Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani mori pjesë në punimet e Asamblesë së 46-të të Komisionit Evropian për Efiçencën e Drejtësisë (CEPEJ), të zhvilluar në Shibenik të Kroacisë.
I mandatuar nga Rrjeti Evropian i Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ) për të paraqitur zyrtarisht aplikimin për marrjen e statusit të vëzhguesit pranë CEPEJ-it, z. Metani iu drejtua Asamblesë duke vënë në pah ekspertizën dhe kontributin e deritanishëm të Rrjetit në fushën e inspektimit të drejtësisë.
“Në cilësinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë, falë bashkëpunimit të vazhdueshëm me Këshillin e Evropës dhe CEPEJ-in që prej vitit 2020, kam pasur mundësinë të njoh nga afër nivelin e lartë të ekspertizës që ky komision ofron në fusha të ndryshme të administrimit dhe vlerësimit të drejtësisë. Njëkohësisht, besoj se RESIJ mund të sjellë një vlerë të shtuar në një fushë tepër specifike dhe të specializuar në CEPEJ”, u shpreh ai.
Z. Metani nënvizoi se shërbimet e inspektimit që përbëjnë RESIJ kanë në qendër të veprimtarisë së tyre vlerësimin e funksionimit të gjykatave dhe prokurorive, inspektimin e veprimtarisë profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe identifikimin e mekanizmave që kontribuojnë në integritetin, efikasitetin dhe cilësinë e sistemit gjyqësor. Ai theksoi se një sistem drejtësie efikas nuk mund të vlerësohet vetëm përmes statistikave, treguesve të produktivitetit apo kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, pasi këta indikatorë, ndonëse të rëndësishëm, jo gjithmonë arrijnë të zbulojnë shkaqet reale të problematikave që ndikojnë në funksionimin e pushtetit gjyqësor dhe as të pasqyrojnë plotësisht cilësinë e drejtësisë që u ofrohet qytetarëve.
“Në vendet tona përkatëse, strukturat e inspektimit luajnë një rol të pazëvendësueshëm. Ato ndihmojnë në identifikimin e mangësive sistemike, vonesave procedurale, sfidave organizative dhe rreziqeve që mund të cenojnë funksionimin e pushtetit gjyqësor. Veçanërisht në vendet që po kalojnë reforma të thella në sistemin e drejtësisë, shërbimet e inspektimit mund të luajnë një rol kyç në garantimin e stabilitetit institucional, koherencës dhe vazhdimësisë së standardeve profesionale”, deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndau edhe një moment personal, lidhur me mbështetjen që CEPEJ dhe Këshilli i Evropës i kanë dhënë institucionit që ai drejton.
“Kontakti i parë i Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë me RESIJ u bë i mundur pikërisht falë mbështetjes së CEPEJ-it. Në qershor të vitit 2021, CEPEJ mundësoi vendosjen e kontaktit ndërmjet ILD-së dhe Inspektoratit Francez, i cili në atë kohë mbante presidencën e RESIJ-it, si dhe përcolli interesin e ILD-së për t’u bërë pjesë e këtij rrjeti”, tha ai.
Z. Metani kujtoi se në dhjetor 2021 RESIJ e pranoi ILD-në me status vëzhguesi, ndërsa në tetor 2023, duke vlerësuar angazhimin aktiv dhe kontributin e Shqipërisë në kuadër të rrjetit, i akordoi Inspektorit të Lartë të Drejtësisë statusin e anëtarit me të drejta të plota.
“Sot jam para jush në emër të RESIJ-it dhe kam privilegjin të paraqes para kësaj Asambleje kërkesën për t’i dhënë Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë statusin e vëzhguesit pranë CEPEJ-it, me bindjen se ky bashkëpunim do të sjellë vlera të shtuara për të dy institucionet dhe për komunitetin evropian të drejtësisë në tërësi”, tha z. Metani.
Aplikimi i RESIJ-it për marrjen e statusit të vëzhguesit u miratua unanimisht nga Asambleja e 46-të e CEPEJ-it.
“Urime, zoti Metani! Urime Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë për marrjen e statusit të vëzhguesit. Mirë se erdhët në familjen e madhe të CEPEJ-it. Jemi të lumtur të vazhdojmë të punojmë me shumë kënaqësi me ju”, deklaroi Presidenti i CEPEJ-it, Francesco Depascale, në përfundim të votimit.
