INSPEKTORI I LARTË I DREJTËSISË Z. ARTUR METANI NË KOMISIONIN PËR NISMAT QYTETARE, BASHKËPUNIMIN DHE MBIKËQYRJEN INSTITUCIONALE MBI MIRATIMIN E AKTEVE NËNLIGJORE DHE NIVELIN E ZBATIMIT TË LIGJEVE TË MIRATUARA (2021–2025)

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Seanca e parë është me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. I pranishëm për të përfaqësuar Inspektoratin është zoti Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë dhe zonja Eljona Bylykbashi, Drejtor i Shërbimeve Juridike. Mirë se keni ardhur. Faleminderit për mirëkuptimin për zhvendosjen e orarit, për shkak se e kishim ne të nevojshme. E vlerësoj mirëkuptimin tuaj. Ju jeni në dijeni për çështjen, e cila është objekt i kësaj seance dëgjimore. Ne kemi marrë edhe një material me informacion nga ana juaj në përgjigje të kërkesës së parashtruar nga Komisioni. Do të kërkoja fillimisht një prezantim shumë të shkurtër, konçiz. Ne si rregull shkojmë 5-6 minuta tek kjo lloj seance, në kuptimin që për të mos përsëritur ato çfarë ju keni parashtruar në informacionin e sjellë, për shkak se janë të njohura për relatorët dhe anëtarët e Komisionit dhe këshilltarët, por për të vënë dy-tre thekse të nevojshme që ju gjykoni që duhet të jenë në fokus, në vëmendjen e anëtarëve të Komisionit dhe që kanë interes publik. Dhe pastaj do të dëgjojmë relatorët dhe më pas pyetjet përkatëse. Fillimisht, fjala për ju, zoti Metani.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Faleminderit, kryetar. Mirëmëngjesi edhe një herë të gjithë anëtarëve. Siç e thatë, do të doja të fokusohesha shumë shkurt, vetëm dy-tre gjëra, pasi materiali është tek ju. Në zbatim të legjislacionit, i cili delegon vendimmarrjet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për të nxjerrë akte nënligjore, të gjitha detyrimet janë të plotësuara, janë plotësuar brenda afatit ligjor. Pra, sot nuk ka asnjë akt apo asnjë detyrim për nxjerrje akti nënligjor nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që e delegon apo autorizon ligji. Në raport me strategjinë ndërsektoriale të drejtësisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka ndonjë akt nënligjor për të nxjerrë. Në raport me procesin e integrimit, në zbatim të dokumenteve kryesore të tij, progres raportit apo edhe raportit për shtetin ligjor dhe sundimin e së drejtës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka pasur ndonjë detyrim perse’ për të nxjerrë ndonjë akt ligjor. Përgjithësisht, raportet e Bashkimit Evropian e kanë vlerësuar veprimtarinë e LD-së, madje edhe me terma që mekanizmi i llogaridhënies funksionon kënaqshëm, por është fokusuar në dy-tre elementë që do të doja t’i përmendja. E para, në plotësimin e vakancave për inspektorë në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe ky është një rekomandim permanent. Pra, në çdo progres raport, ky mbetet rekomandimi i parë. Rekomandimi i dytë ka qenë rritja e numrit të inspektimeve tematike, të cilin Inspektori i Lartë i Drejtësisë e ka plotësuar dhe nuk është më rekomandim, të paktën për këtë vit. Rekomandimi i tretë është edhe zbatimi i mëtejshëm apo përçimi i standardeve të vettingut në veprimtarinë e organeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në këtë rast. Edhe për këtë detyrim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në bashkëpunim me EU4Justice dhe vetë organet e vettingut, ka hartuar një metodologji të veçantë, e cila duhet ndjekur gjatë zbatimit të kompetencave të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në dy raste: në rastin e rekrutimit apo emërimit të inspektorëve jo magjistratë, si dhe në rastin e hetimeve të natyrës pasurore kur magjistratët janë nën hetim. Ky material është konsultuar dhe është bërë një trajnim edhe me inspektorët e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, me ekspertë të ONM-së. Ky material ka kaluar në mbledhjen e përgjithshme të inspektorëve dhe u është dhënë për orientim inspektorëve, që ta kenë në vëmendje për zbatim, kur janë pjesë e grupeve apo hetimeve në këto dy raste që përmenda më sipër. Kështu, në këtë kuptim, detyrimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për nxjerrjen e akteve nënligjore është plotësuar në këndvështrimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Faleminderit.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj:  Faleminderit. Tani le të dëgjojmë vlerësimin e relatorëve. Relatorë në seancat dëgjimore të ditës së sotme janë zonja Romina Kuko dhe zoti Erion Mile. Po, zonja Kuko?

