Inspektori i Lartë i Drejtësisë nënshkroi sot me Ministrinë e Drejtësisë një marrëveshje për harmonizimin, zbatimin dhe publikimin e të dhënave statistikore kombëtare të sistemit të drejtësisë.
Në një ceremoni të veçantë, marrëveshja u nënshkrua në emër të institucioneve përkatëse nga z. Artur Metani dhe z. Toni Gogu. Ajo synon të krijojë një kuadër bashkëpunimi ndërinstitucional dhe të rregullojë proceset e mbledhjes, përpunimit, raportimit dhe publikimit të të dhënave statistikore të sistemit të drejtësisë, në përputhje me metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) dhe legjislacionin kombëtar në fuqi.
Në fjalën e tij, z. Metani theksoi se ndërtimi i një sistemi me të dhëna statistikore të sakta dhe të aksesueshme i shërben jo vetëm matjes së performancës dhe efikasitetit të gjykatave dhe prokurorive, por është gjithashtu thelbësor për rritjen e transparencës, forcimin e llogaridhënies dhe identifikimin e nevojave për përmirësim të vazhdueshëm në funksionimin e sistemit të drejtësisë. “Vetëm nëse arrijmë të krijojmë të realizojmë një fotografim të plotë dhe të saktë të gjendjes të sistemit të drejtësisë (lidhur me kohën mesatare që i nevojitet një magjistrati për shqyrtimin gjyqësor, ecurinë dhe përfundimin e çështjeve të prapambetura në gjykata, ngarkesën e tyre) mund të arrijmë të evidentojmë masa konkrete, vlerësime të sakta dhe strategji efektive të cilat përmbushin qëllimin për rritjen e cilësisë edhe efiçencën e sistemit të drejtësisë.“, tha z. Metani.
Nga ana tjetër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nënvizoi edhe ndikimin e statistikave tek vetë proceset e punës së institucionit që drejton. “Statistikat e sistemit të drejtësisë kanë një impakt të të rëndësishëm dhe në planifikimin e inspektimeve tematike të cilat prekin problematikat më thelbësore të sistemit të drejtësisë duke rritur efektivitetin e rekomandimeve. Qartësia, kuptueshmëria dhe saktësia e të dhënave statistikore kontribuon edhe në vlerësimin e ndikimit të inspektimeve tematike dhe institucionale të përfunduara. Duke krahasuar statistikat e sistemit të drejtësisë para dhe pas çdo inspektimi, mund të vlerësohet më efektivisht impakti i rekomandimeve në përmirësimin e efiçencës së sistemit të drejtësisë si dhe besimi i publikut në këtë sistem. Në këtë kuptim, është e domosdoshme që të sigurohet standardizimi i mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave, si dhe ndërtimi i sistemeve të integruara që garantojnë transparencë, gjurmueshmëri dhe akses të kontrolluar në informacion. Vetëm përmes një infrastrukture të tillë mund të arrihet që të dhënat statistikore të shndërrohen në një instrument real vendimmarrjeje, i cili mbështet një vlerësim të drejtë dhe të mbështetur në të dhëna të sakta. Njëkohësisht, ky proces nuk mund të kuptohet i shkëputur nga infrastruktura, kushtet materiale dhe funksionale në të cilat ushtrohet veprimtaria e gjykatave dhe zyrave të prokurorisë. Për këtë arsye, përmirësimi i infrastrukturës dhe i sistemeve të gjykatave dhe prokurorive përbën një komponent thelbësor, i cili ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e punës, në cilësinë e të dhënave.“
Në praninë e Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Silvio Gonzato, marrëveshje të ngjashme u nënshkruan sot me Ministrinë e Drejtësisë edhe nga institucione të tjera të sistemit të drejtësisë, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Shkolla e Magjistraturës.
Këto marrëveshje janë pjesë e Agjendës Kombëtare të Reformave dhe lidhen drejtpërdrejt me objektivin për rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë në të gjitha nivelet. Ato kontribuojnë në mënyrë konkrete në procesin e integrimit evropian, duke garantuar të dhëna të krahasueshme dhe të besueshme për raportimet ndaj Komisionit Evropian.
