INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË TRYEZË BASHKËBISEDIMI ME SHOQËRINË CIVILE TË LEZHËS

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi një tryezë bashkëbisedimi me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, që veprojnë në bashkinë e Lezhës.

Takimi i mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, është pjesë e  strategjisë së komunikimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për paraqitjen e institucionit tek grupet e ndryshme të interesit, aty ku ata jetojnë, edhe jashtë kryeqytetit, si dhe diskutuar me ta mbi mënyrën se si e shohin rolin e institucionit, eksperiencat dhe pritshmëritë në raport me sjelljen e magjistratëve në sistem. Ky komunikim direkt ndihmon në rritjen e transparencës, por edhe të eficencës së punës së ILD-së, e më tej në rritjen e forcimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Metani paraqiti rolin e ILD-së, si institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve në vend dhe iu përgjigj interesit të pjesëmarrësve mbi aspekte të veçanta të punës, por edhe të sistemit të drejtësisë.

“Reforma në drejtësi ka nevojë të transmetojë tek qytetarët rëndësinë e zbatimit të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si i vetmi standard që garanton të ardhmen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Transparenca dhe komunikimi i hapur mbeten thelbësore për të rritur e forcuar besimin e publikut tek puna e institucioneve. Kjo është arsyeja pse ILD i kushton kohë dhe vëmendje ndërveprimit me qytetarë e grupe interesi, si përmes zyrës së ankesave në institucion, ashtu edhe përmes takimeve direkte, siç është kjo tryezë bashkëbisedimi, që po na provon se sa të nevojshme janë kontakte të tilla”, tha mes të tjerash z. Metani.

Një diskutim i hapur u zhvillua mbi mënyrën se si funksionon procesi i ankimimi pranë ILD-

së dhe pritshmëritë e pjesëmarrësve, bazuar edhe në eksperienca konkrete. Në diskutim u përfshinë edhe inspektorë, ndihmës inspektorë dhe punonjës të zyrës së ankesave e marrëdhënieve me publikun të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Përfaqësuesit e Prezencës së OSBE-së, z. Mauro Puzzo dhe znj. Luljeta Krasniqi vlerësuan se Prezenca ka kënaqësinë të mbështesë projekte të tilla të komunikimit të hapur të institucionit me shoqërinë civile, si një dimension i rëndësishëm i demokracisë pjesëmarrëse dhe rritjes se besimit te publikut në sistemin e drejtësisë.