EURALIUS V VLERËSON INSPEKTORIN E LARTË TË DREJTËSISË

Bashkëpunimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me misionin EURALIUS V u evidentua përmes një ceremonie të përbashkët vlerësimi për anëtarë të stafeve respektive.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani vlerësoi ndihmesën e vyer të misionit EURALIUS ndër vite në vendin tonë për konsolidimin e sistemit të drejtësisë. “Eshtë një nga misionet e Bashkimit Evropian më produktive dhe më mbështetëse të zhvillimeve institucionale në Shqipëri.” u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Z. Metani nënvizoi kontributin e drejtuesve të EURALIUS ndër vite në Shqipëri. “Dua të kujtoj drejtuesit e parë gjyqtarin Coledan dhe Roland Miklau, me të cilët kam patur bashkëpunim gjatë eksperiencës sime profesionale, të cilët vendosën themele të forta të një institucioni me integritet të lartë, e deri tek drejtuesja e sotme, znj.Bernhard”.

Nga ana e saj Dr.Agnes Bernhard vlerësoi lart Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani për bashkëpunimin me EURALIUS, e reflektuar edhe përmes ceremonisë së vlerësimit. “Duhet të kemi momente të tilla, kur gjatë punës që bëjmë, edhe vlerësojmë, edhe vlerësohemi. ILD është më i riu nga institucionet e qeverisjes së drejtësisë, por është një institucion që ka rezultate të shkëlqyera dhe që duhet të jetë shembull për institucionet e tjera. Ju faleminderit shumë për përkushtimin tuaj, lidershipin tuaj dhe angazhimin tuaj në krye të ILD-së.”

Në emër të EURALIUS V, drejtuesja e misionit Dr.Agnes Bernhard dorëzoi certifikata vlerësimi për disa punonjës të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për kontributin e tyre në projekte të përbashkëta në funksion të ILD-së, konkretisht Inspektores Magjistrate Marsela Pepi, këshilltarëve ligjorë Periand Teta, Elona Kana e Isida Koka, si dhe drejtores së drejtorisë së analizës ligjore dhe hartimit të akteve Eljona Bylykbashi. Ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani i dorëzoi një letër mirënjohjeje ekspertes ligjore të EURALIUS V, znj. Anita Mihailova, për angazhimin, kontributin dhe mbështetjen në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.