PROCEDIMI DISIPLINOR NË FOKUSIN E ILD, KLGJ E KLP

Hetimet dhe procedimet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ishin në fokus të takimit të përbashkët të iniciuar nga aktorët e përfshirë në këtë proces, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

 

Prej themelimit më 1 Shkurt 2020, ILD filloi hetimet e para disiplinore ndaj magjistratëve, e në vijim KLGJ dhe KLP miratuan rregulloret e tyre përkatëse mbi procedurat disiplinore.  

 

Zhvillimi i procedimeve të para disiplinore të paraqitura nga ILD në të dy Këshillat, bazuar në legjislacionin e ri të reformës në drejtësi, ka nxitur krerët e institucioneve të reja, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani, kryetaren e KLGJ Naureda Llagami, dhe Kryetarin e KLP Gent Ibrahimi të aktivizojnë këtë platformë komunikimi e koordinimi për të identifikuar problematikat me interes të përbashkët, që hasen gjatë zbatimit të ligjit, dakordësimin dhe koordinimin mbi zbatimin e standardeve uniforme, përmes garantimit të një procesi të rregullt disiplinor e në respekt të pavarësisë së magjistratëve. 

 

Në këtë takim pune përcollën kontributet e tyre drejtuesit e misioneve ndërkombëtare që asistojnë insitucionet e drejtësisë, misioni i Bashkimit Europian, EURALIUS dhe misioni i Departamentit të Drejtësisë së SHBA, OPDAT.