i dhënë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi procedimet disiplinore dhe përfundimin e tyre.

Ky seksion i ri i dedikuar procedimeve disiplinore i shtohet seksionit tjetër, atij për inspektimet tematike dhe institucionale. (Kliko këtu) 

Të dyja këto hapësira ofrojnë një panoramë më të plotë të veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë funksionimit të institucionit dhe janë pjesë e angazhimit institucional të ILD-së për forcimin e integritetit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë, pjesë e dimensionit të edukimit ligjor dhe informimit publik me veprimtarinë e institucionit dhe ushtrimin e përgjegjësive të tij ligjore.

Informacioni është i disponueshëm edhe në versionin në gjuhën angleze të faqes zyrtare të internetit të ILD-së.