Pyetje të shpeshta mbi ankesat në ILD

Për cfarë shërben ankimimi?

Ky proces bëhet për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të të gjitha niveleve:

  1. Gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve;
  2. Anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor;
  3. Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë; dhe
  4. Prokurorit të Përgjithshëm.

Përjashtim bëjnë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Çdo person fizik ose juridik mund të paraqesë ankesë pranë ILD.

Shkeljet disiplinore hetohen nga ILD, bazuar në procedurat dhe rregullat e parashikuara në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Për cfarë mund të ankohem pranë ILD?

Ju mund të ankoheni për veprime ose mosveprime, të cilat përbëjnë mospërmbushje të detyrës, apo sjellje joprofesionale ose joetike gjatë ushtrimit të funksionit apo jashtë tij, të cilat diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjitha niveleve në Republikën e Shqipërisë, e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e Prokurorit të Përgjithshëm, ose dëmtojnë besimin e publikut në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë.

Ndaj kujt nuk mund të paraqes ankesë në ILD?

ILD nuk është kompetente për të shqyrtuar ankesat ndaj kancelarëve, ndihmësve ligjorë, kryesekretarit, sekretarëve gjyqësorë, ftuesve, nëpunësve të tjerë të administratës gjyqësore, oficerëve të policisë gjyqësore, avokatëve apo përmbaruesve gjyqësorë shtetërorë ose privatë, apo subjekte të tjera që marrin pjesë në një proces hetimor apo gjyqësor. Ankesat ndaj këtyre zyrtarëve duhet të paraqiten pranë autoriteteve përkatëse, që janë përgjegjëse për procedurat disiplinore referuar ligjit të posaçëm.  

Si mund të paraqes një ankesë tek ILD?

Për të lehtësuar sa më shumë procesin e ankimimit, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka përgatitur një formular-tip ankese, i cili gjendet në faqen e internetit të ILD-së dhe mund të dërgohet në tri mënyra: online, me postë ose personalisht.

  • Formulari ankesës, i gatshëm për t’u plotësuar dhe dërguar direkt online gjendet këtu: “Formulari i ankesës”
  • Formulari edhe mund të shkarkohet “Shkarko formularin” për t’u plotësuar e dërguar në një nga tre mënyrat e mëposhtme:
    • me email në adresën info@ild.al;
    • me postë në adresën Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”,  Godina nr. 13, Tiranë;
    • ose personalisht në institucion.

Për të plotësuar në mënyrën e duhur formularin e ankesës:

Nuk arrij ta plotësoj vetë ankesën

Në rastet kur nuk mund të arrini të plotësoni vetë formularin e ankesës, për lehtësimin e këtij procesi do t’ju vijë në ndihmë ekipi i sektorit të ankesave, i cili mund t’ju asistojë duke ju orientuar mbi formatin e plotësimit të ankesës dhe kriteret e saj, çdo ditë pune nga ora 09:00 deri në 14:00, pranë institucionit të ILD-së.

A është marrë ankesa ime nga ILD?

Me të marrë ankesën tuaj, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, brenda 5 ditëve, ju konfirmon me shkresë marrjen e saj. Ky proces quhet konfirmimi i ankesës.

Gjithashtu, në rastet se ankesa juaj nuk është objekt i veprimtarisë së ILD-së, njësia përgjegjëse e ILD-së, e përcjell ankesën tuaj pranë institucionit kompetent, duke ju venë në dijeni edhe juve.

Sa kohë i duhet ILD-së për të shqyrtuar ankesën time?

Pasi është konfirmuar marrja e ankesës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka afat 3 (tre) muaj nga marrja e saj, për ta shqyrtuar e për të marrë informacion dhe analizuar këtë informacion, në mënyrë që të konfirmohet vërtetësia e pretendimeve.

Shqyrtimi siguron që ankesa plotëson kushtet, që ka vendosur ligji për të qenë e pranueshme. Por për shkak të stokut të dosjeve disavjeçare të ankesave, të trashëguara nga institucione të tjera, ky proces mund të kërkojë më shumë kohë, pasi ILD respekton një metodologji të miratuar për shqyrtimin e çdo ankese sipas kritereve që lidhen me:

  • datën e dorëzimit;
  • fazën e trajtimit të ankesave të trashëguara;
  • tipologjinë apo urgjencën e trajtimit;
  • afatet e parashkrimit të ankesës.

Pas shqyrtimit fillestar të ankesës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të vendosë:

  1. arkivimin e ankesës, pasi nuk përmbush një ose më shumë kriteret për të qenë e pranueshme;
  2. të verifikojë pretendimet në ankesë kur ka të dhëna të paplota ose të paqarta, nga burime të ndryshme (organe të tjera; me subjektin e hetimit disiplinor; kryetarin a drejtuesin e organit ku ushtron detyrën magjistrati etj) apo të kërkojë sqarime a dokumentacion tjetër nga ankuesi;
  3. të fillojë hetimin, kur nga analizimi i të dhënave ka dyshime të arsyeshme se shkelja mund të jetë kryer.
Cilat janë kushtet për pranimin e ankesës nga ILD?

