Inspektori i Lartë i Drejtësisë zhvilloi një vizitë pune në Londër, gjatë së cilës zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, të komunitetit akademik, si dhe me profesionistë të së drejtës me origjinë shqiptare, që jetojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre profesional në Mbretërinë e Bashkuar.
Një dimension i veçantë i vizitës ishte takimi me përfaqësues të Hult International Business School, me ftesë të këtij institucioni. Me Prof. Fatos Selita dhe drejtuesja e departamentit të Karrierës Sarah Cotterill dhe Lucia Amaya, e marrëdhënieve me punëdhënësit, u diskutua mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik dhe krijimin e mundësive për programe internship-i, kryesisht për studentët e degëve Psychology, Economics & Politics pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Ky bashkëpunim synon t’u krijojë studentëve mundësinë për të njohur nga afër funksionimin e një institucioni të drejtësisë si ILD-ja, për të fituar përvojë praktike dhe për të kuptuar rëndësinë e shtetit të së drejtës, qeverisjes së mirë dhe përgjegjshmërisë institucionale.
Programet e internship-it përbëjnë tashmë një praktikë të mirë pune të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Institucioni ka krijuar një traditë të angazhimit të studentëve të interesuar për fushën e shtetit të së drejtës, duke u ofruar mundësi për zhvillimin e praktikave mësimore në sektorë të ndryshëm të veprimtarisë institucionale.
Vetëm gjatë vitit 2026, katër studentë nga Londra kanë zhvilluar praktikat e tyre mësimore pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke u njohur me aspekte të ndryshme të veprimtarisë së institucionit dhe me rolin e tij në garantimin e përgjegjshmërisë në sistemin e drejtësisë.
Në takimin me Hult International Business School u diskutuan gjithashtu mundësitë e shkëmbimit të ekspertizës në fusha të tilla si shteti i së drejtës, qeverisja institucionale, përgjegjshmëria institucionale, transparenca, parandalimi i korrupsionit dhe lidershipi etik.
Përmes këtyre nismave, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në kuadër të strategjisë së edukimit e komunikimit, synon të zgjerojë bashkëpunimin me universitetet dhe institucionet akademike kombëtare e ndërkombëtare, duke nxitur përfshirjen e studentëve me origjinë shqiptare dhe jo vetëm, në jetën institucionale të Shqipërisë, si dhe krijimin e urave të qëndrueshme mes botës akademike dhe institucioneve të drejtësisë.