Deputete Romina Kuko: Faleminderit, kryetar. Të nderuar kolegë, i nderuar Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Një në tre qytetarë i drejtohen Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe nuk ankohen vetëm për përmbajtjen e vendimit që kanë marrë në dorë, por sepse çështja nuk po mbaron. Pret me muaj, me vite, një gjykim ose një vendim të arsyetuar që nuk i dorëzohet. Ligji e quan këtë shkelje të mundshme të gjyqtarit ose të prokurorit dhe e ngarkon Inspektorin ta verifikojë. Edhe në frymën e këtij komisioni, por edhe në objektin e këtij komisioni, ky qytetar është në qendër të relatimit tonë sot. Theksoj patjetër që në fillim, se ky shqyrtim respekton plotësisht pavarësinë e gjyqësorit dhe të Inspektorit, pra nuk prek asnjë çështje konkrete, por vetëm mënyrën si funksionon sistemi. Komisioni i kërkoi Inspektorit në datën 6 maj 2026, në kuadër të kontrollit post-legjislativ, për aktet nënligjore dhe zbatimin e ligjeve të periudhës 2021-2026, informacion për detyrimet e tij. Inspektori u përgjigj në 21 maj: nuk ka ligje të reja që i kërkojnë detyrime, nuk ka akte nënligjore të pa miratuara dhe nuk ka detyrime për përafrimin me acquis-në. Për gjendjen aktuale, sigurisht që ky qëndron si raportim, por dy akte kyçe me afat ligjor u miratuan me vonesë: sistemi i vlerësimit të inspektorëve, rreth 13 muaj, dhe rregullorja e sistemit të menaxhimit të ankesave, rreth 26 muaj. Këto janë vonesa patjetër dhe pasojat ndihen edhe sot, por kontrolli post-legjislativ nuk pyet vetëm nëse aktet ekzistojnë. Pyetja themelore është nëse ligji, bashkë me këto akte, e arrin qëllimin e tij. Për Inspektorin, ky qëllim realizohet përmes dy funksioneve: verifikimit të ankesave dhe inspektimeve. Prej këtej kalon edhe vlerësimi ynë. Gjatë vitit 2025, 74% të ankesave u arkivuan që në shqyrtimin fillestar, 23% pas verifikimit dhe vetëm 3% kaluan në hetim. Inspektori e shpjegon arkivimin me faktin që shumica e ankesave kundërshtojnë thelbin e vendimit, gjë që nuk është në kompetencën e tij. Dhe sigurisht që kjo është e drejtë, por në të njëjtin grup duket se përfshihen edhe ankesat për zvarritje, që janë rreth 1/3 e të gjitha ankesave, edhe ato për vonesë në arsyetim. Këto janë në kompetencën e inspektorit. Dhe pyetja jonë është: a i regjistron sistemi i menaxhimit të ankesave, ankesat për vonesa si kategori më vete dhe sa prej tyre u arkivuan pa verifikim? Inspektori i shpjegon vonesat me ngarkesën e sistemit. Ky argument vlen për sistemin në tërësi, por nuk vlen për gjyqtarin që vonon shumë më tepër se kolegët e tij, në të njëjtat kushte. Tani, ekziston dhe një pikë referimi zyrtare: afate standarde që Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi në korrik të vitit 2025. Ndaj duam të dimë nëse Inspektori është duke i mbajtur në konsideratë ato afate në veprimtarinë e tij inspektuese gjatë vitit 2026. Në zbatim të rezolutës së Kuvendit, Inspektori miratoi në fund të vitit të kaluar një urdhër për raporte periodike mbi ankesat, që të tregojnë për çfarë ankohen më shumë qytetarët dhe sigurisht që kjo është pozitive, por 10 muaj më vonë, për sa ne jemi informuar nga këshilltarët e Komisionit, urdhri nuk është publikuar dhe ende nuk është hartuar asnjë raport. Dhe pa këto raporte, nuk shihet se si kthehen ankesat e qytetarëve në inspektime. Ligji i jep të drejtën Inspektorit të inspektojë çdo aspekt të punës së gjyqtarëve dhe të gjykatave dhe prokurorive. Çështja shtrohet: cili është efektiviteti i zbatimit të ligjit, çka është fokusi kryesor i kontrollit tonë parlamentar post-legjislativ në këtë seancë dëgjimore. Dhe këtë e shoh në dy-tre aspekte të rëndësishme, me vlerësimin mbështetur edhe në vlerësimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe shqetësimet e ngritura në vijimësi nga vetë qytetarët. Fillimisht, shtruar pyetjen konkrete nëse plani vjetor adreson problemet më të mëdha të drejtësisë. Nga 9 inspektime të planifikuara për 2026-ën, asnjë nuk adreson tri çështje që Bashkimi Evropian dhe strategjitë e miratuara i kanë vënë në krye. E para është stoku dhe kohëzgjatja e gjykimeve në Gjykatën e Apelit, ku në fillim të vitit 2025 kishte rreth 41. 700 çështje në pritje. E dyta janë gjykatat administrative me çështje në pritje që nga viti 2017-2018. E treta është korrupsioni në gjyqësor, për të cilin progres raporti i Komisionit Evropian i vitit 2025, kërkon protokolle inspektimi dhe raport i vlerësimit të kritereve të përkohshme e quan “shqetësim thelbësor”. Asnjë nga këto nuk ishte në planin e vitit 2025. Për më tepër, kriteret e përzgjedhjes ende nuk publikohen. Inspektori merr rregullisht të dhëna nga të gjitha gjykatat dhe prokuroritë, por tematikat bazohen kryesisht në propozimet e institucioneve të tjera. Në raportin e vet, inspektori shënon vështirësi për të kuptuar arsyet e disa propozimeve. I njëjti problem shfaqet te inspektimi vjetor i shortit, që ligji e bën të detyrueshëm. Në gjykata përzgjidhen tri në vit pa kritere të publikuara. Nuk janë përfshirë gjykatat me peshë më të madhe si Tirana, gjykatat administrative apo gjykata e posaçme, edhe pse inspektimi i 2025-s konstatoi se shortet manuale dhe rishortimet nuk gjurmohen në sistem. Edhe kur inspektimet për kohëzgjatjen bëhen, rezultati është i kufizuar. Ato mbulojnë vetëm çështje të mbyllura brenda një tremujori, kështu që mbetet jashtë stoku i vjetër, pikërisht ai për të cilin ankohen qytetarët. Raportet dalin 20 deri 24 muaj pas periudhës së inspektuar. Nga 9 inspektime të planit të 2025-s, vetëm 4 u përfunduan brenda vitit. Në disa inspektime u gjetën dallime të mëdha në kohëzgjatje ndërmjet gjyqtarëve, por nuk u rekomandua asnjë verifikim individual dhe gjetjet nuk shkuan as në hetim disiplinor, as në dosjen e vlerësimit. Ligji ka menduar inspektimet pikërisht si burim për këto dy procese. Dhe po përmend edhe një model pozitiv: inspektimi i seancave gjyqësore i vitit 2025 mbuloi 10 muaj, analizoi planifikimin për secilin gjyqtar dhe u raportua brenda 4 muajve. Kjo tregon që edhe mund të bëhet. Dhe duam të shohim këtë qasje që të shtrihet edhe te kohëzgjatja. Ndërkaq, stafi ngelet një çështje tjetër që do përgjigje. Inspektori punon me gjysmën e Inspektorëve që i nevojiten, pra me 10 vende bosh nga 20 që është në strukturë. Kuvendi e njohu këtë problem dhe në janar të këtij viti, ndryshoi ligjin për