Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi një takim informues me një grup studentësh të degës së drejtësisë, të angazhuar në nismën “ForumLex”, në kuadër të programit për informimin dhe edukimin ligjor të publikut. Duke u bërë një paraqitje të kompetencave të institucionit e në kuadër të kurrikulës së tyre mbi lëndën e të drejtës kushtetuese, zoti Metani u shpjegoi të rinjve konceptin e ndarjes së pushteteve, pavarësinë e tyre dhe rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mes tre pushteteve, ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit, ndërsa shtoi se Kushtetuta e ka parashikuar këtë institucion, si një mekanizëm për të kontrolluar dhe mbikëqyrur punën e gjyqësorit, sa i takon shkeljeve apo abuzimeve, por pa cenuar pavarësinë e tyre në vendimmarrje.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani iu përgjigj interesimit të pjesëmarrësve për aspekte të punës ndër vite të ILD-së, por edhe për zhvillime jashtë institucionit mbi rolin dhe pritshmëritë publike.
Studentët u njohën gjithashtu me organizimin e brendshëm të institucionit, praktikat e punës dhe rëndësinë e transparencës dhe komunikimit me publikun, veçanërisht me të rinjtë dhe komunitetin akademik dhe morën përgjigje nga magjistratja gjyqtare Arjeta Lika dhe ndihmës inspektori Julis Zebi mbi mënyrën e paraqitjes e trajtimit të një ankese në ILD, të drejtat e ankuesit e magjistratit etj.
