FJALA E ILD ARTUR METANI NË MBLEDHJEN E FUNDIT TË KOMITETIT DREJTUES TË PROJEKTIT JUSTAL

Përshëndetje të gjithëve,

Në vlerësimin e kontributit të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Technical Assistance to Support the Implementation of the Crosscutting Justice Strategy” (JUSTAL), është e rëndësishme të ndalemi jo vetëm te aktivitetet e realizuara dhe produktet e përgatitura, por edhe tek roli që këto aktivitete kanë në forcimin e kapaciteteve analitike të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, konsolidimin e standardeve të përgjegjësisë disiplinore të magjistratëve si dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional.

ILD është një institucion kushtetues që kontribuon në garantimin e përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, duke ushtruar kompetencat e tij në respekt të garancive që burojnë nga shteti i së drejtës dhe duke siguruar balancën e duhur ndërmjet pavarësisë dhe përgjegjësisë së magjistratëve.

Pavarësia dhe përgjegjshmëria përbëjnë dy elemente të domosdoshme të një sistemi drejtësie demokratik dhe funksional. Në këtë kuptim, pritshmëritë ndaj ILD-së nuk duhet të kufizohen vetëm te numri i ankesave të shqyrtuara, numri i hetimeve të kryera apo procedimeve disiplinore. Pritshmëria është që institucioni, përmes mekanizmave të tij kushtetues, të kontribuojë në identifikimin e problematikave që cenojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë, në evidentimin e shkaqeve të tyre dhe në rekomandimin e masave legjislative, rregullatore dhe administrative të cilat përmirësojnë cilësinë e sistemit të drejtësisë.

Një dimension i rëndësishëm i këtij misioni janë inspektimet tematike dhe institucionale. Ato i mundësojnë ILD-së të shohë përtej rastit dhe përgjegjësisë individuale, të identifikojë problematika të përsëritura dhe të analizojë faktorët që ndikojnë në efikasitetin e vetë sistemit të drejtësisë. Qëllimi nuk është masa disiplinore në vetvete, por një sistem drejtësie që funksionon më mirë, u përgjigjet qytetarëve brenda një kohe të arsyeshme dhe garanton vendimmarrje të paanshme e cilësore.

Pikërisht në këtë drejtim vlerësohet mbështetja e ofruar nga JUSTAL. Analiza e zbatimit të rekomandimeve të inspektimeve tematike, zhvillimi i instrumenteve për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe përfshirja e këtyre instrumenteve në procedurat standarde të punës përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt një veprimtarie inspektuese më të strukturuar dhe të orientuar drejt rezultateve.

Analiza e efektivitetit të rekomandimeve të lëna nga inspektimet institucionale dhe tematike të përfunduara është një proces, i cili kërkon përmirësim dhe zhvillim të vazhdueshëm për ta bërë sa më funksionale dhe performuese, këtë kompetencë thelbësore të ILD-së. Duhet të mbahet në vëmendje që rekomandimet e dhëna nuk mund të sjellin impakt të menjëhershëm të eliminimin e problematikave të evidentuara, pasi kjo kërkon ndryshimin të praktikave institucionale, standardizimin e sjelljeve profesionale dhe bashkërendim institucional ndërmjet të gjithë aktorëve të sistemit. Në këtë kuadër, ILD ka vendosur ngritjen e mekanizmave të qëndrueshëm të monitorimit të këtyre rekomandimeve nëpërmjet zhvillimit të inspektimeve vijuese me qëllim monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të lëna. Njëkohësisht nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë po punohet për hartimin e një metodologjie të posaçme në lidhje me monitorimin dhe ndjekjes e procesit të zbatimit të rekomandimeve të lëna, në kuadër të zhvillimit të inspektimeve tematike/institucionale. Në këtë kuadër përpos angazhimit tonë e nevojshme vlerësohet dhe mbështetja vijuese e partnerëve ndërkombëtarë nëpërmjet ekspertizës së tyre për praktikat, modelet apo standardet më të mira në këtë fushë është me qëllim ngritjen e një sistemi monitorimi të matjes e impaktit real të rekomandimeve dhe identifikimi të problemeve që përsëriten në sistemin e drejtësisë.

Për ILD-në, ky është një standard i rëndësishëm i zhvillimit të mëtejshëm institucional: kalimi nga evidentimi i problematikave drejt matjes së rezultateve dhe ndikimit të veprimtarisë inspektuese. Një rekomandim nuk duhet të vlerësohet vetëm nga fakti që është hartuar apo përcjellë, por edhe nga ndryshimi që prodhon në praktikën institucionale. Në këtë mënyrë, inspektimi shndërrohet në një instrument për përmirësimin e sistemit dhe jo vetëm në një mekanizëm kontrolli.