t’i bërë këto pozicione më tërheqëse: uli vjetërsinë e kërkuar, rriti pagën dhe rregulloi komandimin. Mungesa e kandidatëve nuk varet nga Inspektori, sigurisht, por shpejtësia e procedurave varet. Dhe kërkesa për gjyqtarë Inspektorë u bë dy muaj pas ndryshimit të ligjit, procedura për Inspektorët jo magjistratë nisi pesë muaj pas tij. Procedura e mëparshme zgjati 19 muaj dhe përfundoi pa fitues. Edhe këtu ndihen vonesat e vjetra. Sistemi i vlerësimit të Inspektorëve, i miratuar me një vit vonesë, bëri që deri në fund të 2025-s të ishin vlerësuar vetëm 4 inspektorë. Zëvendës Inspektori u emërua vetëm në prill të këtij viti, mbi 6 vjet pas krijimit të institucionit, dhe 4 prokurorëve të komanduar në 2021-in, u mbaron afati këtë vit. Ndaj, mbi këtë bazë, i nderuar kryetar, propozoj që komisioni t’i rekomandojë Inspektorit: e para, të regjistrojë ankesat për vonesa si kategori më vete dhe të raportojë pranë këtij komisioni, sa prej tyre u arkivuan pa verifikim në vitin 2025; të hartojë dhe publikojë raportin e parë periodik për ankesat me një datë të caktuar; të përfshijë në planin e inspektimeve 2027 kohëzgjatjen e gjykimeve në gjykatat prioritare sipas përcaktimit të strategjisë, gjykatat administrative dhe korrupsionin gjyqësor; të publikojë kriteret e përzgjedhjes, bashkë me planin, si për inspektimet tematike ashtu dhe për inspektimet e shortit; të shtrihet edhe kohëzgjatja në qasjen e inspektimit të seancave me analizë për çdo gjyqtar dhe përcjellje të gjetjeve me vlerësim, edhe kur është rasti në verifikim disiplinor; t’i paraqesë komisionit brenda 30 ditëve një kalendar për plotësimin e vendeve bosh të inspektorëve dhe për vlerësimin e inspektorëve deri në fund të vitit 2027; dhe t’ia dërgojë komisionit planin e inspektimeve 2027 sapo të miratohet. Tani, Kuvendi e ndryshoi ligjin dhe e bëri pjesën e vet, ndaj edhe ne të gjithë duam të shohim ndryshimet që të kthehen inspektorët në punë, të shkojnë atje ku janë problemet dhe të kemi një përgjigje të vërtetë për qytetarin. Faleminderit.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Faleminderit. Faleminderit, kolege Kuko. Po, zoti Inspektor, po.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Faleminderit, kryetar. E dëgjova me shumë vëmendje fjalën e relatores. Më duhet të them që shumë prej gjetjeve nuk qëndrojnë. Për këtë do e bëjmë një material me shkrim, t’ia depozitojmë komisionit brenda pak ditësh. Por, thjesht për të evidentuar që ndryshimet ligjore kishin të bënin me Inspektorët magjistratë, jo Inspektorët jo magjistratë. Kështu që nuk kanë lidhje me vonesat, të cilat përmendni. E dyta, meqë përmendët aktin për vlerësimin e Inspektorëve, akti për vlerësimin e Inspektorëve ka dalë në vitin 2021 dhe në vitin 2020 Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk kishte tavolinë ku të ulej. Megjithatë, brenda vitit ai ka kryer inspektim tematik, ka kryer hetime disiplinore, ka trajtuar ankesa, ka kryer procese për marrjen në punë të inspektorëve e jo vetëm dhe pa dyshim të gjitha me radhë. E të gjitha elementet e tjera, që përmendi relatorja. Megjithatë, siç e thashë, do ju paraqesim një material me shkrim për t’ju njohur më mirë ndoshta me gjërat, çështjet që u ngritën. Arsyet e përzgjedhjes dhe mënyra si përzgjidhen Inspektorët, tematikat dhe inspektimet tematike janë bërë publike, se unë ndoshta këtu njëherë, apo e kam thënë në komision të ligjeve, e them gjithmonë publikisht, e kam thënë gjithmonë nëpër intervistat e mia: mënyra si përzgjidhen inspektimet tematike dhe zgjedhja e inspektimeve tematike nuk është absolutisht një zgjedhje individuale e Inspektorit. Kalon në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve, pasi janë marrë mendimet e institucioneve, edhe pse ligji nuk e detyron, pasi është marrë problematika e çdo gjykate, çdo zyrë prokurorie dhe pasi është bërë një analizë e fenomeneve, që sjellin ankesat e vitit paraardhës, duke e balancuar këtë me numrin e inspektorëve të pakët, jo për faj të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, a për shkak të vonesave, sepse vonesa nuk vijnë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, vijnë nga institucione të tjera, të cilat vonohen përgjigjet e tyre, me të drejtë, pa të drejtë, kjo është një çështje që hajde ta shohim. Por ata që konkurojnë dhe aplikojnë për të qenë Inspektorë, pra nëse është Inspektor i Lartë i Drejtësisë, kalojnë një kuadër apo një proces të fortë, ‘vettingu’ po e quaj, njëlloj si vetë Inspektori i Lartë i Drejtësisë apo njëlloj si anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kur kalojnë në KED. Kështu është një proces shumë i gjatë. Megjithatë, siç e thashë, do e dërgojmë materialin brenda pak ditësh me të gjitha reagimet apo mendimet që ka Inspektori i Lartë i Drejtësisë në raport me këto gjetje. Faleminderit. Megjithatë, sugjerimet do i konsiderojmë.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Faleminderit. Megjithëse të jem i sinqertë, ju keni të drejtën e objeksioneve tuaja. Gjë shumë e mirë që do të sillni komentet, vlerësimet tuaja rreth gjetjeve dhe sugjerimeve të relatorëve, edhe me shkrim, por siç e thatë ju vetë, ka dhe gjëra që qëndrojnë dhe unë do dëshiroja, ashtu siç dhe besoj është e udhës, që siç kundërshtoni gjetjet që nuk janë të njëjta në këndvështrim, nga këndvështrimi ose nga pozicioni dhe nga informacioni që ju dispononi, ashtu do duhej të kishit thënë edhe ato që qëndrojnë, sepse është në interes të përbashkët dhe askush, asnjë nga dhe askënd nga institucionet nuk e gjen gjënë, në qoftë se pranon edhe cilat janë të metat, cilat janë gabimet dhe çfarë duhet reflektuar. Sepse nëse besoj ne të ndajmë të njëjtin mendim për faktin që Inspektori i Lartë i Drejtësisë është institucioni kyç i sistemit. Sipas vlerësimit tim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është barometri i problematikës, shqetësimeve që ka sistemi në tërësi dhe nga mënyra se si funksionon, nga efiçenca e punës së inspektoratit varet shumë efektiviteti i punës së gjithë sistemit dhe nëse ka pritshmëri për më shumë dhe për më mirë, pa dyshim këtë gjë kjo buron nga ligji, buron nga përgjegjësitë tuaja, por besoj është edhe shqetësimi i drejtë i yni si ligjvënës dhe përfaqësues të interesave të qytetarëve në këtë tavolinë. Gjithsesi, ‘okay’, mund të vazhdojmë. Kush ka pyetje? Po, zoti Çomo.

