ILD DHE JUSTAL DISKUTOJNË METODOLOGJINË E VERIFIKIMIT TË PASURISË DHE FIGURËS SË MAGJISTRATËVE

Njësia e inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë zhvilloi një tryezë diskutimi profesional me ekspertët e projektit JUSTAL, mbi kuadrin ligjor, metodologjinë dhe mjetet operacionale për verifikimin e pasurisë dhe të figurës së magjistratëve, subjekte të veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në nisje të tryezës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, vlerësoi mbështetjen e BE-së për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar se “Procesi i vettingut ishte i vërtetë i përkohshëm në kuptimin teknik, por i përhershëm në kuptim të asaj se çfarë vlerash ka prodhuar ky proces në kuadër të reformës në drejtësi, si dhe në kuptim të standardeve dhe parimeve mbi të cilat duhet të bazohet funksionimi i sistemit të drejtësisë. Prandaj vazhdimësia e këtyre standardeve të dala nga ky proces është me rëndësi, pasi të gjithë duhet të flasim me të njëjtën gjuhë vlerash, me të cilat nisi, u bazua dhe miratua reforma në drejtësi.”

Drejtuesja e ekipit JUSTAL, znj. Agnes Bernhard, theksoi se, ndonëse procesi i vettingut ishte i përkohshëm, parimet e konsoliduara gjatë tij duhet të mbeten të qëndrueshme dhe të shërbejnë si referencë për sistemin e drejtësisë.

Ekspertët e JUSTAL, z. Francesco Caruso dhe znj. Bora Pirdeni, prezantuan Udhëzuesin për Verifikimin e Pasurisë dhe Figurës së Magjistratëve, qëllimi i të cilit është të ofrojë orientime praktike për kryerjen e një tërësie të standartizuar veprimesh hetimore si bazë për vlerësime të plota, të qëndrueshme dhe të bazuara në prova të pasurisë dhe figurës.

Gjatë diskutimeve u trajtuan ndryshimet në kuadrin ligjor dhe operacional, amendamentet e Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe ndikimi i tyre në procedurat e verifikimit. Në fokus ishin krijimi dhe administrimi i dosjes së verifikimit, analiza financiare, vlerësimi i burimeve të ligjshme të të ardhurave, identifikimi i personave të lidhur dhe i treguesve të riskut, si dhe përdorimi i formularëve standardë dhe mjeteve të llogaritjes.

Një pjesë e rëndësishme e trajnimit iu kushtua metodologjisë së vlerësimit të figurës, kuadrit ligjor përkatës, masave hetimore dhe standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Gjithashtu, u analizua zbatimi i parimit të proporcionalitetit në vlerësimin e pasurisë dhe të figurës, duke marrë në konsideratë legjislacionin në fuqi dhe praktikën gjyqësore.

Kjo tryezë synoi të forcojë njohuritë profesionale dhe të unifikojë qasjen metodologjike të inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve në zbatimin e procedurave të verifikimit, duke kontribuar në një proces të qëndrueshëm, të paanshëm dhe në përputhje me standardet ligjore përkatëse.