ILD NDAN PËRVOJËN ME KËSHILLIN GJYQËSOR TË KOSOVËS

Prishtinë, 16 nëntor 2026

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, mori pjesë në një sesion shkëmbimi të përvojave me Njësinë e Inspektimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), me fokus forcimin e kapaciteteve të kësaj Njësie në fushën e inspektimit dhe disiplinimit, si dhe rritjen e rolit në monitorimin e performancës së gjykatave dhe identifikimin e fushave që kërkojnë përmirësim.

Aktiviteti u organizua nga Këshilli i Evropës, përmes projektit KoSEJ III, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe bëri bashkë anëtarë e përfaqësues të KGJK-së, inspektorë gjyqësorë, gjyqtarë dhe profesionistë të sistemit gjyqësor.

Gjatë sesionit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ndau përvojën dhe praktikat e Institucionit që drejton, duke u ndalur te organizimi, planifikimi dhe realizimi i inspektimeve tematike dhe institucionale, përzgjedhja e prioriteteve, procedurat dhe sfidat operacionale.

Diskutimet u përqendruan në planifikimin dhe zhvillimin e inspektimeve institucionale dhe tematike, metodologjitë e inspektimit, identifikimin e problematikave në funksionimin e gjykatave, si dhe dokumentimin e gjetjeve, hartimin e rekomandimeve dhe ndjekjen e zbatimit të tyre.

Përmes shkëmbimit të përvojave, u diskutuan sfidat konkrete të Njësisë së Inspektimit të KGJK-së dhe për të shqyrtuar praktika e qasje që mund të përshtaten me kontekstin e Kosovës, duke identifikuar njëkohësisht mundësi për bashkëpunim dhe mbështetje të mëtejshme institucionale.