FJALA E ILD NË TAKIMIN E INSTITUCIONEVE TË SISTEMIT TË DREJTËSISË

“Mbi zbatimin e strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024–2030: Arritjet dhe sfidat në vijim për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të integrimit evropian”

I nderuar z. Ministër,

Të nderuar partnerë ndërkombëtarë,

Të nderuar drejtues të institucioneve të sistemit të drejtësisë,

Faleminderit për ftesën, e cila tregon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi mes institucioneve të drejtësisë dhe degëve të tjera të pushtetit, bashkëpunim i cili duhet të jetë një normalitet dhe duhet të jetë një mënyrë të qeni, e jo takime sporadike apo shkak të angazhimeve të caktuara. Takimi i sotëm përfaqëson më shumë sesa një moment raportimi mbi zbatimin e Strategjisë Ndër sektoriale të Drejtësisë 2024–2030. Ai është një mundësi për të reflektuar mbi mënyrën se si institucionet tona bashkërendojnë veprimtarinë e tyre, si i matin rezultatet e reformave dhe si ndërtojnë mekanizma të cilat ti shërbejnë rritjes së cilësisë së drejtësisë, forcimit të shtetit të së drejtës dhe përmbushjes së angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Sot reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë të re, ajo kërkon institucione që jo vetëm ushtrojnë kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore por institucione të cilat detektojnë, analizojnë dhe adresojnë problematikat sistemike të sistemit të drejtësisë.

Nga raporti vjetor i monitorimit rezulton se gjatë vitit 2025 janë shënuar zhvillime të rëndësishme në të pesë shtyllat e Strategjisë Ndër sektoriale të Drejtësisë. qëllimi i dytë dhe i tretë politik i SND-së që lidhet me forcimin e pavarësisë, paanshmërisë dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë dhe rritjen e cilësisë së drejtësisë, pavarësisht sfidave të evidentuara vit pas viti me vakancat, arritje të rëndësishme janë shënuar, përmend këtu rritje të numrit të ankesave të shqyrtuara, por edhe rritje të numri të inspektimeve, tematikave dhe rrjedhimisht rekomandimeve. Vit pas viti, ILD jo vetëm ka treguar rritje të qëndrueshme të performancës, por edhe cilësinë përmes nxjerrjes së rekomandimeve dhe matjes së rezultatit të tyre, duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë së punës në gjykata dhe prokurori.

Përvoja mbi 6 vjeçare e punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka treguar se sfidat më të rëndësishme nuk lidhen vetëm me rastet e përgjegjësisë individuale të magjistratëve nëpërmjet procedimeve disiplinore, por me detektimin e problematikave sistemike që pengojnë funksionimin normal të sistemit të drejtësisë, analizimin e tyre dhe dhënia e kontributit real dhe konkret në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë dhe kulturës së integritetit.

Një sistem drejtësie nuk përmirësohet vetëm duke ndëshkuar.

Ai konsolidohet atëherë kur ndërtohen instrumentet e nevojshëm për t’i parandaluar ato.

Sfidat me të cilat po përballet sistemi i drejtësisë aktualisht nuk janë individuale apo përgjegjësi e një apo e disa institucioneve. Shumë prej tyre janë problematika të nivelit sistemik, të lidhura me organizimin institucional, strukturor, ngarkesën e sistemit, vakancat, apo nevojën për iniciativa ligjore. Për këtë arsye, edhe qasja jonë duhet të evoluojë. Nga analizimi i gjetja e përgjegjësive individuale duhet të kalojmë drejt analizimit të fenomeneve, shkaqet nga të cilat këto problematika kanë ardhur dhe si t’i adresojmë ato. Nga fryma e ndëshkimit duhet të kalojmë tek ajo e parandalimit dhe e përmirësimit të cilësisë së drejtësisë, pasi kjo është ajo që qytetarët presin nga ne sot, ajo për të cilën u ndërmor reforma në sistemin e drejtësisë përpara 10 viteve.

Rruga drejt një sistemi drejtësie efikas dhe të qëndrueshëm kërkon bashkërendim institucional, transparencë dhe respekt të parimit të ndarjes së pushteteve. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të përbashkët, mund të garantojmë një sistem drejtësie që i shërben qytetarit dhe që mund të funksionojë mbi themele të qëndrueshme profesionalizmi, integriteti dhe besueshmërie.

Asnjë institucion nuk mund t’i zgjidhë i vetëm problematikat sistemike të drejtësisë. Kompetencat ushtrohen në mënyrë individuale por përgjegjësia për ndërtimin e një sistemi drejtësie funksional, efektiv dhe që i përgjigjet pritshmërive të publikut është e të gjithëve ne. Nëse rruga drejt përfundimit të negociatave me BE, jo vetëm si një proces teknik por edhe si proces vlerash rezulton e suksesshme, edhe sistemi i drejtësisë ka pjesën e vet të meritës në këtë rrugëtim. Por njëlloj e vërtetë është se nëse ky proces dështon, pjesë e përgjegjshmërisë do jetë edhe sistemi i drejtësisë. Prandaj bashkëpunimi ndërinstitucional nuk duhet parë vetëm si një detyrim për t’u përmbushur mbështetur në rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Shqipërisë apo realizimin e objektivave të strategjisë. Bashkërendimi i veprimtarisë së institucioneve tona duhet të perceptohet dhe të zhvillohet si një instrument i domosdoshëm për të konsoliduar standardet e një drejtësie të pavarur, eficente dhe të shpejtë që i përgjigjet nevojave të publikut për të marrë drejtësi në një kohë të arsyeshme.

Sot kemi nevojë për institucione që jo vetëm reagojnë ndaj problematikave, por që janë në gjendje t’i parashikojnë ato; institucione analizojnë fenomene dhe rekomandojnë zgjidhje; institucione që jo vetëm raportojnë statistika, por i përdorin ato për të përmirësuar vendimmarrjen sepse cilësia e sistemit të drejtësisë nuk përcaktohet vetëm nga vendimet që ai merr, por edhe nga aftësia për të mësuar nga përvoja, për të korrigjuar dobësitë dhe për të ndërtuar standarde gjithnjë e më të larta të integritetit dhe përgjegjshmërisë.

Jam i bindur se Mekanizmi i ri i Bashkëpunimit Ndërinstitucional për Zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030 dhe Barometri i Drejtësisë do të kontribuojnë në ndërtimin e një kulture të re bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të sistemit të drejtësisë, të bazuar në

koordinim, transparencë dhe bashkërendim ndërinstitucional. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ofruar angazhimin dhe kontributin e tij maksimal, pasi personalisht vlerësoj se vetëm atëherë kur do të arrijmë të krijojmë një frymë dhe kulturë të bashkëpunimit të qëndrueshëm institucional pa u kufizuar në evidentimin e të dhënave sasiore por duke adresuar fenomene që na prekin të gjithëve do të mund të përmbushim standardet që kërkon procesi i integrimit evropian dhe çfarë është më e rëndësishme atë publiku pret nga ne dhe nga reforma, një drejtësi më cilësore, më efikase, më të besueshme dhe më të shpejtë.

Ju faleminderit!