GJIMNAZISTË TË “ÇAJUPIT” VIZITË STUDIMORE NË ILD

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në kuadër të një praktike tashmë të konsoliduar të institucionit për informimin përmes edukimit ligjor të të rinjve, mikpriti për një vizitë studimore një grup nxënësish dhe maturantësh të gjimnazit “Andon Zako Çajupi” të Tiranës. Fillimisht të rinjtë u njohën me objektin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, rolin, funksionet, proceset e punës, si dhe sfidat e institucionit, për rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë dhe të besimit të publikut tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si një nga institucionet e reja të krijuara nga Reforma në Drejtësi.

Më tej ishte inspektorja jomagjistrate znj. Erjena Bashari dhe ndihmës inspektori z. Julis Zebi, i njohën nxënësit/maturantët me mënyrën si funksionon Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe si mund të përdoret nga qytetarët. Ata u shpjeguan nxënësve/maturantëve rolin dhe funksionet e ILD-së, mënyrat sesi zhvillohet në praktikë puna e institucionit dhe sfidat për ta bërë sistemin e drejtësisë më efikas dhe më të besueshëm për publikun. Gjithashtu, nxënësit/maturantët panë nga afër se si bëhet një ankesë në ILD, kush ka të drejtë të paraqesë një ankesë dhe nëse vetë Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të nisë një procedurë disiplinore edhe pa ankesë, ra me iniciativën e tij.

Inspektore znj. Bashari dhe ndihmës inspektori z. Zebi, iu përgjigjën interesit të gjimnazistëve, që aspirojnë vijimin e studimeve për drejtësi, mbi proceset e punës së inspektorëve, afatet e shqyrtimit të ankesave, pranueshmërinë e një ankese dhe pozicionin e magjistratit, gjatë një hetimi e procedimi disiplinor. Gjatë bashkëbisedimit u vu theksi tek rëndësia që institucioni i jep respektimit të pavarësisë së magjistratëve, balancës me llogaridhënien e tyre, si dhe interesit legjitim të qytetarëve për mënyrën sesi administrohet drejtësia. Gjithashtu një pikë e diskutimeve kishte të bënte me inspektimet e ILD në gjykata dhe prokurori dhe rezultatet e tyre. Një tjetër temë që u diskutua ishte roli monitorues i ILD-së në sistemin e drejtësisë, përmes inspektimeve në gjykata dhe prokurori, si dhe rezultatet që dalin nga këto inspektime.

Kjo vizitë studimore është pjesë e aktiviteteve që Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë organizon brenda dhe jashtë institucionit me grupe të ndryshme shoqërore, në kuadër të programit 2026–2028 për informimin, edukimin ligjor dhe ndërgjegjësimin e publikut, me qëllim marrjen e njohurive ligjore dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e zbatimit të ligjit.