MJEDISI SI ÇËSHTJE E AUTORITETEVE TË DREJTËSISË, ILD PËRGATIT RAPORTIN KOMBËTAR NË KUADËR TË RESIJ

Si pjesë e Rrjetit Europian të Shërbimeve të Drejtësisë (RESIJ), Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka pranuar ftesën e Rrjetit për t’u angazhuar në projektin COPEIJ, të Komisionit Evropian “Për bashkëpunimin në mbrojtjen e mjedisit përmes autoriteteve kombëtare të inspektimit të drejtësisë”, përkrah institucioneve homologe të Francës, Italisë, Rumanisë dhe Portugalisë, nën menaxhimin e Expertise France.

Në këtë kuadër, anëtarë të Zyrës së ILD-së kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e projektit të zhvilluara në periudhën Shkurt-Shtator 2023, që nga takimet koordinuese tek vizitat studimore, që janë kryer me rotacion në secilin nga vendet e projektit, e gjatë të cilave autoritetet kombëtare vendase, përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit kanë referuar praktikat e punës dhe sfidat si institucionale ashtu edhe ligjore. Në përfundim të kësaj faze, secili vend përgatit një Raport pune, në gjuhën frënge, me panoramën dhe rekomandimet për autoritetet kombëtare dhe Komisionin Europian, për krijimin e mjeteve për reduktimin e hendekut mes nevojës për drejtësi penale efektive mjedisore dhe realitetit aktual në secilin vend.

Ekipi i zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë përgatiti raportin kombëtar mbi vendin tonë, që përmban kuadrin juridik kombëtar e ndërkombëtar, kuadrin institucional, jurisprudencën vendase dhe të GJEDNJ mbi krimin mjedisor, paraqitjen e autoriteteve administrative shqiptare, ato gjyqësore të specializuara dhe autoritete të tjera civile, të dhëna statistikore, bashkëpunime dhe praktika pune si dhe rekomandime për autoritetet kombëtare dhe për Komisionin Europian, si porositësi i projektit.

“Të perceptuara shpesh si krime “pa viktima” dhe të rastësishme, krimet mjedisore shpesh renditen poshtë në listën e prioriteteve të zbatimit të ligjit dhe zakonisht ndëshkohen me sanksione të ulëta, si rezultat i përkufizimeve të paqarta dhe keqinterpretimit të koncepteve. Në këtë kontekst, ky raport bazë mundëson një analizë të detajuar të kuadrit ligjor mjedisor shqiptar, të kapaciteteve institucionale, duke përfshirë si aspektin e burimeve njerëzore dhe financiare, ashtu edhe aspekte të veprimtarisë së tyre.”, thuhet në raportin e përgatitur nga ILD.

Raportin e plotë e gjeni këtu