DREJTËSIA NUK MUND TË VENDOSET APO PËRMIRËSOHET ME DEKLARATA, POR ME AKTE

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka dhënë një intervistë për gazetarët Denis Minga dhe Lorenc Vangjeli në emisionin “Kontrast“ në Report TV, mbi punën dhe sfidat e institucionit që drejton, në këto tri vite të para të funksionimit të tij.

I pyetur se si është bilanci me premtimin e parë publik, që në marrje të detyrës, për fenomenin e lirimeve para kohe të personave të dënuar me burgim të përjetshëm, z. Metani tha se e konsideron një mision të kryer, për vendosjen e standardit dhe kujdesit që magjistratët duhet të tregojnë për këtë institut, çka është konfirmuar edhe nga KLGJ, KLP e KPA.

Në atë kohë, me të drejtë e evidentoi zoti Vangjeli, ishte fenomen shqetësues nëpër gjykata dhe prokurori, apo dhe në mjedisin politik, publik dhe mediatik të kohës. Unë mendoj që kjo do ishte ndërhyrja e parë e rëndësishme e Inspektorit të lartë të Drejtësisë. Sot jam shumë optimist për punën e kryer, krenar për punën e inspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sepse puna e tyre, jo vetëm që përballoi këtë presion, për të cilin thashë, por gjeti balancën e duhur midis këtij presioni, por edhe kontrollit të punës së prokurorisë dhe gjykatave. Ky kontroll, kjo procedurë e ndjekur nga Inspektori i lartë i drejtësisë është konfirmuar tashmë edhe nga Këshillat, nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për gjetjet që ka sjellë para tyre Inspektori i Lartë i Drejtësisë, por edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili është organi kushtetues apo dhoma kushtetuese, në të cilat apelohet çdo vendimmarrje e Këshillit të Lartë Gjyqësor apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Shumë çështje kanë shkuar në këtë institucion, pra në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe në të gjitha rastet, që ka pasur përpara Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në çdo rast është konfirmuar procedura e drejtë e ndjekur, si nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, por edhe nga Këshillat përkatës. Edhe kjo pa dyshim i ka bërë gjyqtarët dhe prokurorët më të kujdesshëm në zbatimin e këtij instituti të së drejtës tashmë.”

I pyetur në lidhje me proceset gjyqësore të dy palëve në Partinë Demokratike tashmë në Apel dhe nëse ILD mund të ketë një mënyrë që ky proces të avancojë më shpejt, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u përgjigj:

“Për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, kjo është çështje njëlloj si të tjerat. Nuk ka asnjë emocion të veçantë sepse sa emocion mund të paraqesë për një pjesë të publikut kjo çështje krahasimisht me çështje të tjera. Në zyrën e Inspektorit të lartë të Drejtësisë ka ankesa me problematika edhe më të thella ndoshta, që nuk janë kaq publike. Ka njerëz që ankohen për vrasje të pazbuluara, për punë të dobët të prokurorisë dhe gjykatave dhe unë nuk dua të peshoj rastet këtu, por kjo është për të treguar, pse nuk ka asnjë emocion puna e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në trajtimin e ankesave. Kjo është një çështje si gjithë të tjerat, ajo që është e rëndësishme të theksoj këtu dhe për këdo është që Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ndërhyn në procese gjyqësore, nuk bën asnjë akt, asnjë veprim që të krijojë përshtypjen, që ndikon në vendimmarrjen e ardhshme të gjykatës apo prokurorisë. Në momentin që përfundon procesi gjyqësor, atëherë i lind e drejta Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të evidentojë në bazë ankese, nëse ka pasur shkelje apo nuk ka pasur shkelje, një sjellje të një gjyqtari apo prokurori, por jo të prekë vendimmarrjen, e cila është marrë nga gjykata dhe prokuroria. Kjo është të theksohet, që nuk ka asnjë akt apo një veprim të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, jo për këtë çështje por për asnjë çështje, as për të përshpejtuar, as për të ngadalësuar proceset gjyqësore, as për të ndërhyrë, as për të mos ndërhyrë. Çdo ankesë në qoftë se ka, çdo çështje do të marrë atë rrugë që parashikon ligji, në përfundim të procesit gjyqësor. Pra dua ta theksoj, Inspektori i lartë i drejtësisë nuk zëvendëson organet gjyqësore.”    

I pyetur se a mund të bëjë diçka ILD për shqetësimin e ngritur nga prokurorët e SPAK, se nuk po mbrohen si duhet nga KLP përballë deklaratave politike ndaj tyre, Metani tha se drejtësinë nuk mund ta vendosim, apo ta përmirësojmë me deklarata dhe se secili nga institucionet duhet të flasë me punë, e jo me deklarata. 