Deputeti Bledi Çomo: Faleminderit, kryetar. Doja të pyes si janë reflektuar rekomandimet e progres raporteve të Komisionit Evropian në aktet nënligjore, metodologjinë dhe planin e inspektimeve të ILD-së, veçanërisht për vonesat gjyqësore dhe rrezikun e korrupsionit në gjyqësor dhe cilat masa mbeten për t’u realizuar dhe këto me çfarë afatesh. Së pari, dhe meqenëse ju prekët edhe inspektimin tematik, doja të shtroj një pyetje. A ka pasur ndonjëherë tematikë inspektimi për të verifikuar si zbatohet amnistia dhe si i shtrijnë efektet që qytetari të mos cenohet nga dalja e amnistisë dhe të përfitojë prej saj, pasi ligji ja jep këtë të drejtë? Dhe kjo nisur nga raste ku prokuroria ndryshon kualifikimin e veprës gjatë daljes së amnistisë, duke rënduar pozitat e personit dhe ana tjetër gjykata zvarrit shqyrtimin e çështjes, me qëllim që individi i qytetarit të mos përfitojë nga amnistia. Pra, a keni patur një tematikë të tillë dhe a i keni verifikuar njëherë si zbatohen këto? Faleminderit.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Po, faleminderit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Në lidhje me pyetjen e dytë, po. Amnistia ka qenë çështje inspektimi, verifikimi. Amnistia, jo e fundit, e parafundit, është verifikuar edhe ka dalë me rekomandime konkrete dhe për shkak të atyre rekomandimeve, sot në zbatimin e amnistisë së fundit nuk ka pasur problematika, të cilat ka evidentuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë në inspektimin e kryer. Në lidhje me rekomandimet e BE-së për çështjen e korrupsionit gjyqësor, po, janë reflektuar në inspektime tematike për shortin e hedhur në gjykata, për ndarjen e çështjeve në prokurori, për zëvendësimin e prokurorëve, si çështja apo tematika që mund të krijojnë premisa për anshmëri apo për krijim favorizime të padrejta ndaj palëve. Këto janë inspektime që kryhen çdo vit, edhe rekomandimet që bëjmë, pa dyshim i dërgohen edhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, edhe Zyrave të Prokurorisë, edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas rastit. Në lidhje me vonesat, edhe këto janë çështje inspektimi tematik çdo vit. Zgjatjet, domethënë, kohëzgjatja e arsyetimeve dhe zbardhja e vendimeve dhe kohëzgjatja e procedurave gjyqësore janë rekomandime të çdo viti. Në varësi të mundësive kryhen gati në çdo gjykatë. Pra, një vit kryejmë dy ose tre gjykata, një vit kryejmë dy ose tre gjykata të tjera e kështu me radhë, duke u munduar që të përfshijmë gjithë territorin. Këtë kisha. Faleminderit.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Faleminderit. Kush ka pyetje tjetër? Po, zonja Dhima.

Deputete Antoneta Dhima: Faleminderit, zoti kryetar.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Ta ruani pak tematikën nga këndvështrimi i ligjit, sepse inspektori mund të vijë, do vijë prapë, kështu që kur të ketë tematikën përkatëse. Më falni, ndjesë.