FJALA E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË, ARTUR METANI
NË ASAMBLENË E 46-TË PLENARE TË CEPEJ
18-19 Qershor 2026
Shibenik, Kroaci
I nderuar Z. President Depasquale,
E nderuar Znj. Decot,
Të nderuar pjesëmarrës,
Para së gjithash, dëshiroj t’ju falënderoj për ftesën dhe për organizimin e këtij eventi të shkëlqyer.
Emri im është Artur Metani dhe shërbej si Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë. Është një kënaqësi dhe një nder të marr pjesë në këtë Asamble dhe t’ju drejtohem në emër të Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ).
Ju përcjell përshëndetjet e Presidentit të RESIJ, z. Stéphane Noël, i cili për fat të keq nuk mundi të ishte me ne sot, si dhe përshëndetjet e të gjithë kolegëve të mi brenda Rrjetit.
RESIJ është një shoqatë ndërkombëtare e themeluar në vitin 2017. Misioni i saj kryesor është të bashkojë shërbimet e inspektimit gjyqësor të Shteteve Anëtare dhe Vendeve Kandidate të Bashkimit Evropian, me qëllim promovimin e shkëmbimit të metodologjive dhe praktikave më të mira, zhvillimin e studimeve dhe misioneve të përbashkëta, si dhe kontributin në përmirësimin e sistemeve të drejtësisë.
Sot, RESIJ përbëhet nga nëntë anëtarë: Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Spanja, Franca, Italia, Moldavia, Portugalia dhe Rumania.
Veprimtaritë e Rrjetit përqendrohen në disa objektiva themelore: zhvillimin e standardeve të përbashkëta për vlerësimin e funksionimit dhe performancës së sistemeve gjyqësore; identifikimin dhe promovimin e garancive të përbashkëta në fushat e etikës dhe kompetencës profesionale; shkëmbimin e praktikave më të mira dhe ofrimin e ekspertizës së specializuar; si dhe formulimin dhe komunikimin e rekomandimeve dhe propozimeve konkrete për institucionet e Bashkimit Evropian dhe për organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare që veprojnë në fushën e drejtësisë.
Që nga themelimi i tij, RESIJ ka zhvilluar marrëdhënie të ngushta dhe produktive me CEPEJ. Nën kujdesin e CEPEJ dhe në kuadër të Programit Jugor të Këshillit të Evropës, Rrjeti ynë ka marrë pjesë aktivisht në shkëmbime dhe aktivitete të përbashkëta me ARNJIS, (Rrjetin Arab të Shërbimeve të Inspektimit Gjyqësor). Aktualisht po finalizojmë një protokoll zyrtar bashkëpunimi, i cili do të institucionalizojë marrëdhëniet ndërmjet dy rrjeteve tona dhe do të krijojë një kuadër të qëndrueshëm për bashkëpunim afatgjatë.
RESIJ ka realizuar gjithashtu me sukses misione të përbashkëta me disa shërbime evropiane të inspektimit gjyqësor, duke kontribuar në nisma të rëndësishme ndërkombëtare. Këto përfshijnë projekte mbi vlerësimin e drejtësisë civile evropiane, mbrojtjen e të rriturve vulnerabël dhe, së fundmi, projektin COPEIJ të financuar nga Komisioni Evropian “Bashkëpunimi në Mbrojtjen e Mjedisit përmes Autoriteteve Kombëtare të Inspektimit të Drejtësisë”. Gjatë një periudhe dyvjeçare, kjo nismë bashkoi pesë shërbime inspektimi nga vendet anëtare të RESIJ: Franca, Italia, Portugalia, Rumania dhe Shqipëria.
Në dhjetor 2023, RESIJ publikoi studimin e tij të parë krahasues mbi organizimin dhe funksionimin e shërbimeve të inspektimit gjyqësor në vendet anëtare. Ky studim përditësohet dhe zgjerohet vazhdimisht për të adresuar sfidat dhe prioritetet në zhvillim me të cilat përballen sistemet evropiane të drejtësisë. Ndër temat që aktualisht po trajtohen janë përdorimi i inteligjencës artificiale në administrimin e drejtësisë, forcimi i integritetit institucional dhe parandalimi i korrupsionit brenda gjyqësorit.
Këto iniciativa demonstrojnë angazhimin e vazhdueshëm të RESIJ për modernizimin, transparencën dhe efektivitetin e sistemeve të drejtësisë, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin evropian në shërbim të një sistemi drejtësie me cilësi më të lartë dhe më të besueshëm për qytetarët.
Në planin personal, jam veçanërisht i kënaqur që ndodhem sot këtu duke përfaqësuar RESIJ. Kontakti i parë ndërmjet Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë dhe RESIJ u bë i mundur falë mbështetjes së CEPEJ. Në qershor 2021, CEPEJ lehtësoi kontaktin ndërmjet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratit Francez, i cili në atë kohë mbante presidencën e RESIJ, dhe përcolli interesin e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Rrjetit.
