27 Tetor 2020
Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën e propozuar « Shkarkim nga detyra » për magjistratin Sh.M., gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Magjistrati Sh.M. është deklaruar fajtor nga ish Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë më 27.02.2019 për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç të K.Penal.
Inspektorët e ILD-së kanë konstatuar se veprimet e gjyqtarit kanë cenuar veprimtarinë e rregullt të organeve të drejtësisë nga veprimet e parregullta të personave të jashtëm por edhe nga veprimet e vetë atij si funksionar i drejtësisë. Këto veprime kanë cenuar besimin e palëve ndërgjyqëse dhe të publikut në organet e drejtësisë dhe respektimin e ligjit nga ana tyre, si dhe kanë diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e magjistratit. Nga ana tjetër, ushtrimi i pa rregullt i detyrës nga ana e magjistratit ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, si dhe ka cenuar besimin e publikut te drejtësia.
Raporti i ILD konstatoi se natyra e shkeljes së magjistratit përbën “Shkelje shumë të rëndë disiplinore” dhe i propozoi KLGJ-së caktimin ndaj magjistratit Sh.M. të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, kërkesë që u pranua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
