Bukuresht, 6 qershor 2024
Një delegacion i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) mori pjesë në mbledhjen e Rrjetit Europian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), ku përfaqësues të institucioneve homologe nga vendet anëtare diskutuan prioritetet strategjike të Rrjetit, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin e standardeve të përbashkëta në fushën e inspektimit të drejtësisë.
Punimet u hapën nga Presidentja e RESIJ dhe Kryeinspektorja e Inspektoratit Gjyqësor të Rumanisë, znj.Roxana Ioana Petcu, e cila vlerësoi angazhimin e vendeve anëtare dhe paraqiti projektet e reja të Rrjetit. Ndër prioritetet e propozuara ishin hartimi i studimeve krahasuese mbi temat me interes të përbashkët, rritja e pranisë publike të RESIJ, forcimi i komunikimit institucional, konsolidimi i partneriteteve me rrjete të tjera evropiane dhe përmirësimi i funksionimit operacional të organizatës.
Në vijim, Shefi i Inspektoratit të Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës, z. Christophe Straudo, prezantoi aktivitetet më të fundit të RESIJ dhe nënvizoi rritjen e rolit të rrjetit në mbështetjen e institucioneve të Bashkimit Evropian përmes raporteve dhe analizave të përbashkëta. Ai propozoi zgjerimin e rrjetit me vende të tjera evropiane dhe krijimin e një metodologjie të unifikuar për hartimin e raporteve të përbashkëta.
Në ndërhyrjen e tij, delegacioni shqiptar theksoi rëndësinë e programeve të shkëmbimit profesional ndërmjet institucioneve homologe, duke ndarë përvojën e bashkëpunimit të ILD-së me inspektoratet e Italisë dhe Spanjës, si dhe planet për vijimin e shkëmbimit të praktikave më të mira me Inspektoratin e Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës. Gjithashtu, u nënvizua nevoja që këto programe të mbështeten edhe me planifikim financiar për të garantuar vazhdimësinë dhe efektivitetin e tyre.
Mbledhja trajtoi gjithashtu çështje që lidhen me zgjerimin e rrjetit, standardizimin e metodologjive të inspektimit, zhvillimin e studimeve krahasuese mbi çështje disiplinore dhe etike, si dhe rritjen e vizibilitetit të RESIJ përmes publikimit të raporteve dhe forcimit të komunikimit institucional.