Deputete Antoneta Dhima: Faleminderit, zoti kryetar. Në vijim të diskutimit dhe komenteve tuaja për sa i përket efektivitetit, dua të ndalem kryesisht te efektiviteti i procedurave disiplinore. Sa raste janë referuar për procedim disiplinor pranë Këshillit të Lartë të Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe cilat kanë qenë rezultatet përfundimtare të tyre? Bëhet fjalë për periudhën 2021-2025 dhe a janë konstatuar vonesa ose pengesa në zbatimin e procedurave të parashikuara sipas ligjit? Dhe së dyti, për sa i përket mangësive të zbatimit të legjislacionit, cilat janë problematikat ligjore ose institucionale që janë evidentuar gjatë ushtrimit të kompetencave të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për periudhën 2021-2025 dhe çfarë ndryshimesh ligjore apo ndryshime të tjera nënligjore janë propozuar për rritjen e efektivitetit të hetimeve si edhe përgjegjshmërisë disiplinore? Faleminderit.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Po, faleminderit. Zoti Inspektor…

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Tani, siç e thatë ju, kryetar, pyetja e parë ka lidhje me veprimtarinë e institucioneve, megjithatë jo me temën e ditës. Megjithatë po ju përgjigjem, aq sa mund të mbaj mend në pesë vite. Ajo që mbaj mend mirë në pesë vite është që në asnjë rast, të procedimeve disiplinore të kërkuara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshillat nuk kanë vendosur që t’ia kthejnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për hetime të paplota, hetime pa standarde apo hetime që nuk justifikojnë masën e kërkuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Në të gjitha rastet, Këshillat kanë vendosur që gjetjet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë qëndrojnë, por për shkak të diskrecionit të tyre kanë vendosur ndryshe nga masa që ka propozuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Në shifra, pa dyshim çdo raport vjetor që ka paraqitur Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i paraqet shifrat. Nëse i doni në mënyrë të përmbledhur, pa dyshim mund të jetë dhe kjo pjesë e materialit që do të dërgojmë në vijim. Por, kjo është për pyetjen e parë. Në lidhje me pyetjen e dytë, në fakt është interesante. Megjithatë, unë mendoj që sistemi, në vështirësitë që është sot është e vështirë që ne të jemi në gjendje të propozojmë ndryshim ligjor, për shkak se nuk ka funksionuar një aspekt i legjislacionit të miratuar apo një mekanizëm i parashikuar në legjislacion, sepse unë mendoj dhe kundërshtrimi i tij mendoj që legjislacioni nuk ka arritur të zbatohet plotësisht 100%, për shkak të vështirësive, në të cilat gjendet sistemi dhe për këtë arsye është e vështirë që të bëhet një analizë e plotë, nëse diçka ka funksionuar apo nuk ka funksionuar tërësisht. Megjithatë, një gjë paraprake kam, që ndoshta mund të jetë pjesë e një diskutimi tjetër, ndoshta me këtë komision apo me komision tjetër, është kryerja e inspektimeve tematike. Inspektimet tematike janë një koncept i përmendur në ligj vetëm dy herë dhe pa parashikim as për procedurat, as për mënyrën e për afatet, në të cilat duhet të kryhet ky inspektim tematik. Megjithatë, inspektimi tematik është në këndvështrimin tim mjeti më i fortë që ka Inspektori i Lartë i Drejtësisë për të luajtur atë rol që tha zoti Xhafa, për të qenë kyç në sistem, për të qenë detektues i problemeve dhe fenomeneve, që duhet dhe e shqetësojnë sistemin gjyqësor apo sistemin e drejtësisë dhe të dalë me rekomandime përkatëse për institucione, të cilat duhet të marrin masa dhe kjo mund të realizohet vetëm nëpërmjet kryerjes së inspektimeve tematike. Pra, ndryshimi i parë që ndoshta do duhej, do të ishte përcaktimi më i qartë i procedurave dhe mënyrës se si duhen kryer këto inspektime tematike, të cilat Inspektori i ka nxjerrë në fakt dhe i ka sqaruar nëpërmjet vendimeve të veta. Po flas për ndryshime ligjore. Së dyti, është forca që duhet të kenë këto rekomandime. Në këto gjashtë vite apo shtatë vite eksperiencë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk ka pasur problematika me institucionet për zbatimin e rekomandimeve të ILD-së. Megjithatë, ka qenë pjesë e një diskutimi me Prokurorin e Përgjithshëm nëse rekomandimet e dala nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë janë të detyrueshme apo jo. Sepse mendimi i Prokurorit të Përgjithshëm është për sa kohë që ligji nuk parashikon që këto rekomandime janë detyruese, atëherë institucioni nuk është i detyruar t’i zbatojë. Pra, edhe kjo duhet të jetë pjesë e një diskutimi, mendoj, në një tavolinë, kur të gjykoni ndoshta se si duhet të ecim, edhe me elemente të tjera si këto. Faleminderit.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj:  Po, faleminderit. Ka pyetje të tjera? Mirë. Kam unë nja dy pyetje. Ju përmendët me të drejtë rekomandimet apo masat që keni për të përmbushur në kuadrin e detyrimeve që vijnë nga procesi i negociatave apo nga dokumentat e Bashkimit Europian. Pyetje dhe kjo është e drejtë me tre gjërat që përmendët me vakancat, rritjen e inspektimeve tematike, që shkon në të kundërt të asaj çfarë thatë, por dhe zbatimin e standardeve të vettingut në sistem. Ndër këto tre, unë do dëshiroja të dëgjoja më shumë lidhur me çështjen e tretë. Sa janë duke u përthithur nga sistemi këto standardet, që u ndërtuan gjatë procesit të vettingut? Sa janë duke iu përgjigjur dy Këshillat dhe vetë Inspektori këtyre standardeve dhe çfarë mund të mbajë në konsideratë Kuvendi dhe specifikisht ky Komision, me funksionin e tij të ushtrimit të kontrollit parlamentar për ta mbështetur këtë proces të rëndësishëm? Pyetja e dytë lidhet me faktin, që ne bëjmë shumë mirë që i referohemi rekomandimeve dhe gjetjeve dhe rekomandimeve të raporteve të Bashkimit Europian, por nga ana tjetër ju bëni një lloj vlerësimi rreth sistemit të opinioneve që kanë qytetarët, më shumë se çdo institucion tjetër i sistemit. Absolutisht besoj se biem dakord për shkak se shqetësimet që kanë qytetarët janë më qartë të formuluara apo të adresuara më saktë tek institucioni juaj, përmes sistemit të ankesave dhe nga ky këndvështrim unë do dëshiroja të dëgjoja, se sa kjo është reflektuar në aktet tuaja të brendshme, sa kjo është reflektuar në inspektimet tuaja dhe keni ju një matës të vlerësimit, që kanë vetë qytetarët për punën e Inspektorit. Pra, ju si drejtues i këtij institucioni kaq të rëndësishëm, keni një tregues me të cilin ju masni pëlqyeshmërinë, besueshmërinë që kanë qytetarët në raport me institucionin tuaj. Natyrisht, unë nuk po kërkoj të bëni sondazhe, po se nuk është kjo zgjidhja, por unë besoj që duhet të keni, edhe ka shumë instrumente, që njihen ndërkombëtarisht, që përdorin institucionet për të kuptuar, për të parë nivelin e besueshmërisë, pëlqyeshmërisë së qytetarëve ndaj veprimtarisë së tyre. Keni ju, e bëni ju një gjë të tillë dhe a mundet të kuptojmë dhe ne, si funksionon ky mekanizëm dhe cili është rezultati. Dhe në vijim të kësaj, ajo që më intereson më shumë është çfarë vendi zë aktualisht në vëmendjen tuaj, ajo që është ndoshta sot thembra e Akilit të sistemit. Atë që ju e përmendët, besoj e kishit shumë parasysh, ndoshta, si faktorin kryesor kur thatë që sistemi është në vështirësi. Pikërisht çështjen e backlogut, pa dyshim që është vakancat sepse janë një arsye e backlogut, por personalisht e kam thënë dhe herë tjetër këtu, edhe në raportimet tuaja të mëparshme dhe në Komisionin tjetër, në Komisionin e Ligjeve vite të mëparshme. Unë nuk besoj që backlogu është arsyeja kryesore e vakancave që ne kemi në sistem. Është një arsye e rëndësishme. Për një farë kohe, pa dyshim ka qenë arsyeja kyç, ashtu siç mund të thuhet edhe pandemia, edhe një sërë faktorësh të tjerë, por sot, sot nga këndvështrimi im nuk është arsyeja kryesore. Sot arsyeja kryesore është mënyra se si qaset sistemi, përgjegjshmëria e gjyqtarëve, e prokurorëve dhe mënyrë të veçantë e institucioneve, strukturave drejtuese të sistemit, deri në funksionalitetin e dy Këshillave. Dhe këtu po dal pastaj tek çështja tjetër. Nga këndvështrimi juaj sot, për aq sa ju shërbeni edhe për ta, si indikator i gjendjes së sistemit edhe vlerësimit të funksionimit dhe efiçencës së sistemit, dy Këshillat sot janë në performancën e tyre dhe a ka vend ku Inspektori mund të ndikojë në rritjen e kësaj performance? Sot dy Këshillat janë dy institucionet më të kritikuara të sistemit nga opinioni publik, nga Kuvendi përmes gjetjeve dhe rekomandimeve të tjera, përmes rezolutave dhe nga vetë, meqënëse ju i referoheni më me dëshirë kësaj, edhe nga vetë progres raportet e Bashkimit Europian dhe ne jemi të shqetësuar për këtë lloj performance dhe në një masë të konsiderueshme e shohim të lidhur edhe me efektivitetin e punës së Inspektorit. Nuk e di nëse isha i qartë në… Po, faleminderit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Po, kryetar, faleminderit. T’i marrim me radhë. Në lidhje me atë komentin e shkurtër që bëtë, që rritja e inspektimeve tematike që vjen kundërshtim me numrin e ulët të inspektorëve, nuk e kuptova qartë në fakt, por nuk vjen kundërshtim. Detyrimi apo rekomandimi i Bashkimit Europian ka qenë rritja e numrit të inspektimeve dhe ne e kemi parë si prioritet, jo vetëm se vjen nga një organizëm, tek i cili ne duam të anëtarësohemi, por si një vlerë reale i inspektimeve apo shërbimeve të inspektimit gjyqësor moderne. Dhe për këtë arsye, ne i kemi dhënë prioritet rritjes së numrit të inspektimeve tematike. Po, ka vonesa në përfundimin e inspektimeve tematike, siç e përmendi dhe relatorja, për të dalë te fjala juaj, që po ka gjëra për të përmirësuar tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë, por natyrisht këto nuk janë gjëra që vijnë për shkak të mungesës së dëshirës, por vijnë për shkak të mundësive të pakta që ne kemi, sepse duhet të realizojmë jo vetëm numrin e rritur të inspektimeve tematike, por edhe numrin e ankesave të ardhura, edhe numrin e hetimeve disiplinore, edhe numrin e procedimeve disiplinore e kështu me radhë. Në lidhje me pyetjen e parë, atëherë pyetja e parë në lidhje me standardet e vettingut. Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse ne e kemi pasur në diskutime dhe në vëmendje shumë më parë, sesa të përfundonte mandati i organeve të rivlerësimit kalimtar. Kemi pasur diskutime edhe me këto organe, por edhe me përfaqësuesit e ONM-së, të cilët na kanë ngritur si rekomandim dhe shqetësim, që standardet e këtyre organeve, duhet të jenë pjesë e punës dhe procedurave të punës të organeve të sistemit të qeverisjes të drejtësisë, po veçanërisht të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pra aq sa i takon, në ato dy kompetencat që ju përmendët më sipër. Pyetja që ne kemi bërë gjithmonë, edhe për organet e vettingut, edhe për përfaqësuesit e ONM-së ka qenë, se cilat janë standardet që ata konsiderojnë, që duhet të jenë pjesë e punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë? Pra, cilat konsideron standarde ONM-ja apo organet e vettingut në veprimtarinë e tyre? Ka qenë diskutim disa mujor. Në përfundim, të dyja këto institucione nuk paraqitën një material me standardet e këtyre organeve, por iu referuan dhe thanë, që standardet i kemi vendosur nëpërmjet vendimeve që ne kemi dhënë. Ne kemi parë, aq sa na takon, për pjesën që duhet të ushtrojë Inspektori i Lartë i Drejtësisë në ato dy kompetenca që thashë, në rekrutim apo në hetimin financiar të magjistratëve, që janë pjesë e një hetimi disiplinor. Po, pa dyshim kjo është një gjë, që nuk ka lidhje me veprimtarinë thelbësore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ka një gjë, është një dimension i punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sepse ka nevojë për ekspertizë financiare dhe ekonomike, të cilën ne po mundohem ta kryejmë ose ta marrim, vetëm nëpërmjet trajnimeve që ne kryejmë, apo edhe nëpërmjet punësimeve të reja, duke i dhënë prioritet profileve ekonomike. E kam fjalën për ndihmës inspektorët, të cilët janë pjesë më fleksibël për t’u punësuar me këtë profil, sepse ligji parashikon që Inspektorët duhet të jenë pa dyshim dhe patjetër juristë. Kështu që, ne po mundohemi ta adresojmë edhe këtë mungesë, nëpërmjet marrjes në punë të njerëzve me profil ekonomik, për këtë proces pune që po kryejmë. Megjithatë, unë mendoj që përpara se të diskutojmë për, ose përpara se të zbatohet teknikisht ky standard i vettingut, standardi i vettingut përgjithësisht kërkon integritet të lartë, transparencë dhe performancë institucione, të cilat unë mendoj që Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ofron. Përpara se të zbatosh kompetencën, qytetarët duhet të kenë besim tek institucioni, tek integriteti dhe morali i institucionit dhe këtë mundohemi ta ushtrojmë çdo ditë, mundohemi ta zbatojmë çdo ditë dhe për të dalë te pyetja juaj e dytë, mundohemi dhe ta masim aq sa mundemi…