Një pritshmëri tjetër thelbësore lidhet me bashkëpunimin ndërinstitucional. ILD ushtron një funksion të veçantë brenda arkitekturës së qeverisjes së drejtësisë, por rezultatet e këtij funksioni ndërthuren me përgjegjësitë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe institucioneve të tjera. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët, mund të garantojmë një sistem drejtësie që mund të funksionojë mbi themele të qëndrueshme profesionalizmi, integriteti dhe besueshmërie. Në këtë kontekst, vlerësoj se mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë është e rëndësishme dhe kontribuon në forcimin e kapaciteteve të qëndrueshme të institucioneve, në zhvillimin e metodologjive të përbashkëta dhe në përmirësimin e mekanizmave të llogaridhënies.

Me mbështetjen e projektit në Prill 2026, u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunimin ndërinstitucional në raportimin e statistikave të drejtësisë, marrëveshje e cila i shërben jo vetëm matjes së performancës dhe efikasitetit të veprimtarisë së gjykatave dhe zyrave të prokurorive, por është thelbësore dhe në drejtim të transparencës, llogaridhënies si dhe identifikimit të nevojave për përmirësim të vazhdueshëm të veprimtarisë të sistemit të drejtësisë. Po ashtu edhe Mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë kushtuar procesit të vlerësimit etiko profesional të magjistratëve, ILD vuri theksin te krijimi e një sistemi vlerësimi etiko-profesional që monitoron dhe vlerëson performancën e magjistratëve jo vetëm në bazë të rezultateve të punës, por edhe në përputhje me standardet morale, etike dhe profesionale duke theksuar njëkohësisht nevojshmërinë që ky proces të ecë me ritme të shpejta pasi përbën mjetin kryesor nëpërmjet të cilit Këshillat do të plotësojnë vakancat në sistem.

Gjatë vitit 2026, bashkëpunimi me JUSTAL përfshiu diskutime mbi përgjegjësinë disiplinore të magjistratëve, hetimet disiplinore në çështje të ndjeshme, zbatimin e mjeteve ligjore në dispozicion gjatë procedurave hetimore dhe dallimin ndërmjet shkeljeve etike dhe shkeljeve disiplinore.

Këto aktivitete krijuan hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe për trajtimin e çështjeve që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë, qëndrueshmërinë dhe efektivitetin e praktikës disiplinore. Në këtë drejtim, është e rëndësishme që mbështetja teknike të kontribuojë në vendosjen e standardeve të njëjta në mënyrën e interpretimit të ligjit nga organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë për t`i shërbyer garantimit e sigurisë juridike, duke ruajtur pavarësinë e magjistratëve dhe të siguruar përgjegjshmërinë e tyre sipas ligjit.

Në kuadër të komenteve mbi ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në Janar të këtij viti JUSTAL rekomandoi që ulja e kriterit të vjetërsisë për inspektorët e Zyrës së ILD-së të përdorej vetëm si mjet i fundit. Duke mirëkuptuar shqetësimet e ngritura, ILD ka vlerësuar se qëllimi i ligjvënësit në vendosjen e kritereve të përvojës profesionale të magjistratëve që kërkojnë të komandohen në ILD duhet të vendosë në balancë nevojën për garantimin e një standardi të lartë në procesin e hetimit disiplinor dhe inspektimit (i cili nuk është domosdoshmërisht i lidhur me vitet e qëndrimit të magjistratit në sistem) me funksionimin me kapacitete të plota të sistemit të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së magjistratëve. Për këtë arsye ILD ka adresuar disa propozime për ndryshime ligjore pranë Kuvendit të Shqipërisë, të cilat u reflektuar pjesërisht në amendimet ligjore të miratuara në Janar të vitit 2026.

Propozimet e adresuara nga ILD kishin si qëllim të rrisnin interesin e magjistratëve për aplikim në procedurën e komandimit, duke përmirësuar atraktivitetin e këtij pozicioni, si një nga gjetjet e evidentuara në mënyrë të vazhdueshme në progres-raportet e Komisionit Evropian, me qëllim garantimin e funksionalitetit me kapacitete të plota të këtij institucioni dhe vijimin e konsolidimit të rolit të tij si institucion i pavarur i kontrollit dhe përgjegjshmërisë në sistemin e drejtësisë.

Në përfundim vlerësojmë të rëndësishme të theksojmë rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë nëpërmjet projekteve të asistencës në kuadër forcimit dhe konsolidimit të vazhdueshëm të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si një institucion që, përmes inspektimeve dhe mekanizmave të përgjegjësisë, ndihmon në përmirësimin e qëndrueshëm dhe rritjen e cilësisë në sistemin e drejtësisë. Sepse suksesi i reformës në drejtësi nuk matet vetëm me ngritjen dhe funksionimin e institucioneve, por matet kryesisht me aftësinë e tyre për të përmirësuar realisht mënyrën se si funksionon drejtësia dhe si ajo perceptohet nga qytetarët.