Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, i shoqërar nga Zëvendësinspektorja e Lartë e Drejtësisë Elena Pelushi, priti në takim një përfaqësi të Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, të kryesuar nga prokurori Gëzim Spahiu.
Z. Spahiu e njohu Inspektorin e Lartë të Drejtësisë me objektivat e shoqatës së krijuar në dhjetor 2025, me synimin për të ofruar një strukturë të qëndrueshme dhe të organizuar, e cila do të shërbejë si një pikë referimi për zhvillimet e rëndësishme, problematikat dhe çështjet që lidhen me statusin dhe funksionin e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Në takim u nënvizua rëndësia e pavarësisë së prokurorëve si shtyllë themelore e sundimit të ligjit dhe qeverisjes demokratike. U nënvizua se prokurorët duhet të ushtrojnë detyrat e tyre të lirë nga ndikimet e paligjshme, duke respektuar plotësisht Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, pasi një prokuror i pavarur forcon besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe tek barazia para ligjit.
Njëkohësisht, diskutimi vuri në pah se pavarësia duhet të shkojë paralelisht me përgjegjësinë, profesionalizmin, integritetin dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve dhe institucioneve.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani vuri në dukje se balanca ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies është thelbësore. “Prokurorët duhet të jenë të mbrojtur nga ndërhyrjet e padrejta, por njëkohësisht të mbajnë përgjegjësi për shkeljet profesionale ose etike. Vetëm përmes këtij ekuilibri mund të ndërtohet një sistem drejtësie i besueshëm, transparent dhe në shërbim të interesit publik.”
Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu rëndësisë së ruajtjes dhe rritjes së besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Të dyja palët ranë dakord se besimi i publikut forcohet përmes hetimeve të paanshme, zbatimit të qëndrueshëm të ligjit, transparencës institucionale dhe komunikimit efektiv me publikun.
Bashkëbisëduesit u angazhuan për të vazhduar dialogun konstruktiv dhe bashkëpunimin për çështje që kontribuojnë në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe avancimin e interesit publik.