Sot, në cilësinë time si Inspektor i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë, kam privilegjin të paraqes përpara kësaj Asambleje të nderuar, në emër të RESIJ, kërkesën tonë për t’i dhënë Rrjetit statusin e vëzhguesit pranë CEPEJ. Ne besojmë fuqimisht se ky bashkëpunim do të sjellë vlerë të shtuar të rëndësishme si për të dy institucionet, ashtu edhe për komunitetin evropian të drejtësisë në tërësi.
Duke marrë parasysh kontributin afatgjatë të CEPEJ në përmirësimin e cilësisë, efikasitetit dhe funksionimit të sistemeve gjyqësore në mbarë Evropën, si dhe gatishmërinë tonë për të ndarë në mënyrë të strukturuar studimet, përvojën dhe ekspertizën tonë profesionale, RESIJ do ta konsideronte dhënien e statusit të vëzhguesit si një nder të madh. Jemi të bindur se një status i tillë do të shërbente si një urë e rëndësishme për bashkëpunimin institucional në ndjekje të objektivave tona të përbashkëta: një sistem drejtësie më efikas, më transparent, me cilësi më të lartë dhe më llogaridhënës ndaj qytetarëve.
Si Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë, dhe falë bashkëpunimit të vazhdueshëm të vendosur që nga viti 2020 me Këshillin e Evropës dhe CEPEJ, kam pasur mundësinë të njoh nga afër nivelin e lartë të ekspertizës që ky Komision ofron në fusha të shumta të administrimit dhe vlerësimit të drejtësisë. Në të njëjtën kohë, besoj se RESIJ mund të ofrojë vlerë të shtuar plotësuese në një fushë shumë të specializuar që ende nuk përfaqësohet plotësisht brenda kuadrit të CEPEJ: inspektimi gjyqësor.
Shërbimet e inspektimit që përbëjnë Rrjetin tonë vendosin në qendër të veprimtarisë së tyre të përditshme vlerësimin e funksionimit të gjykatave dhe zyrave të prokurorisë, inspektimin e veprimtarisë profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe identifikimin e mekanizmave që forcojnë integritetin, efikasitetin dhe cilësinë e sistemeve gjyqësore. Kjo ekspertizë pasurohet vazhdimisht përmes shkëmbimeve të rregullta ndërmjet anëtarëve të Rrjetit dhe përmes bashkëpunimit me homologët evropianë dhe partnerët ndërkombëtarë.
Një sistem drejtësie efikas nuk mund të matet vetëm përmes statistikave, treguesve të produktivitetit apo kohëzgjatjes së procedurave gjyqësore. Edhe pse këta tregues janë thelbësorë për vlerësimin e performancës, ata jo gjithmonë zbulojnë shkaqet themelore të sfidave që prekin gjyqësorin dhe as nuk pasqyrojnë plotësisht cilësinë e drejtësisë që u ofrohet qytetarëve.
Pikërisht këtu shërbimet e inspektimit gjyqësor luajnë një rol të pazëvendësueshëm. Brenda juridiksioneve tona përkatëse, strukturat e inspektimit ndihmojnë në identifikimin e mangësive sistemike, vonesave procedurale, sfidave organizative dhe rreziqeve institucionale që mund të cenojnë funksionimin e duhur të gjyqësorit. Veçanërisht në vendet që po kalojnë reforma të thella në drejtësi, shërbimet e inspektimit mund të luajnë një rol jetik në garantimin e stabilitetit institucional, koherencës dhe vazhdimësisë së standardeve profesionale.
Njëkohësisht, ato kontribuojnë në mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit duke siguruar që mekanizmat e llogaridhënies të jenë të drejtë, objektivë dhe në përputhje me standardet evropiane. Për RESIJ, ruajtja e këtij ekuilibri ndërmjet llogaridhënies dhe pavarësisë mbetet një prioritet themelor.
Misioni ynë shkon përtej monitorimit të performancës. Ai synon të promovojë një kulturë të përmirësimit të vazhdueshëm institucional, të mbështetur në profesionalizëm, transparencë dhe besim publik. Zgjerimi dhe konsolidimi i vazhdueshëm i Rrjetit tonë pasqyron rëndësinë në rritje të këtij misioni.
Këtu e përfundoj prezantimin tim dhe kërkesën zyrtare për aplikimin RESIJ, si dhe ju uroj punë të mbarë në vazhdim.
Faleminderit.
