Kërkesa e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për procedim disiplinor ndaj magjistrates S.D., gjyqtare (në kohën e shkeljes disiplinore) pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, u pranua pjesërisht nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). KLGJ vendosi caktimin e masës “vërejtje publike”, në vend të masës “Ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, e propozuar nga ILD ndaj gjyqtares S.D.
Hetimi disiplinor ndaj gjyqtares S.D., nisi pas ankesave të paraqitura nga zëvendëskryetari i kësaj gjykate dhe dy ankues të tjerë, për mungesat e pajustifikuara në detyrë, mosheqjen dorë nga gjykimi në rastet kur kjo ishte e detyrueshme dhe shkeljen e rëndë ose të përsëritur të legjislacionit procedural e material. ILD konstatoi shkelje nga ana e magjistrates për mungesa të pajustifikuara në detyrë për më shumë se 3 ditë pune në vit, mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga procedimi apo gjykimi i çështjes, kur kjo është e detyrueshme sipas ligjit, nëse magjistrati ka dijeni ose duhet të kishte dijeni të rrethanave të tilla dhe mosrespektimi i rëndë ose i përsëritur i legjislacionit procedural e material ose zbatimi i gabuar i legjislacionit procedural dhe material, kur konstatohet nga një gjykatë më e lartë. Raporti hetimor i ILD-së vlerëson se shkeljet janë kryer me dashje, duke pasur parasysh edhe përvojën profesionale të magjistrates. Sipas raportit, veprimet dhe mosveprimet e gjyqtares S.D. kanë cenuar parimet e paanshmërisë dhe ligjshmërisë, të drejtat e palëve në procesin gjyqësor, si dhe prestigjin e magjistratit dhe besimin e publikut në sistemin gjyqësor.
ILD konkludoi se veprimet dhe mosveprimet e gjyqtares S.D. përbëjnë shkelje të rënda disiplinore, dhe i propozoi Këshillit të Lartë Gjyqësor caktimin e masës disiplinore “Ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit” ndaj gjyqtares. KLGJ pranoi shkeljen disiplinore, por caktoi masë disiplinore më të lehtë, atë të vërejtjes publike ndaj gjyqtares S.D.