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Ndjesë unë nuk vë në diskutim, që të jem fare i drejtpërdrejtë me ju, çështjen e integritetit. Unë vë në diskutim dhe kam vënë vazhdimisht në diskutim, çështjen e efektivitetit, në raport me çfarë ligji kërkon dhe me çfarë pritshmërie kanë qytetarët, me çfarë pritshmërie kemi të gjithë ne ndaj zyrës suaj. Këtë e kam vënë në diskutim dhe vazhdoj ta vë në diskutim. Nuk kam vënë ndonjëherë personalisht, meqënëse unë e bëra pyetjen, çështjen e inte  gritetit as tuajin as të inspektorëve, sepse nuk kam arsye që ta bëj një gjë të tillë, sepse nuk kam ndonjë fakt të ndryshëm. Por meqënëse qëndruam këtu te ndërhyrja ime, nuk ishte për këtë, nuk s’është vendi për të…

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Është në vijim të mendimit zoti Xhafa, nuk domethënë s’u fokusova te kjo. Tashi unë jam duke menduar, duke folur, nuk është se….

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Ajo që dua t’ju them është te çështja e ju ngritët me të drejtë nevojën për të pasur strukturë të specializuar ose njerëz të specializuar për pjesën e hetimit, pjesën e gjykimit financiar, po e quaj ose hetimit financiar. A nuk mund të mund të ketë sa kohë që ju të arrini këtë një lloj marrëveshje me ILDKPI-në, e cila është një strukturë e specializuar? A mund t’ua të përmbushi një pjesë të punës përmes një marrëveshje të përbashkët? Ndoshta ishte një sugjerim, prandaj ju ndërpreva.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Okay, faleminderit për ta qartësuar më mirë edhe unë ndoshta. Po, por kjo nuk është mjaft. Ne këtë e kemi bërë. Kemi një marrëveshje me ILDKPI-në. Pra, ne e marrim ekspertizën e ILDKPI-së sa herë na duhet. Çështja është, që sipas bisedave që kemi bërë edhe me përfaqësues të ONM-së, standardet e vett ingut kërkojnë diçka më shumë, të cilën ne e kemi problem ligjor, jo dëshirë dhe dua ta ndaj me ju cili është. Sipas standardeve të vetting-ut, organet vetë duhet të marrin ekspertë të jashtëm kur kryejnë këto lloj procedurash, si në rastin e marrjes në punë të Inspektorëve, jo magjistratë, apo në rastin e hetimeve financiare kur kryejnë hetime disiplinore. Pra, nuk kërkojnë thjesht mendimin e ILDKPI-së apo vlerësimin e ILDKPI-së për rastin. Këtu lind diskutimi, që është parimor. A mund të vë unë si institucion publik, në diskutim një raport të një institucioni tjetër publik? Dhe kjo është çështje që mua më intereson si qytetar shqiptar për institucionet e vendit tim. E dyta, nëse do marr ekspertë të jashtëm, a duhet të kem unë një indicie? Pra, duhet të vlerësojnë që raporti i ardhur nga kandidati apo nga magjistrati, më krijon dyshimin që shiko, nuk janë të vërteta. Raporti i ardhur nga ILDKPI-ja nuk është i saktë, në mënyrë që unë të shkoj tek një ekspert i jashtëm, apo do e marr ekspertin e jashtëm apriori. Këto janë diskutime që ne kemi dhe po mundohemi që të gjejmë balancën e duhur midis kësaj dhe midis asaj që unë kam detyrë. Kur them unë institucioni, është detyrim ligjor për institucionin, por edhe për shkak të zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili rregullon mënyrën e marrjes në punë të inspektorëve magjistratë, i cili nuk e kërkon detyrimisht marrjen e ekspertit të jashtëm.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Po ndryshojeni vendimin. Propozojeni të ndryshojë në qoftë se është në interes të punës. Ne për këtë jemi këtu. Këtë prisnim të dëgjonim sot.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani:  Okay. Kjo është pjesë e një diskutimi, që e kemi në zyrë dhe ndoshta do e paraqesim, por për t’ju sqaruar për ato pyetje që bëtë, në lidhje me matjen e e pëlqyeshmërisë apo mendimit qytetar, besueshmërisë. Unë mendoj që e para, detyrimi i institucionit është që të jetë rigoroz me detyrimet e veta ligjore dhe këtë kemi bërë nga dita një. E zbatojmë rigorozisht sipas këndvështrimit tonë ligjin dhe mundohemi të sqarojmë qytetarët aq sa mundemi, për rolin që ka Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Këtë e kam bërë jo vetëm nëpërmjet informimit publik, por edhe nëpërmjet sqarimit në detaje të ankesës që qytetarët kanë ndaj magjistratëve, duke sqaruar edhe cili është roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në këtë proces. Dhe prandaj një nga kritikat që ne kemi është që vendimet e arkivimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë shumë të gjata. Po, janë të gjata për këtë arsye. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndërmarrë një fushatë të fortë ndërgjegjësimi publik në të gjitha rrethet, duke pasur kontakte me shkolla, me organet e pushtetit vendor dhe me shoqërinë civile lokale, për t’i shpjeguar rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjithashtu, në faqen e internetit të ILD-së, u bë kohë që ka një anketë, ku qytetarët shprehen për proceset e punës që kanë me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe rezultatet e kësaj ankete bëhen edhe publike përsëri në këtë faqe. Pra, edhe nëse ka vlerësime, por edhe domosdoshmërisht, edhe nëse ka kritika për punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Dhe mendojmë që kjo është një mënyrë, e para për t’i dhënë mundësi qytetarit për të shprehur mendimin që ai ka për punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, edhe fizikisht pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pa dyshim, qytetari është i lirë ta shprehë edhe në mjete të tjera të informimit publik, por e rëndësishme është që ne të marrim informacionin apo mendimin në vetë të parë dhe e kemi mundësinë për ta marrë dhe e marrim aq sa e përdorin qytetarët këtë anketë që është në faqe. Në lidhje me raportin me këshillat, do doja që aq sa mund të jetë të ketë besim institucioni, por besoj që marrëdhëniet tona ndërmjet institucioneve duhet të lindin ose duhet të bazohen, së pari në besimin e padiskutueshëm, për sa kohë që nuk ka asnjë shkak për të mos besuar njëri-tjetrin, që do të thotë e ndjekim me shumë vëmendje atë që ndodh në Këshilla, edhe në sistem, por po ashtu e ndjekim me shumë vëmendje atë që na takon sipas ligjit, jo sepse nuk duam të investohemi për të ndryshuar diçka, por nuk duam të investohemi në kundërshtim me ligjin për të investuar diçka. Që do të thotë, ligji për shembull nuk parashikon mundësinë që Inspektori i Lartë i Drejtësisë të mund të ketë një inspektim tematik pranë Këshillave, për të parë se si po ndodh një fenomen i caktuar. Por nëpërmjet ankesave që qytetarët kanë pasur për anëtarë të Këshillit, jemi munduar të rregullojmë veprimtarinë e Këshillit. Për shembull, dua të sjell vëmendjen tuaj një ankesë të vitit 2021, për çështjen e konfliktit të interesave për anëtarë të Këshillit. Tre anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kanë qenë pjesë e hetimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë hetimit u vu re që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, meqë po flasim për aktet, nuk kishte aktin që rregullonte marrëdhëniet e konfliktit të interesit në këtë Këshill…

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Nuk e ka dhe sot e kësaj dite.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani:  Kjo është një çështje tjetër që ne e kemi në vëmendje, për shembull, sepse ne e kemi lënë rekomandim tek ky hetim. Ia kemi dërguar Këshillit, i kemi thënë që është detyrim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë të nxjerrë aktin për rregullimin e marrëdhënieve të konfliktit të interesit. Pyetja që lind tani, për shembull, me të drejtë është që a mund ta ndjekë Inspektori i Lartë i Drejtësisë zbatimin e këtij rekomandimi? Këtë sigurisht ka nevojë ta diskutojmë. Prandaj është një gjë, që nuk është se nuk e kemi bërë se s’duam. Pra, do të thotë është pjesë e një diskutimi. Megjithatë, dua të them që kjo është mënyra që ne e shohim për të kontrolluar aq sa na lejon ligji, se ndoshta fjala nuk është e duhura, por për të monitoruar veprimtarinë e këshillave, për aq sa na lejon ligji. Për situatat që ka Këshilli vetë, unë personalisht ndaj dhe një mendim tjetër, që Këshilli vetë duhet të jetë i fortë mjaftueshëm që problematikat që ka duhet t’i drejtohet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë edhe me ankesë. Pra, nëse edhe me ankesë, Këshilli vetë, anëtarët e Këshillit për problematikat që ka në Këshill, jo sepse Inspektori i Lartë i Drejtësisë domosdoshmërisht kërkon një ankesë për t’u vënë lëvizje, por unë mendoj që institucionet duhet të jenë të forta mjaftueshëm, sepse ky sistem i ri drejtësie ia ka dhënë garancitë për të qenë të fortë mjaftueshëm, të marrin përsipër përgjegjësitë dhe barrën që kanë për atë karrige në të cilën janë ulur. Së treti, për raportin me këshillat e kam, nuk jetojmë në ishuj të ndarë. Unë e kam shumë intensiv raportin me këshillat. Që në fillim të mandatit tim, unë kam iniciuar dy ose tre takime me Këshillat për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe termi që kam përdorur ka qenë për të folur me të njëjtën gjuhë vlerash, të cilat na ka ngarkuar reforma. Pa dyshim, mendimet janë të ndryshme dhe vendimet janë të ndryshme, por mesazhi që duhet t’i japim trupës së magjistratëve, për shqetësimet që kanë qytetarët, duhet të jetë i njëjti në këndvështrimin tim. Nuk kam gjetur gjithmonë mbështetje, po e quaj, dhe këtu nuk është as kritikë, ata ashtu mendojnë. Unë kam mendime të tjera për mënyrën se si duhet të veprojmë të tre bashkë. Po, për shembull, meqë përmendim efiçencën e vonesave, domethënë një nga mënyrat që Inspektori i Lartë i Drejtësisë ushtron kompetencën për të adresuar vonesat edhe në proceset gjyqësore, edhe në zbardhjen e vendimeve, është jo vetëm inspektimi tematik dhe nga inspektimi tematik kanë dalë dhe procedimet disiplinore dhe këto do jetë pjesë e materialit. Prandaj reagova edhe për relacionin, sepse duhet të kemi shumë kujdes te kjo, jo për kritikë, por dua të them se duhet të kemi kujdes, sepse po mundohemi maksimalisht për të qenë të balancuar, edhe me detyrimin ligjor. Kjo është e para, edhe me shqetësimin qytetar, por edhe me shqetësimin që ka sistemi. Më përmendët dy herë tashmë, edhe mbledhjen e kaluar që kam qenë në këtë komision, edhe kësaj radhe, gjykatën e Apelit. Gjykatën e Apelit nuk e kemi lënë se nuk duam, por përpara se të shkojmë në inspektim tematik për vonesat që gjykata e Apelit ka, ne kemi menduar që do shkojmë në inspektim institucional për të parë se si funksionon ajo gjykatë, si në kuptim të infrastrukturës, si në kuptim të qarkullimit të dokumentacionit, si në kuptim të menaxhimit të gjithë dosjeve që kanë ardhur nga gjykatat e tjera, sepse duhet të kuptosh vështirësinë me të cilën përballen magjistratët njëherë dhe pastaj t’i ngarkosh me përgjegjësi disiplinore. Në këndvështrimin tonë mund ta kemi gabim, por ky është këndvështrimi ynë.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj:  Nuk e kemi të ndryshëm.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Qartë.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj:  Kur flasim për institucionin në tërësi, biem dakord, por kur flasim për gjyqtarë dhe për situata të caktuara…