Ligji parashikon disa kriteret për pranueshmërinë e ankesës. Prandaj Inspektori i Lartë i Drejtësisë shqyrton fillimisht ankesën në drejtim të përmbushjes së këtyre kritereve:

  • Mënyrën e paraqitjes së ankesës: pra nëse ankesa është e paraqitur me shkrim;
  • Paraqitja e të dhënave të subjektit: emri, mbiemri dhe adresa juaj, si dhe nëse kërkoni ruajtjen e konfidencialitetit të identitetit tuaj;
  • Përshkrimin e fakteve dhe rrethanave për të cilat ankoheni; (Shembull)
  • Emrin, mbiemrin e gjyqtarit apo prokurorit, bashkë me gjykatën apo prokurorinë ku ka ushtruar funksionin, në kohën kur ka ndodhur rrethana apo fakti ndaj të cilit ankoheni; 
  • Nëse shkelja e pretenduar ka ndodhur brenda 5 viteve nga momenti i dorëzimit të ankesës; (Shembuj)
  • Nëse në përmbajtje të ankesës nuk ka elemente abuzive, ankesa nuk është haptazi e pabazuar ose e përsëritur nga i njëjti ankues; (Shembull)
  • Sjelljen e magjistratit, i cili ka qenë në detyrë në kohën kur ka ndodhur rrethana apo fakti për të cilën ankoheni; (Shembuj)
  • Sjelljen e magjistratit, të parashikuar si shkelje disiplinore nga ligji në fuqi, në kohën kur shkelja e pretenduar ka ndodhur; (Shembuj)
  • Sjelljen e magjistratit që, nëse provohet se është kryer, përbën shkelje disiplinore të parashikuar nga ligji. (Shembuj)
Pse është arkivuar ankesa ime?

Nëse njëri prej ose më shumë nga kriteret e pranueshmërisë së ankesës (referoju “Cilat janë kushtet për pranimin e ankesës”) nuk plotësohen, atëherë Inspektori i Lartë i Drejtësisë nxjerr vendimin për arkivimin e ankesës. 

Ju do të njoftoheni për vendimin e arkivimit të ankesës dhe për të drejtën tuaj për t’u ankuar.

Cfarë mund të bëj nëse nuk jam dakord me vendimin e arkivimit apo vendimin për mbylljen e hetimit nga ILD?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ju njofton për vendimin e arkivimit të ankesës, për të drejtën tuaj për t’u ankuar, si dhe ku mund të ankoheni ndaj vendimit, bashkë me afatin brenda të cilit mund të ankoheni.

Nëse jeni ankuar për gjyqtar, ankimin ndaj vendimit të ILD duhet ta paraqisni pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe nëse jeni ankuar për prokuror, pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, brenda një jave nga marrja e njoftimit të vendimit të arsyetuar nga ILD.

Nëse jeni ankuar ndaj një anëtari të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë për shkelje të pretenduara gjatë ushtrimit të këtij funksioni, ankimin ndaj vendimit të ILD duhet ta paraqisni pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. 

Si mund të informohem për ecurinë e ankesës sime?

Ju mund t’i drejtoni kërkesë për informacion Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për ecurinë e ankesës tuaj, përmes e-mailit zyrtar, shërbimit postar, ose personalisht pranë institucionit.

Informacionin për ecurinë e ankesës ka të drejtë ta marrë vetëm ankuesi që ka paraqitur ankesën.

A më mundëson një vendim më të mirë gjyqësor, kjo procedurë në ILD?

Jo! Ju lutem kini parasysh se Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka autoritet për të shqyrtuar apo ndryshuar vendimet e magjistratëve. Ato shqyrtohen nëpërmjet instrumenteve të apelimit gjyqësor, vetëm nga gjykatat më të larta. Inspektori i Lartë i Drejtësisë heton shkeljet disiplinore, që magjistratët mund të kryejnë gjatë ushtrimit të funksionit të tyre ose jashtë tij.

Pra, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka asnjë autoritet, që të ndikojë tek gjyqtari apo prokurori, që ju të merrni një rezultat të ndryshëm në çështjen tuaj. Nëse keni ndërmend të ndryshoni rezultatin e çështjes suaj, atëherë duhet të ndiqni rrugën e apelimit gjyqësor.

A mund ta tërheq ankesën?

Në çdo rast ju jeni të lirë të tërhiqni ankesën.

Si rregull tërheqja e ankesës sjell arkivimin e ankesës. Por në rastet kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se në ankesë ka shkaqe të mjaftueshme për kryerjen e hetimit me iniciativën e tij, ai vendos të vijojë me kryerjen e procedurave hetimore.

Rrugëtimi i një ankese në ILD