Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mikpriti sot një grup maturantësh të gjimnazit” Petro Nini Luarasi” të Tiranës, për një vizitë studimore në ILD, një praktikë e konsoliduar e institucionit në kuadër të informimit përmes edukimit ligjor të të rinjve, jo vetëm me institucionet arsimore në Tiranë, por edhe në rrethe. Në nisje të aktivitetit, të rinjtë u përshëndetën nga Inspektori I Lartë I Drejtësisë z. Artur Metani, i cili mes të tjerash vërejti se është e rëndësishme që ILD të jetë sa më afër shkollave, ndërsa u shpjegoi të rinjve konceptin e ndarjes së pushteteve, pavarësinë e tyre dhe rolin e ILD-së mes tre pushteteve, ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit. Z. Metani tha se Kushtetuta e ka parashikuar ILD-në si një mekanizëm për të kontrolluar dhe mbikëqyrur punën e gjyqësorit, sa i takon shkeljeve apo abuzimeve, por pa cenuar pavarësinë e tyre në vendimmarrje.
Më tej ishte inspektorja jomagjistrate znj. Joana Sorraj dhe ndihmës inspektori z. Julis Zebi, që i njohën maturantët me mënyrën si funksionon Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe si mund të përdoret nga qytetarët. Ata u shpjeguan maturantëve rolin dhe funksionet e ILD-së, mënyrat sesi zhvillohet në praktikë puna e institucionit dhe sfidat për ta bërë sistemin e drejtësisë më efikas dhe më të besueshëm për publikun. Gjithashtu maturantët mësuan se si bëhet një ankesë në ILD, kush ka të drejtë të paraqesë një ankesë dhe nëse vetë Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të nisë një procedurë disiplinore edhe pa ankesë, ra me iniciativën e tij.
Inspektorja Joana Sorraj dhe ndihmës inspektori Julis Zebi, iu përgjigjën interesit të gjimnazistëve, që aspirojnë vijimin e studimeve për drejtësi, mbi proceset e punës së inspektorëve, afatet e shqyrtimit të ankesave, pranueshmërinë e një ankese dhe pozicionin e magjistratit, gjatë një hetimi e procedimi disiplinor. Inspektorja Joana Sorraj e vuri theksin tek rëndësia që institucioni i jep respektimit të pavarësisë së magjistratëve, balancës me llogaridhënien e tyre, si dhe interesit legjitim të qytetarëve për mënyrën sesi administrohet drejtësia. Gjithashtu një pikë e diskutimeve kishte të bënte me inspektimet e ILD në gjykata dhe prokurori dhe rezultatet e tyre.
Një tjetër temë që u diskutua ishte roli monitorues i ILD-së në sistemin e drejtësisë, përmes inspektimeve në gjykata dhe prokurori, si dhe rezultatet që dalin nga këto inspektime.
Kjo vizitë studimore është pjesë e aktiviteteve që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë organizon brenda dhe jashtë institucionit me grupe të ndryshme shoqërore, në kuadër të programit 2026–2028 për informimin, edukimin ligjor dhe ndërgjegjësimin e publikut, me qëllim marrjen e njohurive ligjore dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e zbatimit të ligjit.