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani:  Ta mbaroj pra. Meqë përmendni situata të caktuar, nuk ka asnjë rast, asnjë rast këtu, që magjistrati, i cili ka qenë në Zyrën e Inspektorit, në tavolinën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që e ka merituar për t’u shkarkuar apo për t’u marrë tjetër masë disiplinore dhe nuk është marrë. Nuk ka një rast!

Ndërhyrje pa mikrofon….

Po pra. Po tani më lër ta mbaroj. Po se e kam shqetësim dhe po, e kuptoj që e keni shqetësim, por edhe ne e kemi shqetësim. Pra, nuk është se neve nuk na dhemb kjo që po ndodh. Të jemi të qartë. Por nuk mund të shkohet në masa ndaj gjyqtarëve, pa kuptuar problematikat që ata kanë dhe jo për t’u bërë për gjyqtarët kjo, por për të qenë realisht në rolin që Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet të ketë, në në balancën e duhur midis të drejtave që kanë qytetarët, për të parë se si administrohet drejtësia nga gjyqtarët dhe prokurorët, por nga ana tjetër, edhe për ta balancuar këtë me pavarësinë e tyre dhe me situatën në të cilën ata janë. Dhe në gjykatën e Apelit është nisur inspektimi institucional për të parë pikërisht këtë që thashë. E dyta janë procedimet disiplinore dhe do doja që t’i kishit ndjekur. Po, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka dërguar për masë magjistratë, të cilët kanë vonuar zbardhjen e vendimeve dhe me pesë vjet dhe janë rrëzuar nga Këshillat. Po pra, po këto janë fenomenet të cilat kanë impakt. Nuk është thjesht një çështje konkrete apo individuale. Megjithatë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vazhduar dhe do vazhdojë të çojë magjistratë për masë disiplinore, kur e gjykon se ata kanë neglizhuar në ushtrimin e detyrës dhe jo për shkak të ngarkesës, duke pasur parasysh atë që ju edhe thatë. Besoj nuk lashë ndonjë pyetje pa sqaruar. Nëse kam harruar, më thoni ju lutem. Po.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj:  Jo, besoj se nuk ka ndonjë gjë tjetër për t’u për t’u sqaruar nga ato, që unë të paktën pyeta. Nuk besoj se kolegët kanë ndonjë gjë tjetër. Ishin të qartë edhe në pyetjet që bënë, edhe në relatimin që bënë relatorët. Edhe jam dakord, që për gjëra që ka nevojë që të merrni kohën e nevojshme për të kthyer, për të dhënë një përgjigje më të plotë edhe për atë, pavarësisht se do të kemi rast tjetër. Kam një pyetje, përpara se të them një konsideratë. Është pak jashtë teme, po është tema e ditës dhe nuk mund të rrimë edhe ne dhe ju, si mënjanë për këtë çështje. Sot kemi një ngërç të krijuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe ka një konflikt të hapur, ose më saktë ka një mosmarrëveshje të hapur publike ndërmjet avokatëve dhe GJKKO-së. Ka një mundësi përpjekje ndërhyrje nga ana e Inspektorit për ta zgjidhur këtë, se në finale ai që e pëson është sistemi, e pëson dhënia e drejtësisë, shërbimi që ofron drejtësia, por edhe gjykata në rastin konkret, por edhe qytetarët drejtpërsëdrejti. Tash ne e kemi shqetësimin. Jam i bindur që edhe ju e keni shqetësimin, edhe si pjesë e këtij sistemi. Çështja është, e shihni ju veten në kompetencat që ju jep ligji, që mund të ndërhyni për të gjetur një zgjidhje që është një zgjidhje e ligjshme, një zgjidhje e drejtë sigurisht, por që ky ngërç të tejkalohet.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani:  Pa dyshim e ndjekim me shumë vëmendje dhe çdo ditë kemi diskutime për atë që ndodh. Për të qenë strikt ligjorë, ne nuk kemi, domethënë, me kompetencat që ka Inspektori i Lartë i Drejtësisë, s’e e kemi parë në këtë këndvështrim së pari. Me atë që po ndodh, ne kemi parë nëse do ndodhte diçka që do i krijonte procesit, se kjo është me rëndësi për procesin, natyrisht me pasojat e veta për qytetarët apo me pjesëmarrësit e procesit, do degjeneronte apo do të shkonte drejt një shkelje të natyrës disiplinore. Së dyti, ajo që thatë është më shumë përtej ligjit, është më shumë pjesë e një tryeze midis palëve, midis individëve që kanë këtë diskutim dhe kjo shkon pastaj përtej kompetencave që ka ILD, por edhe ka lidhje me natyrat njerëzore dhe me karakteret, më shumë sesa me diskutimet ligjore që mund të bëhen midis palëve. Me thënë të drejtën, nuk kam një mendim sot, por ajo që mund të them është që e ndjekim me shumë vëmendje për aq sa na takon dhe natyrisht si institucion do ishim të gatshëm të ndihmonim aq sa mund të ndihmonim, por nuk është një gjë që varet vetëm nga dëshira e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj:  Të jem i sinqertë, unë mendoj paksa ndryshe. Unë besoj nga aq sa unë e njoh ligjin në këtë aspekt, ka një kënd, ka një pozicion nga e cili mund të ndërhyjë Inspektori, që ka të bëjë me çështjet, sepse aty cenohet një parim shumë i rëndësishëm, që është procesi i rregullt ligjor. Natyrisht cenohet edhe, ose më saktë, ka dhe një pasojë të drejtpërdrejtë, që është zgjatja e proceseve gjyqësore dhe nga ky këndvështrim Inspektori mund të ndërhyjë për të parë a është në përputhje, a janë në përputhje këto akte me standardet, a janë këto akte të marra në mënyrën e duhur, por kryesorja se unë nuk e vë në diskutim aktin, se nuk është detyra ime dhe nuk kam nuk kam këtë qëllim. Unë qëllim, domethënë unë, ne të gjithë bashkë, edhe ju, sapo shprehet të njëjtën gjë, na shqetëson ngërçi i krijuar, efekti që ai sjell. Pastaj se cila është zgjidhja, i takon palëve në rrugë institucionale. Se ata nuk janë individë, ata janë institucione. Avokati është institucion në pozicionin e tij, në atë çfarë i jep atij të drejta dhe detyrime ligji. Gjykata, gjyqtari është institucion në atë çfarë atij i jep të drejtë dhe detyrim kushtetuta dhe ligji. Dhe në këtë aspekt ndoshta do ishte do ishte e arsyeshme një ndërhyrje. E dini pse? Sepse unë i përmbahem asaj me të cilën është ndërtuar edhe vetë sistemi. Ne flasim për parimin e kontrollit e balancave dhe kontrollit ndërmjet pushteteve, por besoj se kemi të njëjtin kuptim. Edhe vetë sistemi në arkitekturë është ndërtuar mbi këtë parim të brendshëm. Shpesh njerëzit nuk e kuptojnë këtë gjë. Nuk e kuptojnë dhe ata që flasin me orë e orë të tëra, apo që mbajnë ligjërata mediatike apo publike, por fakti ky është ndërtuar në këtë mënyrë. Nuk ka një hierarki të brendshme sistemi. Është ndërtuar si sistem balancash dhe kontrolli reciprok. Dhe në këtë aspekt, Inspektori ka një rol të rëndësishëm për ta ruajtur këtë balancë dhe unë do dilja këtu pastaj dhe tek një çështje tjetër. Ne jemi përfshirë në tre çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë së pari me politikat penale. Është një tematikë e kalendarit tonë. E dyta lidhet me procesin e rregullt ligjor dhe e treta lidhet me çështjet jo thjesht të vonuara, por të prapambetura, në kuptimin e tejkalimit të vonesës normale ose të backlogut, siç përkufizohet ndryshe. Me qëllim, duke nisur nga, i kemi bërë pjesë të kalendarit të kontrollit parlamentar, nisur nga fakti që këto përbëjnë realisht shqetësime të opinionit publik, të qytetarëve, të institucioneve të shtetit dhe të vetë sistemit, siç e pranuat dhe ju. Në këtë kontekst, duke qenë se Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një institucion, që është objekt-subjekt i këtij kontrolli parlamentar, edhe por nga ana tjetër, për ne është një lloj partneri si komisioni i mbikëqyrjes, sepse kemi të dy palët funksione mbikëqyrëse dhe nga ky këndvështrim, gjetjet tuaja janë me shumë interes për këto të treja dhe ne do dëshironim që ju, nëse do mundni personalisht, po ndoshta zëvendësja juaj ose dikush tjetër aty, të jetë si një lloj pike kontakti për t’i bashkërenduar, në mënyrë që me ekipin, me relatorët, me këshilltarët, në mënyrë që gjetjet tuaja, duke qenë se janë të rëndësishme për përfundimet që mund të arrijë gjithë ky proces, të mund të ingranohen, të përfshihen në mënyrë të natyrshme, si pjesë e vlerësimeve që do të bëjë ky komision, me qëllim që vlerësimi të jetë i mbështetur mbi fakte, mbi argumente të dala nga procese mbikëqyrëse në rastin konkret të zhvilluar nga ana juaj dhe jo vetëm mbi opinione dhe konsiderata apo mbi gjetje statistikore, që gjithashtu janë të të dobishme. Dhe në këtë kontekst do t’ju ftoja që Inspektori të konsiderojë veten, ne kështu e shohim në këtë rast, nga ky këndvështrim, si një lloj, në një marrëdhënie partneriteti me komisionin në qëllimin e përbashkët, në mënyrë që këtyre tre çështjeve, të cilat në masa të ndryshme janë nga këndvështrimi ynë çështje shumë të rëndësishme, që t’i japin më shumë besueshmëri sistemit në raport me qytetarin, por dhe efektivitet, efiçencë, gjithashtu do dëshironim që të kishte një përfshirje më aktive.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Po patjetër, zoti kryetar. Në fakt, ky është dhe këndvështrimi personal për raportin që duhet të ketë ky Komision, veçanërisht me institucionet e drejtësisë apo me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Së pari, për të ndarë këtu shqetësimet që ne kemi, më pas Komisioni të mund të ushtrojë edhe rolin e tij për mbikëqyrjen e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë. Së dyti, ashtu siç thatë, unë do e shikoja më shumë partneritet marrëdhënien midis Komisionit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Madje edhe komisioni mund t’i kërkojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ushtrimin e një inspektimi tematik të caktuar për shkak të veprimtarisë së vet, për atë që thatë dhe ILD do mundohet t’i përgjigjet aq sa mundet, me ndihmën e vet, edhe me inspektimin e vet pikërisht për t’i shërbyer atij qëllimi të përbashkët, që Komisioni të dalë me një mendim të pjekur për shqetësimet që ka sistemi i drejtësisë, problematikat dhe mënyrën se si duhet t’i rregullojmë këto shqetësime. Kështu që në konkluzion, po padyshim jemi gati të ndihmojmë Komisionin dhe të jemi partner në këtë proces, për aq sa mund t’ju ndihmojmë.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Po faleminderit. Ndërkohë, unë do të rinovoj dhe një ftesë tuajën të vjetër që Komisioni mund të vijë në ILD. Ka qenë një ftesë e juaj për të ardhur në mjediset tuaja, për t’u njohur me punën, me sistemin si funksionon dhe unë do t’i ftoja kolegët që t’i përgjigjemi pozitivisht një ftese të vjetër, nëse besoj se ajo është në fuqi.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Çdo vit e kam përsëritur.

