INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË MORI PJESË NË ASAMBLENË E PËRGJITHSHME TË RESIJ NË MADRID

Madrid, 29 maj 2026

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të RESIJ-it (Rrjeti Europian i Shërbimeve të Inspektimit Gjyqësor), sw bashku me anwtarwt e tjerw, përfaqësues dhe homologë të institucioneve të inspektimit dhe sistemeve gjyqësore nga Belgjika, Bullgaria, Franca, Italia, Moldavia, Spanja, Portugalia dhe Rumania.
Aktiviteti u mikprit nga Këshilli i Përgjithshëm i Pushtetit Gjyqësor të Spanjës dhe u zhvillua në ambientet e Gjykatës së Lartë të Spanjës, në Madrid.

Në fjalët përshëndetëse në hapje të Asamblesë, kryetarja e Gjykatës së Lartë të Spanjës znj.María Isabel Perelló Doménech dhe Presidenti i RESIJ z. Stéphane Noël nënvizuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe nevojën për rritjen e standardeve të integritetit, transparencës dhe eficiencës në sistemet gjyqësore europiane.


Gjatë punimeve u diskutua mbi prioritetet dhe axhendën e ardhshme të RESIJ-it, përfshirë projektet e përbashkëta me Komisionin Evropian dhe CEPEJ (Komisioni Evropian për Eficiencën në Drejtësi në Këshillin e Evropës). Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu sfidat që lidhen me procesin e digjitalizimit dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në drejtësi, studimi krahasues mbi inspektimet gjyqësore dhe mekanizmat e integritetit e të parandalimit të korrupsionit, si dhe ndryshimet statutore dhe zgjerimi i bashkëpunimit të RESIJ-it me partnerë dhe institucione të tjera europiane.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi ndërmjet RESIJ-it dhe ARNJIS-it (Rrjeti Arab i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë), marrëdhënie që zhvillohet prej vitesh në kuadër të bashkëpunimit me CEPEJ-in, si dhe përgatitjet për aktivitetet ndërkombëtare të planifikuara të zhvillohen në Lisbonë gjatë muajit shtator.

Në përfundim të Asamblesë, pjesëmarrësit riafirmuan rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira ndërmjet institucioneve të inspektimit gjyqësor dhe shprehën angazhimin e tyre të përbashkët për forcimin e pavarësisë, transparencës dhe eficiencës së sistemeve të drejtësisë në Europë.