“Deklarata politike për punën e sistemit gjyqësor ka çdo ditë dhe natyrisht institucionet nuk do të rrinë të bëjnë deklarata, nuk është kjo detyra e tyre. Ajo që është e rëndësishme është që pavarësinë, institucionet e reja të drejtësisë nuk e japin duke bërë deklarata, ose nuk e demonstrojnë duke bërë deklarata, por me aktet e tyre, dhe ajo që është e rëndësishme të theksoj, për sa e përket punës së ILD-së, është që mbi 80 magjistratë të hetuar sot, apo rreth 30 të proceduar disiplinarisht, as KLGJ, as KLP, as Kolegji i Posaçëm i Apelimit por qoftë edhe media, nuk kanë transmetuar asnjë mesazh të vetëm, që këta magjistratë janë hetuar politikisht nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, apo se Inspektori i Lartë i Drejtësisë është vënë në lëvizje për të hetuar këta magjistratë për arsye politike, apo për shkak të ndërhyrjeve politike. Çdo ndërhyrje ka qenë e justifikuar ligjërisht dhe kjo është e konfirmuar, si nga Këshillat, ashtu dhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe kjo është e rëndësishme të theksohet si standard pune. Këtë e theksoj jo për punën që kanë bërë inspektorët e ILD-së, apo qoftë edhe Këshillat, por është për të theksuar, se reforma në drejtësi fillon nga këto garanci, që ne duhet t’i japim gjyqtarëve dhe prokurorëve, që gjyqtari dhe prokurori të jetë i pandjeshëm nga presionet, që mund t’i bëhen në media apo nga politika. Institucioni i vetëm që mund të ndërhyjë politikisht, të përdorë mjetin ligjor, për të ndërdyrë politikisht në vendimmarrjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve është ILD fillimisht, dhe në asnjë rast, dëshiroj ta theksoj dhe njëherë, nuk ka pasur evidenca të kësaj ndërhyrje të ILD-së, dhe kjo është garancia më e madhe, që unë dhe kolegët e mi mund t’i japim sistemit. Dua ta evidentoj edhe më shumë, është e rëndësishme që gjyqtarët dhe prokurorët të ndihen të lire, sepse siç e thatë dhe ju, ka pasur deklarata, që ndoshta janë ndjerë të intimiduar gjyqtarët ose prokurorët, por deklarata të tilla mund të ketë. Çështja është a ndihemi ne, sa ndikohemi ne nga ky presion dhe unë nuk mendoj që gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë kanë arsye, që mund të intimidohen ligjërisht, po them nuk kanë asnjë rast të mendojnë, që zyra e ILD apo edhe e Këshillave të keqpërdoret politikisht, që është një garanci e madhe për punën e tyre.”

Në vijim të insistimit të gazetarëve për raportin e mosbesimit reciprok mes sistemit të drejtësisë dhe medias, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vërejti se “çdo aspekt, çdo dimension i punës së çdo zyrtari publik duhet të jetë i kontrollueshëm nga publiku, dhe media është përçuesi më i fortë i zërit të publikut. Nga ana tjetër kemi edhe një parim të rëndësishëm, që është parimi i pavarësisë së gjyqtarëve e prokurorëve. Të dyja këto janë parime të mishëruara në kushtetutë, që gjenden në kushtetutë dhe asnjëra prej tyre nuk ka epërsi ndaj tjetrës. Të dyja kanë funksione të veçanta, kanë detyra të veçanta, kanë mbrojtje të veçantë.”

E kam dëgjuar shpesh edhe shprehjen që vendimet gjyqësore nuk komentohen, por zbatohen. Në fakt unë s’do isha plotësisht dakord me këtë. Do thoja që vendimet padyshim që duhen zbatuar, sepse ky është parimi bazik i shtetit të së drejtës, jo sepse ne denjojmë t’i zbatojmë vendimet e gjyqësorit, por sepse këtë thotë shteti i së drejtës, e thotë kushtetuta, por ajo që është e rëndësishme është që vendimet gjyqësore duhen komentuar. Vendimi është një akt publik, është vendimi i një zyrtari publik dhe padyshim që komentohet. Ka të bëjë padyshim edhe me ato që thamë që kufijtë, konturet e diskursit politik mbi një vendim gjyqësor, ka të bëjë me kulturën politike, ka të bëjë me kulturën ligjore dhe shëndetin demokratik të një shoqërie. Kjo duhet kultivuar. Por që vendimet gjyqësore padyshim, sot e kësaj dite diskutohen vendime të Gjykatës së Lartë amerikane apo vendime të Gjykatës Europiane të Strasburgut, apo edhe vendime të tjera por nuk ka rëndësi. Ajo që dua të theksoj këtu është kjo, se puna e gjyqtarëve e prokurorëve apo beteja e gjyqtarëve e prokurorëve dhe e institucioneve të reja të drejtësisë nuk është me median. Beteja jonë është me transparencën. Beteja jonë është me të vërtetën. Sa më i qartë të jetë gjyqtari e prokurori, sa më i qartë, pa ekuivok, pa lakime të jenë vendimet gjyqësore, vendimet e institucioneve tona, aq më i qartë është padyshim edhe gazetari, që do e raportojë si kronikë e padyshim edhe komenti i gazetarit mbi këtë kronikë. Dhe do jetë publiku ai që do vlerësojë edhe vendimin, edhe komentin e gazetarit, edhe komentin e politikanit, edhe komentin e kujtdo. Dhe prandaj beteja me transparencën është beteja me të vërtetën. Vlerësuesi është publiku, edhe i punës sonë, edhe i punës së gazetarit, edhe i punës së politikanit. Ka një specifikë këtu, për hir të së vërtetës, sepse padyshim në media edhe në politikë dëgjon edhe deklarata që nuk i shkojnë të vërtetës…”, tha z. Metani.

Metani për deklaratat e politikës ndaj drejtësisë