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Po, pikërisht për këtë arsye dhe unë e rinovova atë nga ky pozicion sot, në mënyrë që në një ditë të përshtatshme për t’i diskutuar dhe këto tre tematika, por dhe për t’u njohur kolegët. Besoj dhe zoti Kaso ka të njëjtin mendim me mua. Po për shkak se në këtë pikë ne nuk ndahemi maxhorancë opozitë për fat të mirë, sepse janë shqetësime që na takojnë, nuk i takojnë maxhorancës apo opozitës, por i takojnë sistemit, i cili është i baraslarguar qoftë nga maxhoranca dhe opozita dhe ne kemi të njëjtën qasje, në raport me atë çfarë sistemi duhet të ofrojë për qytetarët. Kështu që pavarësisht dallimeve të ndryshme, ndoshta dhe shumë të ndryshme në shumë aspekte të tjera. Okay, keni një koment? Okay. Faleminderit zoti inspektor, faleminderit kolegëve. Besoj biem dakord me propozimet e relatores. Edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i pati në vëmendje dhe gjithashtu i kërkoi kohën e nevojshme, që një pjesë e tyre të trajtohen në proces edhe çështjet e tjera që diskutuam gjithashtu.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Më fal për procedurë. Domethënë unë nuk rashë dakord me komentet e relatores, për këtë thashë do sjellim material me gjetjet. Me gjetjet, apo, ndjesë për termin?

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Në përfundimet tona.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Kështu që mendoj që është më etike, që të miratohet pasi të vijnë dhe komentet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

 

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Nuk ka, ne nuk kemi ndonjë gjë për të miratuar. Ne e kemi këtu nga këndvështrimi ynë, janë procesi si e ndjekim ne. Kështu që ne nuk ndërhyjmë në vendimmarrjen e Inspektorit dhe Inspektori është gjithashtu i lutur të mos ndërhyjë në vendimmarrjen tonë. Por gjithsesi

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani: Të ankohet komisioni për ndërhyrje nga Inspektori…

Kryetari i Komisionit z. Fatmir Xhafaj: Jo, nuk thashë, është i lutur thashë. Okej, besoj se u mirëkuptuam. Kjo është e rëndësishme. Faleminderit edhe ditë të mbarë. Vazhdojmë me pikën tjetër të rendit të ditës.